MENU
klinika

Tenis

Nadal bie në finale, Djokovic rimerr kreun pa luajtur

21.03.2022 - 16:13

Tenisti 24-vjeçar amerikan Taylor Fritz është fituesi i turneut Masters të Indian Wells, pas fitores 2-0 (6-3, 7-6) në finale ndaj spanjollit Rafael Nadal. Kjo është hera e parë në karrierë që Fritz fiton një turne Masters dhe nga dita e sotme është ngjitur në vendin e tetë të renditjes botërore.

Ai përfitoi nga një problem në gjoks që kishte Nadal, që pësoi humbjen e parë këtë vit, duke u ndalur pas 20 vitoresh radhazi. Spanjolli ishte shumë pranë fitores së turneut të katërt sezonal, por u dorëzua në finale.

Gjithsesi, për Nadal vjen një ngushëllim tjetër, që nga sot do të jetë numri 3 në botë. Nga ana e tij, Taylor Fritz nuk e kishte besuar kurrë se do të arrinte në një triumf të tillë, duke shpërthyer në lot. Për herë të parë pas 21 vitesh këtë turne e fiton një tenist amerikan.

Tenisti serb Novak Djokovic ka rimarrë kreun e renditjes botërore për meshkuj pas ndeshjeve të luajtura javës së kaluar. Edhe pse nuk luan, Djokovic përfitoi nga zhgënjimi i rusit Daniil Medvedev në turneun e Indian Wells, duke e parakaluar në renditje dhe tashmë udhëheq me 20 pikë më shumë se rusi.