MENU
klinika

Analiza nga BIRN

Pse çmimi i energjisë në Shqipëri fryhet nga koncesionet

21.03.2022 - 18:55

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Balluku duket se po përhap panik, jo shumë të arsyeshëm për një skenar apokaliptik, me çmime energjie prej 60 lekësh për kWh apo një botë të cilës i mungon furnizimi i rregullt me naftë.

As Rama dhe as Balluku nuk kanë dhënë ndonjë burim informacioni se ku i mbështesin deklarata të tilla. Për këtë shkak, ndoshta ia vlen të shohim se si qëndron puna me kostot dhe çmimet e energjisë elektrike në kontinentin evropian dhe se çfarë e bën një vend të ketë çmim energjie më të lartë se sa një tjetër dhe se, çfarëdolloj krahasimi mes Shqipërisë dhe, fjala vjen, Italisë, nuk bën shumë sens.

Në gjysmën e parë të vitit 2021, familjet gjermane paguan 0.32 euro për kilovat-orë energji elektrike të konsumuar, duke qenë vendi me energjinë më të shtrenjtë në kontinent. Nga ana tjetër, familjet në Ukrainë paguan më pak se 0.05 euro për kWH. Sipas të dhënave të Eurostat, mesatarja e Bashkimit Evropian është 0.22 euro për kWh. [Link] Shqipëria nuk gjendet në këtë listë për shkak se “të dhënat mungojnë”, por çmimi aktualish i miratuar, 11.08 lekë për kWh, ose afërsisht 9 cent, e vë Shqipërinë diku në mes.


cmimi energjise ne Shqiperi


Po çfarë e shkakton diferencën e çmimit nga Ukraina në Gjermani?

Zakonisht kostot e sektorit të energjisë elektrike ndahen në tre hallka, prodhimi, transmetimi dhe shpërndarja. Kostot e transmetimit dhe shpërndarjes janë në përgjithësi të përafërta ndërsa kostot e prodhimit janë më të larmishme. Prodhimi i energjisë elektrike kryhet nga burime të ndryshme, si qymyri, gazi, nafta, uji, dielli, era apo energjia biotermale.

Zakonisht kostoja e prodhimit të energjisë elektrike nga termocentralet e qymyrit është e ulët, por ndotja e shkaktuar nga qymyri është shumë e lartë, kështu që shtetet në përgjithësi janë përpjekur të pengojnë përdorimin e qymyrit duke rritur taksat mbi këtë lloj energjie. Burimi tjetër i lirë për prodhimin e energjisë elektrike është energjia bërthamore, e cila, përveçse është e lirë, nuk shkakton ndotje në emetim karboni. Problemi është se me këtë energji rreziku për aksidente është i lartë. Burimi tjetër i lirë i prodhimit janë hidrocentralet. Hidrocentralet kanë kosto të konsiderueshme ndërtimi por kosto operacionale minimale. P.sh., kostoja e energjisë së prodhuar në kaskadën e Drinit është afërsisht 1 lek për kWh. Problemi është që hidrocentralet nuk janë pa fund dhe në planet janë të pakta vendet që mund të mbështeten te hidroenergjia për mbulimin e një pjese domethënëse të konsumit. Brazili është një nga të paktat vende që është në gjendje të mbulojë afro 70% të konsumit me hidro, [link] por kjo shpjegohet me faktin që Brazili është vendi i Amazonës, lumit më të madh në planet.

Nafta dhe gazi janë burime më të shtrenja për prodhimin e energjisë elektrike, pasuar, deri së fundmi, nga era dhe dielli. Në Gjermani, një vend që prej dekadash tashmë ka qenë pararojë e promovimit të energjisë së gjelbër, konsumatorët paguajnë çmim të shtrenjtë me qëllim që të subvencionohet përmes një skeme të njohur si Feed-In, energjinë e rinovueshme të prodhuar kryesisht nga era. [link]

Gjermania ka aktualisht një çmim kaq të lartë të energjisë elektrike për shkak të politikave të ndërmarra më herët. Gjermanët kanë vendosur të fikin termocentralët bërthamorë në favor të energjisë së gjelbërt dhe gazit ndërsa shtrenjtimi i gazit gjatë këtij viti, ka shkaktuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në janar, gjermanët paguan 36 cent të euros për kWh, e barazvlefshme kjo me 44 lekë për kWh. Ndonëse ky është me të vërtetë një çmim shumë i lartë, duhet të kemi parasysh se shteti gjerman ka pasur mundësi të ndjekë politikat që ka ndjekur, (mbyllja e termocentraleve bërthamore dhe promovimi i energjisë së pastër), për shkak se Gjermania është një vend i pasur. Me pagë minimale prej 1584 eurosh në muaj, çmimi i energjisë elektrike në Gjermani është krahasimisht më i ulët në raport me të ardhurat, se sa në Shqipëri.

