Ministria e Financave parashikon në strategjinë afatmesme të të ardhurave 2022-2026, që do të aplikohet futja e skemës së TVSH-së në shitjen e parë të banesave të reja rezidenciale.
“Ligji aktual e ka përjashtuar aplikimin e TVSH-së për shitjen e banesave. TVSH-ja aplikohet për procesin e ndërtimit të tyre nga subjektet ndërtuese, ndërkohë që shitja prej ndërtuesve është furnizim i përjashtuar. Trajtimi si furnizim i përjashtuar ka pasur parasysh përballimin e çmimeve të shitjes së apartamenteve nga publiku, pasi aplikimi i TVSH-së do i rriste çmimin e shitjes. Kjo politikë është ndjekur nga viti 1996 e në vijim”, thuhet në strategjinë afatmesme të të ardhurave të Ministrisë së Financave.
Strategjia afatmesme e të ardhurave 2022-2026 është hartuar mbi bazën e rekomandimeve nga FMN dhe do të konsultohet me grupet e biznesit.
Ndërtuesit: Futja e TVSH-së do të reflektohet në rritjen e çmimeve të apartamenteve
Arben Dervishi, sekretari i Shoqatës të Ndërtuesve tha se futja e skemës së TVSH-së në shitjen e parë të banesave të reja rezidenciale do të rrisë kostot e ndërtimit, për rrjedhojë edhe shtrenjtimin e çmimeve.
“Shoqata e Ndërtuesve nuk është konsultuar ende për këto ndryshime, por vendosja e TVSH-së te shitja e apartamenteve është kundërshtuar edhe në të kaluarën, pasi rrit kostot e ndërtimit. Në përfundim të objektit kostoja e shtuar e ndërtimit do të paguhet nga blerësi. Ndërtuesit janë të ngarkuar me shumë taksa. Për zhvillimin e një ndërtimi fillimisht paguhet 1% të çmimit kur kryen aplikimin e lejes, 8% në momentin e marrjes të lejes, 3% taksë për të pastrehët, si dhe 40-45% arrijnë pagesat e truallit. Në disa raste pagesat për pronarin e tokës (kur është i vetëm) arrijnë edhe 50 deri 60%. Nëse do të shtohet edhe TVSh-ja në shitjen e apartamenteve do të këtë rritje të lartë të kostove.
Përveç taksave ndërtuesit janë të prekur edhe nga rritja e çmimeve të lëndëve të para që ende nuk ka filluar të ndihet i plotë. Çmimi i hekurit pas krizës me Ukrainën u rrit mbi 900 USD/ton. Rritja e kostove do të rrisë çmimet e apartamenteve. Ndërtuesit mund t’i çojnë çmimit e shitjes 5,000 apo deri 10,000 euro/m2 si në Romë, por tregu nuk arrin t’i absorbojë. Vendosja e TVSh-së jo vetëm që do të ulte shitjet, por edhe peshën e sektorit të ndërtimit të PBB-së”, pohon z. Dervishi.
Nëntorin e 2021 çmimet e apartamenteve të reja brenda vijës të verdhë të ndërtimit u rritën 10% krahasuar me 2020. Në zonat, si: Ish blloku, Myslym Shyri, rruga “Bardhyl” rritja e çmimeve varionte nga 15 deri 20%. Brenda unazës, sipas agjencive imobilare apartamentet e reja nuk ofronin çmime më të ulëta se 1500 euro/m2, ndërsa te periferitë si “Porcelani” apo “Ali Demi”, nuk u shiten më shtëpi banimi me çmime nën 900 euro/m2. Vitin e kaluar sipas ndërtuesve u shtua kërkesa për blerje në fazën e hershme të ndërtimit në objekte me çmime të larta deri në 4,000 euro për metër katror, kryesisht kullat. Në të gjitha kullat që po ngrihen në kryeqytet, apartamentet po shiten me çmime nga 3,000 deri në 4,000 euro për metër katror.
Debati i hershëm
TVSH në shitjen e banesave të reja është synuar edhe me herët që në fillim të viteve 2000, por ndikimi që do të kishte të çmimet e banesave e ka penguar qeveritë të aplikojnë.
Në vitin 2006, kur diskutohej futja e TVSH-së në ndërtim, Shoqata e ndërtuesve shqiptarë shprehu kundërshtimin për vendosjen e TVSH-së në shitjen e ndërtimeve. I vetmi kompromis i arsyeshëm për ndërtuesit do të ishte trajtimi i diferencuar i TVSH-së për këtë sektor, me një nivel jo më të lartë se 5%. Në këtë pikë, ata i referohen përvojës së vendeve të tjera të rajonit.
Sërish ishte FMN ajo që rekomandoi futjen e skemës së TVSH-së në shitjen e parë të banesave të reja rezidenciale. FMN tha në atë kohë se përjashtimi i të gjitha shitjeve të ndërtesave nga TVSH-ja, duke përfshirë edhe ato të rejat, është shumë i pazakontë.
Ekspertët në atë kohë thanë se vendosja e TVSH-së në shitjen e ndërtimeve nuk është vetëm një problem i ndërlikuar për qeverinë, bizneset dhe blerësit potencialë; kjo masë paraqet edhe vështirësi serioze teknike në zbatim./Monitor