MENU
klinika

Çfarë thotë Ministria e Bujqësisë

Nis groposja e pulave të ngordhura në Durrës

22.03.2022 - 12:23

Pulat e ngordhura në Durrës janë groposur një natë më parë në zonën e Xhafzotajt në Shijak.

Panorama.al ka siguruar pamje nga momenti i groposjes së pulave të ngordhura të cilat mbaheshin prej disa ditësh përpara ambienteve të pularive për shkak se institucionet përkatëse nuk kishin arritur dakordësi për vendin ku do të bëhej groposja.

PËRPLASJA

Ngordhjet masive në pulari kanë vënë përballë kompanitë me Ministrinë e Bujqësisë, lidhur me mosgjetjen në kohë të shkakut që çoi në shfarosjen e tyre.

“Ne lajmëruam autoritetet, të cilët dolën në konkluzion se kemi Laringo Tracheite. Që në fillim të këtij procesi duke u konsultuar me specialistët më të mirë në Itali dhe Hungari ne e kundërshtuam prezencën e Laringo Tracheite”, thuhet në njoftimin publik të njërës prej kompanive të prekura. Përpos përballjes me humbjen e pasurisë, kompanitë janë ndeshur edhe me një tjetër problematikë gjatë kësaj kohe, groposjen.

Ata hedhin akuza konkrete ndaj institucioneve se pavarësisht lajmërimit të hershëm ata jo vetëm që nuk kanë reaguar në kohë, por edhe tani kur situata është alarmante, s’ka asnjë veprim konkret. “Ne kemi që prej 4 ditësh që kemi ngordhje pulash dhe situata është kritike. Asnjë nga autoritetet përkatëse nuk ka ardhur të marrë masa për eliminimin e këtyre pulave të ngordhura. Autoriteti vendor, Agjencia e Mjedisit, Shërbimi Veterinar dhe shteti e kanë për detyrë. Është alarmante, sepse ndotja mjedisore është shumë e lartë”, citohet nga kompania.

Vetëm në daljen e djeshme u dha lajmi për gjetjen e vendit, duke e shpjeguar me peripeci që askujt nuk i interesojnë. Lidhur me sigurinë ushqimore, MB-ja nuk ka bërë publike asnjëherë as numrin e pulave të ngordhura apo kompanitë e prekura. Deri tani, mjaftohet me apelin që produktet e tyre, mishi apo vezët të gatuhen mirë përpara se të konsumohen.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN