Në librin me kujtime “Ferri dhe destinacione të tjera”, ajo përshkruan të gjitha aktivitetet e saj publike dhe private, të njëzetë viteve të fundit. Madeleine Albright, ndarë nga jeta ditën e djeshme, ka rrëfyer në këtë intervistë të dy viteve më parë, jetën si lektore në universitet, parimet e diplomacisë së mirë, problemet e globalizimit dhe teknologjisë, pa harruar pengun në lidhje me tri vajzat e saj…
Nga diplomacia e mirë, globalizmi, plakja, pengjet si prind: Në administratën aktuale amerikane, zyrtarët e vjetër vijnë dhe shkojnë me një frekuencë të tillë, sa vështirë të mbahen mend. Por, kur Madeleine Albright u emërua Sekretare e Shtetit, në kohën e presidentit Bill Clinton, në vitin 1997, gruaja rrëzoi deri mitet sesi të jesh “burrë shteti” – jo më pak, për shkak të faktit që Albright, ishte gruaja e parë që merrte këtë post, në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Inteligjenca e saj, këmbëngulja e shkrirë me humanizmin e Zonjës së hekurt, në trajtimin e çështjeve të politikës së Jashtme, gjatë mandatit të saj 4-vjeçar, janë mëse të mirënjohura. Dy dekadat e fundit, ajo ka mbajtur leksione në universitete, ka shkruar libra, ka ngritur zërin në mbrojtje të shtyllave themelore të demokracisë, të të drejtave të grave në mbarë botën dhe në çdo rast, na kujton se arti i diplomacisë, ka të bëjë me të qenit një dëgjues i mirë, sa edhe orator.
Çfarë ju nxiti ta titulloni librin tuaj të fundit, “Ferri dhe destinacione të tjera”?
E kam bërë këtë, për tri arsye. Së pari, gjithçka që duhet të bëni sot, është të shihni lajme. Nëse nuk zgjohemi shpejt dhe fillojmë t’i bëjmë gjërat ndryshe, Ferri është pikërisht aty për ku jemi drejtuar. Arsyeja e dytë, ka të bëjë me një thënie që mund ta keni dëgjuar: Në ferr ka një vend të veçantë për gratë që nuk ndihmojnë njëra-tjetrën. Arsyeja e tretë, është se titulli ideal mund të ishte “Parqet dhe rekreacioni”, por ai është përdorur tashmë.
Ky është libri juaj i shtatë, cili ishte ndryshimi gjatë shkrimit të tij, nga të mëparshmit?
Ky është libri i tretë, që përshkruan sesi ka qenë jeta ime. Këtë e shkrova e nxitur nga njerëzit që më pyesnin vazimisht, mbi atë që po bëja dhe si arrija ta përballoja ritmin e jetës. Pasi, njerëzve, unë u dukem shumë e çuditshme. Sapo zbrita nga avioni, në një rast, mbikëqyrësi i fluturimit më pa dhe tha:”A mund të jem i pasjellshëm dhe t’ju pyes, sa vjeçe jeni?”. Unë mendoj se në këtë pikë, njerëzit presin që unë ta mbyll gojën!
Njerëzit janë të fiksuar pas “rinisë” . Në libër, ju flisni mbi moshën e tretë. Si e luftoni plakjen?
Mendoj se gjithnjë ka klishe: “mosha, thjesht numër” dhe varet nga mënyra sesi ndihesh dhe çfarë bën. Në rastin e brezit tim – ose të paktën, për mua – u desh shumë kohë që të ndihesha e moshuar. Gjithmonë jam ndier dhjetë vjet më e madhe se të tjerët, pasi u martova shumë herët. Linda fëmijën e parë, kur isha 24-vjeçe dhe m’u desh kohë e gjatë që të merrja doktoraturën. Jam natyrë e hapur dhe më jep shumë energji kontakti me njerëzit. Ndihem më mirë, kur merrem me punë! Por, më është dashur shumë kohë që të gjej zërin e brendshëm dhe pikërisht tani, nuk kam ndërmend të hesht.
