Hetimet e rastësishme për të zbuluar shkakun e ngordhjes së qindramijëra pulave në Durrës zbuluan rastësisht prezencën e gripit të shpendëve H5N8.
Është ministrja e Shëndetësisë që e pohon këtë fakt, ndonëse me vonesë përmes një njoftimi për shtyp, ku apelon qytetarët për kujdes shtesë në gatimin e shpendëve dhe vezëve.
ZBULIMI
U deshën së paku dy javë, ngordhja e 200 mijë pulave në dy nga qendrat më të mëdha ku prodhohen vezë që furnizojnë gjithë vendin dhe një kontroll krejt i rastësishëm (jo rutinë) që të merret vesh se në Shqipëri ekziston grip shpendësh. “Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njofton se konfirmohet rasti i parë i Influencës Aviare i tipit H5N8 në një stabiliment në Durrës që mbarështon shpendë. Gjurmimi i sëmundjes nga autoritetet ligjzbatuese ka nisur me një hetim të thelluar epidemiologjik menjëherë sapo Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural ka marrë sinjalizimin e parë për ngordhje të pulave. një kampion i marrë sot (dy ditë më parë), datë 19 mars 2022, analizuar nga laboratori i referencës së Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ka rezultuar pas analizimit me metodën molekulare të avancuar RT-PCR, me praninë e influencës aviare, H5N8”, citohet në njoftimin e vonuar të Ministrisë së Bujqësisë, siç kuptohet lehtësisht nga deklarata, në të cilën këmbëngulet fort që kemi të bëjmë me vetëm një rast dhe të izoluar.
“Janë marrë të gjitha masat për kufizimin e përhapjes së kësaj sëmundje duke përcaktuar perimetrin e zonës, nga e cila ndalohet lëvizja e shpendëve, produkteve dhe nënprodukteve të tyre. Është ngritur pranë Ministrisë, Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Situatës, si dhe është vendosur në zbatim plani i masave mbrojtëse kufizuese në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve”, nënvizohet në njoftimin ku u bëhet thirrje fermave që në rast problematikash të njoftojnë në numrin jeshil tek Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë.
SIGURIA USHQIMORE
Ndonëse thuhet në vija të trasha se “nuk ka prova epidemiologjike që H5N8 nuk transmetohet te njerëzit përmes ushqimit”, pra, shpendëve e vezëve, Ministria e Bujqësisë u bën thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes në mishin dhe vezët që konsumojnë. “Sugjerohet që ushqimet e mishit të shpendëve të llojit pulë të gatuhen në temperatura mbi 70°C dhe vezët po ashtu të jenë të mirëgatuara. Gatimi i plotë i mishit dhe vezëve siguron pamundësinë e virusit për prani në produkte të papërpunuara që hyjnë në zinxhirin ushqimor. Virusi është i ndjeshëm ndaj nxehtësisë dhe dezinfektuesve po ashtu, prandaj praktikat e mira higjienike (dezinfektimi i sipërfaqeve) dhe higjiena personale (larja e duarve) ndihmon në kontrollin e rrezikut”. Apeli i radhës shkon për mishin e shpendëve që blihet. Sipas MB, duhet me patjetër të ketë certifikatë veterinare. Çdo rast i kundërt i tregtimit të tyre pa asnjë kusht sigurie a magazinimi, duhet të denoncohet. Ministria e sheh të nevojshme të nënvizojë se ushqimet me origjinë shpendore në treg janë brenda standardeve dhe të verifikuara nga inspektorët.