MENU
klinika

Art, për të mbajtur gjallë shpirtin

Në pension! Kjo 71-vjeçare, madje ka nisur karrierën…

30.03.2022 - 12:00

         “Quhem Chen Shaoqin dhe jam 71 vjeçe. Para se të vija këtu, isha një shtëpiake që çdo mëngjes merrej me punët e shtëpisë, ndërsa tani kam kënaqësinë të punoj vullnetarisht në muze,” – thotë Chen, ndërsa i prezantohet një vizitori në Qendrën e Artit Bashkohor “Ullens” (UCCA), që ndodhet në Zonën Artistike 798 të Pekinit.

Shpesh herë, grupet e vizitorëve e kanë pyetur, në shpjegim e sipër, nëse është profesoreshë e historisë së artit në pension. Pavarësisht se ka vetëm diplomën e shkollës së mesme dhe ka pasur pak njohuri për artin, Chen është ndër ciceronët më popullorë sot në UCCA, pjesa dërrmuese e të cilëve, akademikë.

“Punët e përditshme janë për të mbijetuar, ndërsa arti pasqyron jetën time shpirtërore,” – i tha ajo CGTN-it.

Asnjëherë nuk është vonë

“Në fakt, më mungojnë shumë kualifikime. Nuk kam arsimim, diploma, pamjen e jashtme, as aftësinë e të folurit të gjuhës standarde kineze,” – thotë ajo. “Megjithatë, këto vepra arti kaq të bukura, më kanë shfaqur një botë të ndryshme. Ka aq shumë bukuri të papërshkrueshme në të”.

Për Chen-in, burimi më i madh i frymëzimit janë artistët kinezë, që patën sukses vonë në jetë. “Nga arritjet e tyre, mësova se nuk është kurrë vonë, për të filluar një karrierë të re,” – shprehet ajo.

Në vitin 2008, Chen u shpërngul në Pekin, nga Xiamen-i në Kinën Jugperëndimore, për t’u kujdesur për mbesën. Çdo pasdite, pasi merrte vajzën dyvjeçare nga kopshti, Chen bënte shëtitje në Zonën e Artit 798, një ish-fabrikë e kthyer në hapësirë krijuese moderne, tanimë një nga zonave më të populluara të Pekinit.

“Ky qe kontakti im i parë, me artin” – rrëfen e moshuara.

Para se të vinte në Pekin, gjithë ç’dinte për artin e kishte mësuar nga dokumentarët. Në vitin 2010, nga tre dinozaurët e kuq para ndërtesës që i tërhoqën vëmenjen, ajo hyri në UCCA dhe pagoi 500 juanë (afro 72.82 $) për anëtarësimin, pasi lexoi manualin.

Gjashtë vjet më vonë, asokohe 67-vjeçare, mori ftesën për të qenë cicerone dhe këtu nisi udhëtimi i saj i ri, në botën e artit.

Chen-i ishte një nga shpjeguesit në nëntorin e kaluar, kur një ekspozitë me titull: “Maurizio Cattelan: Gjykimi i Fundit” u zhvillua në UCCA.

“Asgjë nuk e tremb artistin e diskutueshëm italian Maurizio Cattelan, që ndërhyn dhe tallet me botën e artit, si një i huaj. Duke qenë një artist bashkohor autodidakt, Cattelan e ka frymëzuar vazhdimisht artin nëpërmjet maksimizimit të potencialit të tij energjik,” – rrëfen Chen.

Gjatë katër vjetëve të fundit, të moshuarës i është dashur të vijë në UCCA, 30 minuta përpara çdo turi, me një listë dygjuhëshe me fjalët përkatëse në kinezishte dhe anglishte. Krahas informacioneve mbi ekspozitën, ajo ka gjithashtu shpjegime dhe analogji të zgjeruara nga leximi i përditshëm. “Dua të shtoj risi dhe informacione përkatëse në dosje, nga mësimet dhe mendimet e mia të përditshme,” – shprehet Chen-i.

Nëpërmjet një literature të pasur mbi jetën dhe idetë e artistëve, ajo është gjithmonë e gatshme për diçka të re: 71-vjeçarja, ndoshta është ciceronia më e vjetër, me mbi 3 mijë orë përvojë, por stili i saj energjik dhe lirik ka tërhequr shumë shikues.

“Arti më ka zgjuar këndvështrime të reja mbi botën, duke më njohur me një numër të madh perceptimesh, idesh e njohurish të ndryshme,” – thotë ajo.

Një udhëtim për të zbuluar veten

Për Chen-in, bërja cicerone është një udhëtim vetëzbulimi, sepse historitë e artistëve shpesh rezonojnë thellësisht me të.

“Në Kinë, mosha mesatare e jetëgjatësisë për gratë, është rreth 80 vjeçe. Kështu, të moshuarit si unë, që dalin në pension, zakonisht në moshën 55 – 60-vjeçare, pse të mos e ruajnë gjallërinë e shpirtit? Jam ende e re,” – thekson ajo.

“Ndryshe nga vullnetarët e rinj, që duhet të shkollohen ose të punojnë, unë mund të përqendrohem vetëm në punën si cicërone,” – shton e moshuara.

Jeta në Pekin, për të ka qenë sfiduese. Me pension prej 4 mijë juanësh (630 $) dhe të ardhurat nga një punë me kohë të pjesshme, më pak se 2 mijë juanë (315$), për të përballuar qiranë e një apartamenti të vogël afër zonës 798, pasi u shpërngul nga apartamenti me 3 dhoma gjumi i familjes së të birit, për shkak të mosmarrëveshjeve familjare.

“Për sa kohë që kemi dashuri dhe guxim për kërkim, jemi ende të reja,” – thotë ajo.

Tashmë në vitin e katërt në UCCA, Chen-i e ka treguar aftësitë si cicerone. Tani ajo shpjegon paraekspozitat për ankande dhe në transmetimet e drejtpërdrejta në “Art-pro”, një aplikacion kinez në celular, për shitjen e veprave të artit, që asaj i mundëson një pagesë prej 3 mijë juanësh për çdo transmetim.

Së bashku me 40 artistë dhe kuratorë të tjerë, ajo u bë anëtarja e jurisë që zgjodhi 20 artistët me ndikimin më të madh të vitit, në “Hi-art”, një ndër revistat kryesore kineze të artit, në internet.

Mbesa e përkrah me komentet pozitive ose me “pëlqime” në llogarinë e saj në rrjetin social.

“Nëse ke gjëra për të dashuruar dhe kërkuar, kjo të ndihmon të ruash rininë dhe gjallërinë. Çfarëdo që të pëlqen, ngul këmbë dhe jeta do të bëhet e pasur dhe interesante,” – thotë ciceronia 71-vjeçare kineze.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit