MENU
klinika

Adriatik Doci:A do t’i shpëtojnë sërish ndëshkimit?

Oligarkët e miellit sfidojnë për herë të dytë  ‘Konkurrencën’

12.03.2022 - 21:23

Çmimi i bukës u rrit në mënyrë të menjëhershme dhe të dyshimtë me 20-40 lekë ose deri në 50 %, pas luftës në Ukrainë, duke rënduar mijëra familje shqiptare. Nga 80 lekë që ishte, një bukë në Lezhë dhe Tiranë u shit deri në 120 lekë ose rreth 1.2 USD. Disa furrtarë thanë për Report Tv se çmimi i bukës është rritur si pasojë e rritjes së çmimit të miellit nga pikat e shumicës, të cilat janë të ndërvarura nga disa oligarkë që kontrollojnë tregun e miellit në Shqipëri. Dhe në fakt rritja e çmimit të bukës reflekton ekzaktësisht rritjen e çmimit të miellit në mënyrë të dyshimtë.

Kjo është rrija e dytë dhe më e madhe e miellit dhe bukës gjatë viteve të fundit. Në vitit 2019, çmimi i miellit dhe për pasojë e bukës u rrit me mbi 10 %. Lëvizja e çmimi angazhoi Autoritetin e Konkurrencës, i cili nisi një hetim përmes Komisionit të Konkurrencës mbi tregun e importit të grurit, si dhe importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit për kompanitë Agro Blend, Miell Tirana, Bloja, Atlas dhe Atlas Mills, për periudhën 2017-2019.
Në përfundim të hetimit, Komisioni i Konkurrencës, arriti në konkluzionin se kompanitë Agro Blend, Miell Tirana, Bloja, Atlas dhe Atlas Mills, kishin arritur një marrëveshje të pashkruar me njëra-tjetrën duke fiksuar çmimet e shitjes se miellit dhe kontrolluar tregun e miellit, në shkelje të konkurrencës.

Sekretariati i Autoritetin e Konkurrencës, që funksion si prokurori, propozoi ndëshkimin e kompanive me 5 milionë euro gjobë. Në 29 shtator 2021, 5 anëtarë të Autoritetit të Konkurrencës me votë unanime kanë pranuar shkeljet që 5 kompani të importit dhe përpunimit të grupit kanë bërë duke monopolizuar tregun dhe duke përcaktuar në bllok çmimin. Por, çuditërisht, 3 anëtarë janë tërhequr nga vendosja e gjobës 5 milionë euro. Denar Biba, sot kryetar, Adriana Berberi dhe Leida Matja votuan kundër gjobitjes së oligarkëve të miellit me 5 milionë euro. Juliana Latifi dhe Eduard Ypit kanë votuar pro.

Për këtë çështje, Komisioni i Ekonomisë në Kuvend zhvilloi një seancës dëgjimore me anëtarët e Komisionit të Konkurrencës në 9 shkurt 2022. Duke justifikuar votën e tij kundër gjobës ndaj oligarkëve të miellit për rritjen e çmimit në 2019, kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba tha në seancë dëgjimore se nuk ishte i bindur dhe se nuk kishte prova për një marrëveshje të fshehtë mes oligarkëve të miellit për fiksimin e çmimit.

Në këtë mbledhje, Biba tha se vendimi i shtatorit 2021 për të shpëtuar kompanitë nga gjoba nuk është vendimtar pasi procesi është në dinamikë dhe se kompanitë e miellit ishin nën monitorim. Por, vetëm 4 javë pasi kreu i Autoritetin e Konkurrencës mbrojti vendimmarrjen për të mos ndëshkuar oligarkët e miellit, edhe pse raporti i hetimit provoi abuzimin, oligarkët rritën çmimin e miellit, tashmë jo me 10 % si në 2019, por deri në 50 %.

Mbetet për t’u parë nëse Autoriteti i Konkurrencës do të nisë një hetim tjetër të thelluar rritjen e çmimit të miellit dhe bukës, dhe nëse po, a do t’i shpëtojnë sërish oligarkët e miellit ndëshkimit ligjor.

Po kush qëndron pas kompanive që kontrollojnë tregun e millit dhe që i shpëtuar gjobës 5 milionë euro në shtator 2021? Agro Blend SHPK është në pronësi të Fiqiri Ismailit, ish kryetar i Bashkisë së Vorës, i propozuar nga PD. Në kompaninë ‘Bloja’ kanë mbi 90 % të aksioneve Agron Haxhiymeri dhe Fuad Haxhiymeri. Miell Tirana SHA është në pronësi të Saimir Stërmillit dhe Alush Hoxhës. Ndërsa Dimitrios Thomoglou është pronar i kompanisë Atlas SHA. Atlas Mills SHPK është në pronësi të kompanisë ‘Besniku’, e cila është në pronësi të Dervish Domit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN