Ministria e Shëndetësisë njofton se do të nisë projekti në Spitalin Infektiv, ndërsa shton se do të merren masat për riorganizimin e shërbimit në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Në njoftimin e ministrisë thuhet se QSUT ka marrë të gjitha masat për organizimin e ri të shërbimit infektiv, në mënyrë që të garantohet plotësisht shërbimi për trajtimin e pacientëve. Gjithashtu në njoftim bëhet e ditur, se nga 23 marsi, urgjencat COVID do të priten në strukturën e ish-urgjencës kirurgjikale në QSUT.
Njoftimi i MSH:
Në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve në sistemin spitalor dhe veçanërisht në përgjigjje të fuqizimit të kapaciteteve për shërbimet spitalore për sëmundjet infektive dhe Planin e Masave 2021-2022 për përgjigjien ndaj pandemisë Covid-19, pritet të nisë projekti i rehabilitimit dhe zgjerimit të kapaciteteve të Spitalit Infektiv në QSUT.
Spitali Covid 1 ka mbajtur peshën më të madhe të trajtimit të rasteve të pacientëve me infeksionin Sars-Cov2 gjatë pandemisë Covid-19 dhe me zbatimin e këtij projekti do të filloje puna për rehabilitimin me standardet më të mira, për të garantuar një shërbim sa më cilësor për qytetarët.
QSUT ka marrë të gjitha masat për organizimin e ri të shërbimit infektiv, në mënyrë që të garantohet plotësisht shërbimi për trajtimin e pacientëve me Covid-19 në strukturën spitalore Covid3.
Informojmë se, duke filluar nga dita e mërkurë, datë 23 Mars, të gjitha urgjencat e Covid-19 do të priten në strukturën ish-urgjencës kirurgjikale në QSUT, e cila tashmë është vendosur në funksion të plotë të urgjencave Covid.
Sa i takon trajtimit të pacientëve me Covid-19, shërbimi do të ofrohet plotësisht në Spitalin Covid3 në QSUT, ku është organizuar shërbimi me stafet mjekësore, pajisjet dhe barnat e materialet mjekësore të nevojshme si dhe janë marrë të gjitha masat për çdo skenar sipas dinamikës së pandemisë përgjatë zbatimit të këtij projekti.
Rikonstruksioni i plotë i spitalit infektiv, i cili pritet të nisë së shpejti, është një investim i shumë i rëndësishëm për modernizimin e këtij shërbimi dhe kthimin e Spitalit Infektiv në një qendër reference për të gjithë vendin.