MENU
klinika

"Bombat ranë pranë nesh"

Odiseja e Fonseca-s, si u largua nga Ukraina

01.03.2022 - 14:14

Pas trajnerit italian Roberto De Zerbi, edhe Paulo Fonseca është larguar nga Ukraina. Trajneri portugez, i martuar me ukrainasen Ekaterina, ndodhej në Kiev me familjen e tij kur shpërtheu lufta. Pas një udhëtimi mes Ukrainës, Rumanisë dhe Portugalisë, zbarkoi mbrëmë me gruan e tij në Lisbonë.

Aty iu tregoi gazetarëve situatën e përjetuar në Ukrainë, në kohën e pushtimit ushtarak të Rusisë. “Ne po planifikonim të fluturonim për në Zvicër në orën 10, të enjten. Ishte ora 4 e mëngjesit dhe dëgjuam bombat që binin në Kiev. Ishte koha më e vështirë, na kapi paniku, morëm çantat, dolëm në rrugë.

U përpoqëm të largoheshim nga Kievi në atë kohë, por në rrugën kryesore kishte shumë trafik. Prej aty shkuam në hotelin e presidentit të Shakhtar Donetsk, së bashku me stafin dhe lojtarët e klubit. U ndjemë shumë të frikësuar nga bombat që ranë pranë nesh. Nuk kishim dyshim se lufta kishte filluar”.

Mbi situatën në Ukrainë: “Nuk kam fjalë ta përshkruaj. Ata po vuajnë shumë dhe po luftojnë fort për të mbrojtur atdheun e tyre. Presidenti Volodymyr Zelenskyy është i pari. Kishte një listë të madhe njerëzish që donin të hynin në Ukrainë për të ndihmuar vendin.

Ka shumë figura publike që janë regjistruar për të luftuar. Për këta njerëz do të jetë e vështirë, por besoj se tashmë e kanë fituar këtë luftë. Kemi shumë miq që janë bashkuar dhe po mbrojnë Ukrainën. Miqtë tanë janë mirë për momentin, por jemi shumë të shqetësuar për ta”.

Udhëtimi deri në Portugali: “Ishte një Odise e vështirë, jo aq për atë që po shihnim….Natyrisht pamë kolona ushtarake, ndaluam një ose dy herë dhe dëgjuam sirena, aeroplanë që kalonin. Udhëtimi ishte shumë i gjatë, pothuajse pa ndalesë praktikisht, gjithmonë me ndjenjën e rrezikut. Kjo ishte pjesa më e keqe. Kudo kishte radhë, në zonat e pushimit nuk kishte as ushqim, as benzinë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shënuan të dy kësaj jave

Ukrainasi dhe rusi, në paqe tek Atalanta