MENU
klinika

Mero Baze

Pse Berisha nuk bën dot Kuvend më 22 mars?

09.03.2022 - 21:36

Berisha duket njeriu më i mërzitur nga “fitorja” e tij brenda opozitës më 6 mars. Edhe pse formalisht i ka realizuar objektivat afatshkurtra, dhe së bashku me Ilir Metën ka marrë më shumë vota se Partia Demokratike, ai duket se nuk po guxon të zgjidhet kryetar i “Shtëpisë së Lirisë” më 22 mars. Nga dalja e tij publike sot, kuptohet qartë se tani do të gjejë disa arsye për ta shtyrë 22 marsin si datë të zgjedhjeve brenda partisë së tij.

Dhe nuk ka faj. Pavarësisht demagogjisë së tij në publik, ai e kupton se nuk ka arritur asnjë fitore domethënëse më 6 mars. Ai ka krijuar epërsi në 4 bashki, ku Vora duket një bashkëpunim i hapur me kandidatin e Bashës, për t’i lënë fushën bosh. Në Dibër kandidatët kanë formalisht numër thuajse të barabartë votash, por po të llogarisësh rreth 1500 vota që ka marrë LSI në zgjedhjet e shkuara në atë bashki, i bie që Berisha ka shumë herë më pak vota në Dibër se Basha.

Epërsia e Berishës ndaj Bashës është provuar në Durrës dhe Shkodër, ku dhe ata që udhëhoqën fushatën e PS, kanë qenë të fokusuar që përveç votave të tyre, të tjerat të shkojnë tek Berisha, si bashkëvuajtës me të.

Më e pakta që mund të thuhet për atë që ka ndodhur më 6 mars, është që Berisha e kupton se nuk ka asnjë të ardhme për pushtet në luftë me Partinë Demokratike, pavarësisht se ai po përpiqet ta përdorë atë si karburant deri pranverën tjetër, kur të vijnë zgjedhjet.

6 marsi ka konsoliduar ndarjen e PD me Berishën dhe ky është fillimi i një gare, që nuk ka rëndësi se kush e fiton secili më vete, por që nuk e fitojnë dot të dy bashkë, nëse Sali Berisha nuk largohet nga skena politike këto vite që i kanë mbetur. Pas 2025, ai do të jetë 81 vjeç dhe në mos Basha, zoti do bëjë të vetën.

Nga ana tjetër, Berisha po e shtyn 22 marsin me shpresën që të trembë Lulzim Bashën, ta fusë nën presionin e njerëzve që e rrethojnë dhe t’i gënjejë ata, duke i kthyer tek “Shtëpia e Lirisë”.

Ky është një naivitet tjetër për të gënjyer mbështetësit e tij. Identiteti i Partisë Demokratike të Lulzim Bashës tani është anti-berishizmi. PD nuk ka asnjë vlerë politike që ta dallojë nga grupet e tjera opozitare, përveç faktit që është anti-berishiste. Kjo është një farë që tani është mbjellë dhe Sali Berisha nuk ka çfarë t’i bëjë më.

Ai është ndoshta nga politikanët më pa parime në këtë vend, që është gati të bëjë paqe me këdo, mjafton të vihet në rresht pas tij. Ka dhënë prova për këtë, por tani ngatërron “anti-berishizmin” e vjetër të Arben Imamit, që më 1997 mori tanket kundër tij për t’u bërë dy herë ministër socialist dhe pastaj i ra në gjunjë atij si kamikaz, duke i firmosur vajzës së tij pronat e ushtrisë, për t’u bërë dy herë ministër i PD. Ai është rekord kombëtar në këtë pikë.

Anti-berishizmi i ri i PD është ideologji, që ka bazë damkosjen e Perëndimit për Sali Berishen. Madje ajo tani është e vetmja parti ideologjike në treg, pasi ka përpara një objektiv, atë të deberishizmit të së djathtës shqiptare. Nuk ka shumë rëndësi kush rri dhe kush ikën nga Lulzim Basha. Tani atë nuk e ndryshon dot as Lulzim Basha.

Rruga e vetme e rritjes së opozitës dhe shpëtimi i vetëm i Berishës, është shkuarja e Berishës në shtëpi dhe bashkimi i një opozite pa pushtetin e tij. Vetëm kjo mund ta shpëtojë Berishën nga të mos qenit armik i opozitës dhe së djathtës dhe mund t’i hapë rrugën një lidershipi te ri opozitar.

Nëse ai qëndron dhe shantazhon, ai thjesht do rrisë dhe do forcojë armiqtë e tij në opozitë, që do ta lënë të presë me oturak në dorë . Nuk ka për t’i ardhur kurrë ajo ditë që të vijë ne pushtet. Është më mirë të iki tani që është i zoti t’i lidhë vetë pantallonat e tij.

Thirrja e tij që mbështetësit e Bashës “janë të amnistuar” nëse shkojnë tek “Foltorja”, është një kurth për t’i poshtëruar ata, për t’i “vënë në provë në zgjedhje të lira” drejtuar nga Berisha dhe për t’i nxjerrë në rrugë tanimë me “votën e demokratëve të Foltores”.

E vetmja punë që mund të bëjnë pas kësaj është të futen në “Big Brother Vip” vitin që vjen e të bëhen njerëz popullorë.

Dhe sikleti i fundit që ka Berisha nga 22 marsi, është ai halli i vjetër që ka me SHBA dhe damkosjen e tij si i akuzuar për korrupsion domethënës, minues i demokracisë dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë. Sa më e largët të jetë ajo ditë, kur atij do t’i duhet të shpallet “kryetar” i një fraksioni opozitar, aq më mirë është për të djalin e tij me halle, vajzën me dosje në SPAK dhe gruan “shenjtore” që numëron lekët e vjedhura të kalamajve të saj.

Ai në të vërtetë nuk e do atë ditë. Ai shpreson të trembë Lulzim Bashën që ai të largohet dhe pastaj ta përdorë këtë trofe, si standard ndëshkimi për secilin që do guxojë ta tradhtojë më pas. Pavarësisht se vazhdon të thotë që do bëhem vetë kryetar, ai kërkon të emërojë dikë tjetër, por këtë radhë duke i treguar se çfarë mund ta gjejë po ta tradhtojë. Pra të ketë modelin e ndëshkimit të Lulzim Bashës si standard.

Ndaj mos ikja e Lulzim Bashës dhe rritja e një PD-je pa Berishën është i vetmi makth i tij. Ajo i vret dhe standardin e ndëshkimit putinist që ka në mendje, dhe në fund dhe e ndëshkon përjetësisht. Ndaj mos prisni të bëjë Kuvend më 22 mars. Mund t’u thotë harrova t’u them që nuk ishte fjala për këtë vit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN