Qeveria ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike në 3.5 për qind përgjatë këtij viti.
Ndërkohë si pasojë e krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve, është vënë dorë në buxhet duke alokuar një fond shtesë në vlerën e 26 miliardë lekëve ose rreth 260 milionë dollarë, të cilat do të shkojnë për kompensimin e dritave dhe paketën e rezistencës sociale.
“Ky rishikim i buxhetit 2022 ka si synim kryesor akordimin e mbështetjes buxhetore për shtesën për sektorin e energjisë, në shumën 20 miliardë lekë duke çuar këtë shumë në 28 miliardë lekë për vitin 2022, si dhe financimin e një pakete ndihme për konsumatorët për të përballuar pasojat e rritjes së çmimeve të konsumit, e quajtur paketa e rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës, me kosto 6 miliardë lekë. Efektet e përballimit të krizës energjetike dhe atë të rritjes se çmimeve të mallrave të konsumit kemi propozuar t’i përballojmë nëpërmjet dy instrumenteve, rialokimit të shpenzimeve buxhetore dhe rritjes së të ardhurave”, tha ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, gjatë diskutimit të Aktit Normativ dje në Komisionin e Ekonomisë. Të ardhurat sipas ministres parashikohet që të rriten me 10 miliardë lekë, kjo si pasojë e rritjes së tatimit mbi vlerën e shtuar me 7 miliardë lekë dhe akciza ndikuar nga rritja e çmimit të mallrave.
Në të njëjtën kohë, janë shkurtuar edhe shpenzimet buxhetore në masën 16 miliardë lekë, nga të cilat rreth 6 miliardë lekë në shpenzimet korente dhe rreth 10 miliardë lekë në shpenzimet kapitale. Ibrahimaj vuri në dukje se janë prekur shpenzimet jo prioritare, shpenzimet administrative dhe shpenzimet të vlerësuara që mund të shtyhen në vitet në vijim.
MBËSHTETJA FINANCIARE
Rritja e fondit për sektorin energjikë do të shërbejë si garanci për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë.
Po ashtu, familjet në nevojë si edhe pensionistët do të vijojnë të rimbursohen duke përfituar 648 lekë shtesë në muaj. Ndërkohë, janë edhe 6 miliardë lekë ose rreth 60 milionë dollarë, të cilat do të shkojnë për paketën e rezistencës sociale. Si ndihmë e drejtpërdrejtë për kategoritë në nevojë është kompensimi në vlerën e 3 mijë lekëve do të ofrohet për tre muaj. Thënë kështu janë 9 mijë lekë që të moshuarit do të marrin gjithsej për periudhën prill, maj dhe qershor.
“Përfitojnë shtresat me vulnerable të shoqërisë si: pensionistët më të ardhura të ulëta, pensionistët e vetmuar, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, familjet në ndihmë ekonomike etj. Gjithashtu, kjo paketë ndihmon sektorin e transportit publik dhe atë të mekanikës në bujqësi, për shkak të rritjes së çmimit të naftës në nivele tepër të larta e të papërballueshme”, tha Ibrahimaj, e cila paralajmëroi rishikim të buxhetit pa përjashtuar koncesionet, nëse situata vijon të përkeqësohet.
“Ne do ndjekim ditë pas dite situatën dhe do propozojmë masa konkrete, ndryshime legjislative dhe administrative”, tha ministrja e Financave.
PAKETA E REZISTENCËS SOCIALE
Fondi 3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve;
Kompensim për rritjen e çmimit të shportës me 3 mijë lekë në muaj për 3 muaj rresht, ku do të përfitojnë 576 mijë qytetarë. Nga kjo masë përfitojnë pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, (në kuptimin individualisht apo në çift) si dhe persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike;
Fond 1.45 miliardë lekë mbështetje për fermerët me naftë pa taksa; Fond 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit, qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit e qoftë kur hipën në një autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin;
Nga muaji prill, do të zerohet taksa për pagat deri në 40 mijë lekë, do të përgjysmohet taksa mbi pagat deri në 50 mijë lekë dhe do të ulet taksa mbi pagat nga 150-200 mijë lekë;
Në prill do të rritet edhe paga minimale nga 30 mijë lekë do të bëhet 32 mijë lekë;
Paketa e Rezistencës Sociale, parashikon 28 miliardë lekë për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike në faturat e familjarëve dhe bizneseve të vogla.