Në libër, ju shruani mbi atë që keni mësuar prej të rinjve. Cila është ajo?
Unë jap mësim në Universitetin e Xhorxhtaunit dhe shkoj edhe në shumë shkolla të tjera. Dhe ajo që kam mësuar, është se ata janë shumë më tepër të angazhuar në eksplorimin e mundësive dhe të bërit dallimin nga të tjerët, nga sa ishin shumë nga ne, kur ishim më të rinj. Nuk po e teproj. Mendoj se të rinjtë e sotëm, janë vërtet më të motivuar. Ata nuk duan të ulin kokën dhe të pranojnë gjërat që u thuhen. Por, debatojnë! Unë gëzohem kur studentët në klasën time i sfidojnë argumentet pozitive, pasi atëherë mund të kemi një diskutim. Kjo ndodh pasi unë jap mësim marrëdhëniet ndërkombëtare. Por kam kaq shumë studentë që flasin më shumë se një gjuhë; shumë janë studentë të huaj ose të gjeneratës së parë të emigrantëve dhe shumë prej tyre, kanë udhëtuar nëpër botë. Ata nuk janë aspak të heshtur.
Duhet të jetë interesante, të shohësh njerëzit teksa përpiqen të gjejnë zërin e brendshëm…
Unë i nxis që ta bëjnë këtë. Por njëkohësisht, dua që të dinë të respektojnë idetë e të tjerëve. Unë i vlerësoj diskutimet dhe mendoj se mund të mësosh shumë edhe nga njerëzit që nuk bien dakord me ty.
Në fakt, këto kohë na mungon shumë diskutimi qytetar. Ju keni një karrierë të gjatë, me njerëz me të cilët, nuk binit dakord. Si mund t’i bësh njerëzit që ke përballë, të ndjejnë se po u dëgjohet zëri?
Mendoj se shumë nga këto aftësi, vijnë nga të jetuarit në shumë vende të ndryshme dhe përpjekja për të kuptuar kulturën ose historinë e një vendi. Sapo jam rikthyer nga Londra dhe aty qëndrova në disa blloqe larg, nga lagja ku jetuam si familje, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pastaj, mora pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Atje kishte shumë njerëz nga Ballkani dhe kalova shumë kohë mbi problemet që ekzistojnë atje. Në thelb, jeta ime e dikurshme, më zgjoi dëshirën për të dëgjuar njerëzit e tjerë. Që të jesh një diplomate e mirë, duhet ta vësh veten në vendin e të tjerëve. Pjesa më e vështirë, është kur ndodhesh në një dhomë me disa njerëz, që janë aq të prirur të të imponojnë mendimin e tyre, saqë nuk u japin të tjerëve asnjë mundësi për të shtjelluar argumentet e tyre. Në raste të tilla, u kam thënë pak a shumë kështu: “Kam bërë një rrugë të gjatë deri këtu dhe që të jem e sinqertë, ju duhet të dëgjoni edhe atë që dëshiron të thotë tjetri”. Nuk ka asnjë mënyrë për të zhvilluar një bisedë të dobishme, nëse të gjithë, thjesht përsëritin të njëjtat gjëra dhe nuk duan të dëgjojnë ato që thonë të tjerët. Ne kemi këtë thënie: ”shih, pa fol”, do të shtoj këtu edhe “bëj, pa fol”. Një nga detyrat e mia, ishte të respektoja pikëpamjet e njerëzve të tjerë dhe të përpiqesha të kuptoja atë që ata thoshin. Mendoj se të qenit të hapur dhe kuriozë ndaj njerëzve, mund të sjellë shumë telashe. Dhe ne po jetojmë në një kohë kur lajmet, presidenti dhe politika amerikane, po i bën të gjithë të ndihen sikur janë më të ndarë se kurrë.
A mendoni se jemi më pranë, apo më larg njëri-tjetrit?