Në anën tjetër të grafikut, Ukraina, me çmim gati dy herë më të ulët se sa Shqipëria, dukshëm e realizon këtë duke u mbështetur te energjia bërthamore dhe te termocentralet e qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike, dy burime të lira, të cilat ky vend i ka, të parin, pra energjinë bërthamore, për shkak se qëlloi që Bashkimi Sovjetik ndërtoi termoncentrale bërthamore atje dhe së dyti, (termocentralet e qymyrit) sepse qëlloi që në territorin e këtij vendi ka qymyr. Ukraina realizon rreth 60% të prodhimit energjetik të vendit me centrale bërthamore. Ukraina duket se mban çmim kaq të ulët të energjisë elektrike dhe për një shkak tjetër: Si vendi më i varfër në Evropë, me pagë minimale 190 euro në muaj, Ukraina dukshëm nuk ka mundësi të ndjekë politika mjedisore dhe, as që të rrisë çmimin e energjisë për të mbuluar qoftë edhe kostot e prodhimit me qymyr apo me termocentrale bërthamore.

Jo energji për ngrohje

Kryeministri Edi Rama, i cili është angazhuar në një fushatë të pazakontë alarmiste në lidhje me mungesën e energjisë elektrike dhe furnizimit me naftë, paraqiti një faturë energjie elektrike në masën 600 euro të lëshuar në Itali. Një numër shqiptarësh me banim në Itali e kundërshtuan duke treguar faturat e tyre, në rendin e 30 apo 40 eurove në muaj. Ndërsa Rama e tregoi këtë si shembull se energjia elektrike në Itali është shumë e shtrenjtë dhe për rrjedhojë, shqiptarët nuk duhet të qahen, fakti është që në Itali, çmimi i energjisë elektrike vitin e kaluar ishte 22 cent të euros për kWh, shifër kjo shumë më e lartë se sa Shqipëria, 9 cent. Megjithatë, as në rastin e faturës 600 euro dhe as në rastin e faturës 30 euro, kjo nuk do të thotë ndonjë gjë të madhe, qoftë edhe për shkakun e thjeshtë se në Itali dhe në shumicën e vendeve evropiane, që nga vitet 1970, bota ka marrë masa për të kursyer energji. Një nga masat më popullore ka qenë zëvendësimi i energjisë elektrike si burim për ngrohje, gatim dhe për ujë të ngrohtë me gazin. Në Itali, një rrjet gazi me tubacione shkon në çdo shtëpi pasi gazi vjen, në pjesën më të madhe, nga Algjeria me tubacione nën Mesdhe. Ndërsa italianët heqin gatimin, ngrohjen dhe ujin e ngrohtë me gaz, përdorimi i energjisë elektrike mbetet vetëm për ndriçim, televizor apo kompjuter dhe lavatriçe. Nga të gjitha këto përdorime, vetëm lavatriçja është konsumator i konsiderueshëm i energjisë ndërkohë që poçat modernë për ndriçim apo televizorët e kompjuterat janë përdorues të sasive shumë të pakta të energjisë.

Arsyeja se pse vendet evropiane kanë zëvendësuar me gaz përdorimin e energjisë elektrike është se në këto vende, gazi digjet në termocentrale për të prodhuar energji elektrike, e cila nga ana e saj, mund të përdoret për ngrohje apo gatim. Për rrjedhojë, është më e arsyeshme që gazi të përdoret drejtpërsëdrejti për ngrohje a gatim pa u konvertuar fillimisht në energji elektrike. Kursimet janë të jashtëzakonshme, qoftë edhe për faktin që gazi, duke u konvertuar në energji elektrike, humbet 30-40 për qind.

