MENU
klinika

36 vjet pas shpërthimit

Pasojat nga katastrofa e Çernobilit që u ndjenë dhe në Shqipëri

11.03.2022 - 17:21

36-vjet pas shpërthimit në centralin bërthamor në Çernobil, 65 km në jug të Kiev, kryeqyteti ukrainas, më 26 prill 1986, pasojat e kësaj katastrofe vërehen edhe në Shqipëri.

Sasitë e mëdha të rrezatimit në atmosferë, shkaktuan efektet afatgjata në mjedis dhe sidomos në shëndet ku një prej sëmundjeve që lidhen me këtë ngjarje është tumori i tiroides.

Sipas mjekes endokrine në Poliklinikën e specialiteteve në Tiranë, tiroidja ose gjendra e energjisë, po konstatohet sot tek pothuajse të gjitha grupmoshat, kryesisht femrat, por vitet e fundit dhe tek të porsalindurit.

Çdo 3500-4000 mijë lindje, një bebe lind me pathologji të gjendrës tiroide. Më të prekurat janë femrat në moshë riprodhuese, mosha mesatare 20-50 vjeç.

Sipas studimeve, mësohet se efektet e Cernobilit shihen si shkaku i prekjes më të shpeshtë të popullatës nga 5 tumoret, ai i tiroides, kanceri pulmonar, kanceri i gjirit, kanceri i lëkurës, kanceret në tru.

Mjekët thonë se jodi është një element gjurmë që luan rolin kryesor për prodhimin e hormoneve të tiroides nga gjendra tiroide.

Sipas tyre, pamjaftueshmëria e jodit nuk shkakton vetëm sëmundjen e gushës, por mund të shkaktojë dhe dëmtime të pakthyeshme në tru të fetusit dhe foshnjës si dhe vonesa të zhvillimit psikomotor të fëmijëve.

“Fatkeqësisht ne jemi vend me probleme të defiçencës jodike. Duhet ta pranojmë që kemi akoma problematika të caktuara sidomos në vendet malore, kodrinoro-malore, aty ku jodi gjendet më pak në natyrë, thonë ekspertët e shëndetit publik.

Ekspertët e shëndetit publik, kanë kryer një studim gjatë vitit 2021 për insufiçencën jodike tek moshat 6-12 vjeç që frekuentojnë shkollën.

Gjetjet e studimit sugjerojnë për monitorim të fortë rregullator dhe zbatim të standardeve kombëtare të kripës së jodizuar për të siguruar përdorim të qëndrueshëm dhe të lartë në nivel familjeje, si dhe përdorim të kripës së jodizuar në ushqimet kryesore të prodhuara në mënyrë industriale me përmbajtje kripe, (kryesisht buka).