Dy analistët Mentor Nazarko dhe Artur Zheji kanë komentuar në studion e emisionit “Pikat mbi i” në News24 dhe deklaratën e Berishës për Skavicën, një investim amerikan.
Nazarko tha se është një sfidë e Berishës ndaj SHBA-ve dhe një gabim i madh sipas tij që t’i kundërvihesh një projekti me rëndësi strategjike.
Po kështu, Zheji e cilësoi një gafë dhe tha se shpreson që të ngelet tek këshillat e gabuara, dhe jo tek një vullnet politik i doktorit për të ndalur projektet amerikane në Shqipëri.
Nazarko: Ndërkohë që për Dibrën, insistoj që futja në sloganet e kandidatit Premtim Kryemadhi që nuk do lejojë ndërtimin e Skavicës futet në sfidat e Berishës ndaj SHBA-ve, duke e ditur që ky është një projekt amerikan. Për Skavicën nuk ka vetëm një variant, ka disa, me një përmbytje minimale, maksimale, ka variante që nga koha e Enver Hoxhës, variant kinez. Për mendimin tim t’i kundërvihesh një projekti me rëndësi strategjike siç është ai i Skavicës është një gabim i madh, pro zoti Berisha ka shpeshherë kauza të caktuara si këto që janë të zëshme ndërkombëtarisht që zgjedh t’i përdore lehtësisht dhe përkohësisht.
Zheji: Nuk e di se cili është qëllimi, por mendoj se kush e ka këshilluar e ka këshilluar gabim. Është një gafë, madje jo vetëm e rangut kombëtar, por edhe gjeopolitike. Jo më larg se dje Macron, që shpalli kandidaturën, hodhi një tezë tjetër që ne duhet të jemi të pavarur nga ana energjetike, të mos varemi nga gazi rus. Çfarë ndodh? Sot që ne flasim, Franca, Gjermania, Italia nëse e bëjnë realitet deklaratën e parë bombastike që thanë se do ndërprisnin furnizimet me gazin rus, do të fikeshin, do të ngrinin nga i ftohti. ndërkohë që Skavica, është një nga kryeveprat e pavarësisë sonë energjetike nga gjithçka tjetër. Dihet që ajo do jetë HEC-i më i fuqishëm i Ballkanit. Zhduken përmbytjet e Shkodrës, Bunës. Edhe për jetën urbane, ka mjaft të mira të rreshtuara. Pa diskutim do ketë shumë zona të përmbytura nën ujë, por nga ana gjeopolitike mendoj, dhe Macron tha do hapim centralet atomike, ndërkohë që Merkel i ka mbyllur dhe gjermanët janë të shtangur, me këtë shpërthim putinian nga Rusia, me mbylljen e gazsjellësit Nord Stream, kurse ne tani, në kulmin e kësaj situate, dikush e këshillon doktorin, ndoshta gabim, thuaj dhe këtë. Shpresojmë të ngelet tek këshillat e gabuar, dhe jo tek një vullnet politik i doktorit për të ndalur projektet amerikane në Shqipëri.
Nazarko: Derisa e dëgjoja zotin Berisha në Dibër, mendoja që ishte thjesht një ngacmim që vlente për ambasadoren amerikane, por ku e kam parë në sloganet e kandidatit, mu duk një sfidë e madhe, jo thjesht e z. Berisha. Z. Berisha pretendon se përfaqëson PD-në reale. Ajo që është shqetësuese është që kundërvënia ndaj Skavicës është kundërvënia ndaj vizionit amerikan për energjinë në Shqipëri. Ky riaktivizim i amerikanëve në Shqipëri nëpërmjet Skavicës, që mund të realizohet nga Bechtel dhe nëpërmjet modifikimit të TEC-it të Vlorës, shndërrimit me gaz të lëngshëm është pjesë e vizionit amerikan për diversifikimin e burimeve të energjisë në rajon dhe Europë. Në momentin që është shndërruar jo thjesht në retorikë të z. Berisha, por edhe grupit politik që ai përfaqëson, kjo gjë bëhet dhe më e dëmshme akoma, sepse nënkupton se do të mobilizojë në përputhje me këtë tezë një pjesë të opinionit publik, ose banorëve për ta kundërshtuar atë.