Por ka edhe vende të cilave kjo logjikë nuk u funksionon. Në Norvegji, një vend prodhues madhor i gazit në Evropë, gatimi kryhet me elektricitet, i cili sigurohet nga hidrocentralet e panumërt që gjenden në lumenjtë e shumtë të këtij vendi. Me një fjalë, Norvegjisë i leverdis më shumë të përdorë energji elektrike nga burime hidro dhe të eksportojë gaz se sa anasjelltas. Norvegjia është vendi më i pasur në Evropë për sa i përket burimeve ujore dhe siguron 90% të prodhimit elektrik me hidro. Norvegjia prodhon 136 TWh energji në vit. [link] Sa për krahasim, Shqipëria prodhoi vitin e kaluar 9 TWh, e gjitha nga hidrocentralet.

Llogaritë e thjeshta të Shqipërisë

Bota i kushtoi rëndësi të veçantë eficencës energjetike që nga kriza e naftës e viteve 1980. Kriza filloi në vitin 1973, kur një numër vendesh eksportuese të naftës në Lindjen e Mesme vendosën të mos i shesin naftë botës perëndimore, si sanksion ndaj mbështetjes që Perëndimi i dha shtetit të Izraelit. Pas kësaj kohe, qeveritë filluan t’i kushtojnë vëmendje disa treguesve, të tilla si eficenca energjetike (sa energji konsumohet nga një pajisje për të të dhënë një rezultat të caktuar) dhe intensiteti energjetik (sa energji harxhohet për një dollar vlerë të shtuar në ekonomi), e llogaritur kjo jo vetëm për një pajisje apo për një ekonomi, por e ndarë në sektorë të ndryshëm.

Fakti që qeveria shqiptare nuk mban llogari të tilla është një tregues më vete por ky është një diskutim tjetër.

Ajo që vlen në këtë rast është që në çastin që eficenca energjetike mori rëndësi, vendet filluan të llogarisin se kur është e mundshme dhe e arsyeshme që përdorimi i energjisë elektrike për gatim të zëvendësohet me gaz apo lokomotivat me naftë të zëvendësohen me lokomotiva me energji elektrike.

Llogaria e vetme e kësaj natyre në Shqipëri është bërë diku rreth vitit 2000, si pjesë e diskutimit të nevojës për të rritur çmimin e energjisë elekrike. Kjo ishte edhe koha kur në Shqipëri filloi të përdoret në një farë mase gazi i lëngshëm për ngrohje dhe për gatim.

Sa i përket të tjerave, asnjë lloj disktimi nuk duket i nevojshëm. Shqipëria nuk ka qymyr dhe rrjedhimisht as energji elektrike ndotëse. Shqipëria është një vend tejet i vogël për të zhvilluar energji bërthamore. I vetmi burim i energjisë elektrike që përdor vendi janë hidrocentralet. Sa i përket energjisë fosile, Shqipëria importon rreth 630 mijë tonë nënprodukte nafte dhe eksporton rreth 400 mijë tonë naftë bruto.

Problemi është se lumenjtë nuk janë të pafundëm. Shfrytëzimi i tyre për energji elektrike nuk siguron të gjithë nevojat e vendit sot, ndërsa në të ardhmen, nëse ekonomia do të rritet, siç shpresohet, atëhere konsumi i energjisë do të duhet të rritet dhe shtesa do të duhet të mbulohet nga burime të tjera.

Prodhimi i hidroenergjisë në Shqipëri ndahet në dy kategori të mëdha: njëra është prodhimi shtetëror i realizuar në Kaskadën e Drinit dhe tjetra është prodhimi privat i energjisë në hidrocentrale me koncesion apo të privatizuara. Kostoja e energjisë së prodhuar në hidrocentralet publike, duke përfshirë edhe kostot e borxheve të vjetra është 2.3 lekë, por energjia e prodhuar nga sektori privat me kontrata koncesionare apo hidrocentrale të privatizuara është 8.6 lekë dhe ky çmim nuk varet nga kostot e prodhimit por nga kontratat e nënshkruara dhe rregulloret e vendosura nga qeveritë e ndryshme përgjatë 15 viteve të fundit. [link tarifat]

Mesatarisht gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria ka mbuluar 83% të konsumit të vet me prodhim të vetin. Nga prodhimi i vet, afro 60% e energjisë është realizuar nga Kaskada e Drinit, me kosto të ulët dhe 40% nga hidrocentralet private apo ato me koncesion, ku çmimi është më i lartë.

