Qysh kur Basha e pezulloi Berishën nga grupi parlamentar i PD-së më 9 shtatorin e vjetshëm, kundërshtarët e tij në parti e në media theksonin pa pushim se ai ka një problem të jashtëm – me të PD-ja nuk mund të vijë në pushtet ngaqë është shpallur persona non grata nga SHBA dhe ngaqë nuk ka përkrahje në kanceleritë dhe partitë e djathta europiane. Përkrahësit e Berishës në parti e në media kundërpërgjigjeshin e vazhdojnë të kundërpërgjigjen me argumentin se, përderisa ai ka përkrahje të fuqishme të brendshme nga elektorati opozitar, e meriton të jetë udhëheqësi i opozitës.
Po sa e fuqishme është kjo përkrahje e elektoratit opozitar ndaj Berishës?
Zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit (të cilat shpesh po citohen nga përkrahësit e Berishës) treguan se vetëm 17.5% e banorëve të rritur të 6 bashkive votuan për kandidtët e “Shtëpisë së Lirisë”, të përzgjedhur e të përkrahur në mënyrë energjike e kapilare nga Berisha. Ndërkohë, në ato 6 bashki, për kandidatët opozitarë (të PD-AN, LSI, etj.) kishin votuar vjet plot 40% e banorëve të rritur…
Nga një sondazh rigoroz që po zhvilloj aktualisht në terren, rezulton se vetëm gjysma e votuesve të vjetshëm opozitarë zgjedhin Berishën si politikanin e tyre më të preferuar (gjysma tjetër është e shpërndarë mes Metës, Bashës, dhe Asnjërit). Ndërkohë, Ramën, rivalin e madh të Berishës, e zgjedhin si politikanin më të preferuar të gjithë ata të anketuar që votuan vjet për PS-në (e madje edhe përtej)…