MENU
klinika

"Të dalë me paketë të dytë"

Protesta zyrtarizon kërkesat, Qeveria duhet t’i plotësojë deri të shtunën

16.03.2022 - 08:55

Dje në ditën e 7-të të protestës kombëtare përpara Kryeministrisë kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe produktet e shportës, protestuesit kanë zyrtarizuar kërkesat e tyre, ndërsa i kanë dhënë ultimatum deri të shtunën qeverisë për plotësimin e tyre.

Nga sheshi “Skënderbej” protestuesit i kërkuan qeverisë realizmin e disa kërkesave të tyre, pasi nëse kjo nuk ndodh, ata nuk do largohen nga sheshi ditën e shtunë, duke i dhënë asaj një afat treditor. Kërkesat e qytetarëve bazohen në tri shtylla kryesore si: Ulja e barrës fiskale, hetim dhe mbikëqyrje për funksionimin e tregut dhe mbështetje për biznesin dhe shtresat vulnerabël.

“Heqje e taksës së qarkullimit dhe pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit, pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë; Përcaktimi dhe ngrirja e përkohshme e marzhës të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun; Zgjerimi i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve; Paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri tejkalimin e krizës dhe përcaktim i minimumit jetik; Hetim e mbikëqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit, si dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve”, janë kërkesat e plotësuesve.

Aktivisti Adriatik Lapaj, gjatë fjalës se tij tha se: “Deri të shtunën i lëmë afat qeverisë që të shqyrtojë kërkesat për të dalë me një paketë të dytë”. Aktivisti tjetër Migen Qiraxhi replikoi kundër Kryeministrit, duke thënë se kjo protestë shpreh solidarizim me popullin e Ukrainës, por shtoi se: “kemi dalë për t’i mbyllur rrugën këtij Kryeministri që i hapi rrugë abuzimet”.

“Ne jemi të gjithë të solidarizuar me Ukrainën, e cila po përballet ndaj represionit ushtarak. Ne nuk mundet të mbajmë peshën e abuzuesve dhe spekulantëve. Prandaj nuk ka asnjë dyshim në anën e kujt jemi, nuk ka asnjë dyshim që ne jemi në anën e demokracisë”, tha Qiraxhi duke shtuar se: “Shkak për pezullimin është bërë lënia e një afati 3-ditor që qeveria të njihet me kërkesat e protestuesve dhe të reflektojë”.

Aktori Florian Binaj ka ironizuar deklaratat se protesta e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve është sponsorizuar nga Rusia.

“Unë dua të bëj një falënderim për sponsorët rusë që na bënë të mundur të dalim në protestë. E zëmë se ne paskemi marrë lekë nga Rusia, po ata që kanë lënë vendin dhe janë larguar, kush i ka sponsorizuar. Rusia i ka sponsorizuar”, tha Binaj.

Një protestues i ndaluar nga Policia gjatë ditëve të para të protestës kundër rritjes së çmimeve, deklaroi se në ditën që ai u shoqërua në komisariat 1 litër naftë kapi vlerën 290 lekë, ndërkohë që ditën kur ai doli çmimi ra në 270 lekë. Sipas tij, ky është një tregues se protesta është e drejtë. Ai i bëri thirrje qytetarëve dhe studentëve të mbushin sheshet të shtunë në orën 11:00, në mënyrë që kërkesat e tyre të plotësohen.