Pjesa e mbetur, rreth 17% mesatarisht përgjatë pesë viteve të fundit, duhet të mbulohet nga importi. Çmimi aktual i importit të energjisë elektrike, sipas të dhënave të KESH, është 213 euro për MW/h ose 21.3 cent të euros për kW/h. [Link] Rrjedhimisht, kostoja që qytetarët do të paguajnë për energjinë është mesatarja e ponderuar e këtyre tre çmimeve, plus kostot e transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe, më e rëndësishmja, kostot e humbjeve të energjisë në rrjet. Ndërsa çmimi 213 euro për 17% të energjisë elektrike mund të mos duket si faktor veçanërisht i rëndë, duhet të kemi parasysh se prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri është i luhatshëm. Deficiti mesatar shumëvjeçar është 17% por në një vit, prodhimi vendës mbuloi 112% të konsumit ndërsa në një vit tjetër, vetëm 61%. Me pak fjalë, nëse viti 2022 do të jetë një vit i keq për prodhimin e energjisë, shqiptarëve do t’u duhet të paguajnë 30 apo 40% të energjisë së konsumuar me çmimin mbi 200 euro për MW/h. Nëse ndodh kështu, Shqipërisë do t’i duhet të importojë 2 apo 3 TW/h energji me një kosto totale prej 400-600 milionë eurosh. Kjo është një shifër e barabartë me të ardhurat totale të OSHEE-së përgjatë një viti. Në rast se deficiti do të jetë jo 40, por 20%, sërish kostoja shtesë do të jetë në rendin e 200 apo 300 milionë eurove ndërsa nëse shqiptarët do të kenë fat, atëhere mundet të mos kenë kosto shtesë.

Humbjet më shumë se sa deficiti

Shqipëria ka pasur një deficit mesatar vjetor prej afro 1.2 TW/h energji elektrike përgjatë pesë viteve të fundit, me luhatje nga 2.9 TW/h në vitin 2017 në plus 0.9 TW/h në vitin 2018. Por ndërkohë, humbjet e energjisë elektrike janë luhatur në 1.6-1.9 TW/h në vit, pra afërsisht 1.4 herë më të larta se sa deficiti. Shkaqet e humbjeve të energjisë elektrike në masën 20% e të gjithë energjisë së hedhur në rrjet janë një mister i vërtetë në Shqipëri. Nëpër botë, norma e zakonshme e humbjeve është 5% e energjisë së hedhur në rrjet. Zyrtarisht në Shqipëri dy të tretat e humbjeve janë teknike, pra për shkak të pajisjeve të rrjetit dhe jo vjedhje. Normalisht që sipas axhendës së vetë qeverisë aktuale të tetë viteve të shkuara, investimet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë do të duhej të kishin sjellë reduktimin e humbjeve në 6% në vitin 2020, pra dy vjet më parë. Diferenca mes humbjeve në kuota normale 6% dhe asaj aktuale (13%) është e barabartë me 0.6 TW/h, për të cilat, shqiptarët do të duhet të paguajnë afro 126 milionë euro për t’i importuar.

Edhe në humbjet joteknike, pra vjedhjet, situata është e ngjashme. Kuota e pranueshme është 2%, shifër kjo e dhënë në Planin e Rimëkëmbjes [link], ndërkohë që aktualisht janë në masën 6.3%. Diferenca është e barabartë me 72 milionë euro me çmimet aktuale të importit. Me pak fjalë, shqiptarëve do t’u duhet të paguajnë këtë vit gati 200 milionë euro për të zëvendësuar humbjet dhe vjedhjet në sektorin e energjisë.

Shënim: Konsumi i energjisë eletrike matet me vat në orë dhe me shumëfisha të saj, kilovat, megavat, gigavat apo teravat. Një poç eficient konsumon 6 vat në orë, ose afërsisht 0.07 lekë energji elektrike. Një kondicioner normal konsumon 1.5 kWh, me një kosto prej 16.6 lekësh në orë. Familjet shqiptare konsumuan sëbashku gjatë vitit të kaluar 3.1 miliardë kWh. Pjesa tjetër e ekonomisë, përfshirë institucionet publike dhe kompanitë private, konsumuan 3.54 miliardë kWh. Në rrjet u hodhën gjithsej 8.4 miliardë kWh, nga të cilat, 6.6 miliardë u faturuan dhe afërsisht 1.8 miliardë humbën./ BIRN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shumë rrezikojnë mbylljen

Kriza energjitike “fik” biznesin!

"Do vazhdojmë ta mbrojmë biznesin e vogël..."

Rritja e çmimit të energjisë/ Rama publikon grafikun krahasues