Prishtina është shpallur fituese e Ligës Unike për femra në basketboll. Ky është edicioni i parë i këtij turneu që bashkoi ekipet e Kosovës dhe Shqipërisë (6 në total, nga 3 për secilin shtet), që u zhvillua për 5 muaj me radhë.
Ndeshjet e “final four” u zhvilluan në kryeqytetin kosovar për dy ditë me radhë, ku Prishtina mposhti në finale Penzan me rezultatin e ngushtë 66-65. Më herët, në gjysmëfinale, Prishtina pati mposhtur Flamurtarin.
Skuadra vlonjate, e vetmja nga Shqipëria që kualifikohej në “final four” (Partizani e Tirana u eliminuan pas sezonit të rregullt), e mbylli këtë event në vendin e katërt. Kampionet e Shqipërisë u mundën në “finalen e vogël” 73-70 nga Bashkimi.