MENU
klinika

Rexhep Qosja

Një a dy Atdhe i kanë shqiptarët?

31.03.2022 - 16:53

        Kosova, thotë shpesh, pa ia kërkuar kush është Atdheu ynë i vetëm! Dhe këtë mendim e thotë, përpos të tjerash, për të mohuar, cenuar, zhvlerësuar idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Duke e shqiptuar aq përkushtueshëm fjalinë e sipërthënë, ajo e thotë edhe një të pavërtetë: se Shqipëria s’ishte kurrë as Atdheu i të parëve të saj e as i të parëve tanë!

Gabim i dyfishtë.

Fjala At – dhe vjen prej fjalës toka, dheu i babait, i gjyshit, i stërgjyshit. Dhe i të parëve të tjerë.

Prejardhja, domethënia dhe kuptimi i fjalës At – dhe nuk lidhej me shtetin, siç lidhet sot në disa vende, më të vogla, më të reja, a më të mëdha, por lidhet me babanë, me atin, me gjyshin e stërgjyshin.

E Kosova, toka e saj, banorët e saj ishin gjatë, me shekuj, me mija vjet pjesë tokësore, gjeografike dhe demografike, e tërësisë gjeografike dhe etnike ilire, arbërore, shqiptare. Kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk e ka vendosur Zoti, as shqiptarët, por pushtuesi shekullor – Serbia!

Pse e thotë dhe e rithotë tash, pa ia kërkuar kush, se Kosova është i vetmi Atdhe i yni? A nuk është më e drejtë, më e drejtë dhe më e arsyeshme shkencërisht dhe etnikisht dhe historikisht të thuhet sot se Kosova, Kosova e Shqipëria janë Atdheu i ynë, janë dy Atdhetë tanë? Po, po, padyshim: Po.

Ata që thonë se Kosova është i vetmi Atdhe i yni janë, për fat, në numër shumë e shumë më pak sesa ata që e thonë, që e mendojnë dhe që e ndiejnë, se Kosova dhe Shqipëria janë Atdheu ynë. Dhe do të jenë Atdheu ynë, i pëlqeu a nuk i pëlqeu pakicës së papërfillshme, edhe kur gjendet në karrige të përfillshme.

Nuk ka dyshim se edhe për pasardhësit e atyre që thonë sot se Kosova është i vetmi Atdhe i tyre, pashmangshëm do të vijë dita kur do të thonë se Shqipëria e bashkuar me Kosovën, se Kosova e bashkuar me Shqipërinë, është Atdheu i tyre, siç ishte kurdoherë. Mospajtimi me këtë ideal kombëtar domethënë mospajtim me kohezionin shpirtëror, shoqëror, moral e kombëtar të shqiptarëve që është kusht i zhvillimit e i përparimit të tyre.

Të thuash, prandaj, siç thotë ajo se Kosova është i vetmi Atdhe i yni, domethënë të bësh atë që e ndëshkon e përtashmja dhe historia kombëtare: veprim kundër vetvetes!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN