Derbi shqiptarësh në Serie A, Marash Kumbulla mund Berat Gjimshitin. Dy mbrojtësit e Kombëtares shqiptare ishin sot përballë njëri-tjetrit, me Romën që fitoi 1-0 ndaj Atalantës dhe ëndërron për një vend në Champions.
Ndeshja nisi shumë mirë për kryeqytetasit, të cilët krijuan shumë raste në minutat e para të takimit, por duhet të vinte minuta e 32’, që Tammy Abraham të shënonte për të kaluar vendasit në avantazh.
Ekipi i drejtuar nga Gasperini nuk arriti të reagonte dhe goditjet që vinin drejt Rui Patricios ishin të lehta për portierin portugez. Gjatë minutave të mbetura rezultati nuk ndryshoi dhe Roma arriti kështu fitoren e dytë radhazi duke u ngjitur në vendin e 5-të në renditje dhe ul Atalantën në të 6-in.
Në këtë sfidë ishte titullar mbrojtësi shqiptar Marash Kumbulla, i cili bëri një performancë shumë të mirë, duke mos i lënë kundërshtarët të avanconin. Në krahun tjetër, Berat Gjimshiti u aktivizua vetëm tetë minutat e fundit, pa mundur të bënte ndonjë ndryshim për skuadrën e tij në rezultat.