Teksa Rusia po tregohet e ashpër në luftën e saj në Ukrainë duke vrarë civilë dhe duke shkaktuar krizë masive refugjatësh, SHBA ka vendosur se do të ndalojë importin e karburantit rus.
Vendimi pritet të shpallet nga vetë presidenti amerikan Joe Biden. Kritikët kanë vlerësuar se kjo do të ishte mënyra më e mirë dhe ndoshta e vetmja për ta detyruar Moskën të tërhiqet.
Sipas Associated Press një embargo e plotë do të ishte më efektive nëse do të përfshinte aleatët europianë, të cilët janë gjithashtu të fokusuar për të ndaluar dhunën në Ukrainë dhe rrezikun që Moska paraqet për kontinentin. Megjithatë, nuk është e qartë se Europa do të merrte pjesë në një embargo totale ndaj Rusisë.
Ndryshe nga SHBA, Europa është e varur nga energjia që importon nga Rusia. Nëse SHBA-të mund ta zëvendësojnë sasinë e karburantit që merr nga Moska, Europa nuk mundet. Të paktën jo në një kohë të afërt.
Për më tepër çdo frenim i eksporteve ruse të naftës do të rriste çmimet akoma më shumë të naftës dhe benzinës në të dy kontinentet dhe do të ndikonte te konsumatorët, bizneset, tregjet financiare e deri te ekonomia globale.
Çfarë ndodh nëse SHBA vepron vetëm ndaj Rusisë
Nëse SHBA vepron e vetme me ndalimin e importeve të naftës ruse dhe produkteve të tjera ndikimi në Moskë ka të ngjarë të jetë minimal shkruan Associated Press. SHBA importojnë një pjesë të vogël të naftës ruse.
Shtetet e Bashkuara importojnë rreth 100,000 fuçi në ditë nga Rusia, vetëm rreth 5% e eksporteve të naftës së papërpunuar të Rusisë, sipas Rystad Energy. Vitin e kaluar, afërsisht 8% e importeve amerikane të naftës dhe produkteve të naftës erdhi nga Rusia.
SHBA mund të zëvendësojë naftën ruse me importe nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga ana e saj, Rusia mund të gjejë blerës alternativë për atë karburant, ndoshta në Kinë ose Indi.
Si mund të ndikojë kjo në çmimet e naftës
Ekspertët thonë se çmimet mund të shkojnë deri në 160-200 dollarë për fuçi për naftën bruto nëse sanksionet vendosen nga Perëndimi ose nëse blerësit vazhdojnë t’i shmangen naftës së papërpunuar ruse për të shpëtuar nga sanksionet.