Që të dyja janë të vërteta. Ka anë pozitive, por edhe negative në dy megatendencat. Njëra është globalizimi. Sot ne udhëtojmë dhe shohim më shumë sesa dikur, por kjo mund të çojë edhe në një lloj të caktuar pafuqishmërie. Unë mendoj se të gjithë duam të dimë, se kush jemi. E keqja është kur identiteti im e urren identitetin tënd, duke thënë:”Dua të rri vetëm me njerëzit e mi!”. Prirja tjetër e madhe është teknologjia, që është shumë e ndërlikuar. Mendja më shkon te një fermere në Kenia, për shembull, që tashmë nuk ka më nevojë të ecë shumë kilometra për të paguar faturat. Ajo mund ta bëjë këtë përmes telefonit dhe kësisoj, ka më shumë kohë për familjen, për t’u arsimuar, apo për të hapur një biznes. Ky është një hap i madh përpara. Ana negative është se të gjithë e marrin informacionin në mënyrën e tyre. Ata nuk e dinë se ku e marrin dhe nuk e dinë gjithashtu, nëse ai është i vërtetë apo jo. Ndërkohë, ekzistojnë dallime të mëdha bazuar në perceptimin e fakteve. Pra, është një periudhë shumë e komplikuar, në SHBA dhe në botë. Kur përpiqem të jem shumë e drejtpërdrejtë, po them: “Bota është rrëmujë” – ky është termi më diplomatik.
Ka një boshllëk të madh në udhëheqje, një gjuhë tejet polemizuese dhe një qeverisje bazuar shumë mbi frikën. Është e vështirë të dëshpërohesh dhe siç e dimë të gjithë, dëshpërimi mund të të paralizojë. Ju keni kaluar shumë administrata të ndryshme. Çfarë ju mban të motivuar dhe të angazhuar?
Unë e dua punën dhe veprimin. Mendoj se talenti im më i madh është lidhja e hallkave, pra diçka të çon në një tjetër. Pasioni im është një demokraci, në shkallë të gjerë. Besoj se ne njerëzit, jemi të gjithë njëlloj dhe duam të jemi në gjendje të marrim vendime për veten. Një nga gjërat që dimë, është se zhvillimi ekonomik dhe politik ecin paralel. Demokracia duhet të japë frytet e veta, pasi njerëzit duan të votojnë, por edhe të hanë. Pra, duhet të ekzistojë një mënyrë për të kuptuar sesi, ato gjëra shkojnë së bashku dhe si të përfshihet më shumë sektori privat në gjetjen e zgjidhjeve, për disa nga problemet e tmerrshme që kemi sot.
Ju keni tri vajza…
Po. Dhe gjashtë nipër e mbesa!
Çfarë u ke mësuar, teksa vajzat rriteshin?
Kur ato po rriteshin, shumë gra më bënë të ndihesha fajtore. Kjo është pjesë e “vendit të veçantë në Ferr”, pasi ne gratë jemi shumë gjykuese ndaj njëra-tjetrës. Ndaj u nervozova nëse isha apo jo, nënë e mirë. Por, ajo që më thonë tani vajzat e mia, është se u kam futur në gjak dëshirën për të punuar shumë dhe për të ndihmuar të tjerët. Sot njëra prej tyre është gjyqtare, e dyta drejton një program ndërkombëtar për arsimimin e të rinjve, ndërsa e treta drejton një organizatë për parandalimin e abuzimit me fëmijët. Kështu, kanë bërë secila atë që i kam këshilluar.
Duhet të jeni kaq krenare! Ëndrra e çdo nëne, është të shohë fëmijët që gjejnë dhe bëjnë atë që kanë pasion vërtet…
Vajzat i pyes herë pas here, nëse kam qenë nënë e keqe, por ato më thonë: Pa dyshim që jo! E prapë habitem. Mendoj se emri i mesëm i çdo gruaje, është “Fajtore”.