Afrim Imaj/ ”Kemi bërë ekzekutime pa gjyq, së paku unë mbaj mend tri të tilla që kemi bërë në fillimin e viteve ‘50″. Dëshmia e frikshme e Kadri Hazbiut para hetuesve në tetor ‘82 konfirmon një nga dramat më të tmerrshme të regjimit komunist.
Në pohimet e ish-ministrit historik të Sigurimit të Shtetit, të kryqëzuar për tradhti ndaj Atdheut, pas vetëvrasjes së dyshimtë të Mehmet Shehut, zbulohen një mori dëshmish, faktesh, dokumente dhe materiale të panjohura më parë.
Të sekretuara në dosjet e fshehta të Sigurimit, ato tashmë dalin në dritë nga një dëshmitar i dorës së parë që qysh nga fundi i luftës e deri në çastet kur përballej me drejtësinë komuniste kishte qenë pjesë e kreut të Policisë Sekrete, fillimisht si shef i Sigurimit të ushtrisë e në vijim zëvendësministër e ministër i Brendshëm për disa dekada.
I shtrënguar të tregojnë gjithçka nga zullumet e organeve të Sigurimit, tashmë në interes të provave që argumentonin akuzat e rënda të shefit të Partisë për “tradhëti të lartë ndaj Atdheut” dhe veprimtari armiqësore kundër shtetit të diktaturës së proletariatit, Kadri Hazbiu rrëfen për gjëra që nuk i ka përmendur kurrë, për të cilat madje nuk i kishte shkuar as në mendje se do vinte një ditë që do t’i kujtonte.
Në numrin e sotëm “Panorama”, nga përballja e panjohur e ish-ministrit karizmatik me hetuesit Shkëlzen Bajraktari e Thoma Tutulani, risjell të zbardhur deponimet e Hazbiut për periudhën kur ka drejtuar shërbimin e Sigurimit të ushtrisë dhe ndodhive të tjera të viteve ‘50-‘51, siç janë dhe rastet e vrasjeve pa gjyq.
PJESË NGA HETIMI
15.10.1982 Pyetje: I pandehur, e dëgjuat, e kuptuat dhe ç’keni për të thënë rreth akuzës që ju bëhet?
Përgjigje: Akuzën që më bëhet e dëgjova, e kuptova dhe nuk e pranoj. Unë pranoj se kam bërë gabime të rënda, që kanë sjellë pasoja te dëmtimi i vijës së Partisë në organet e punëve të brendshme. Konkretisht, unë gjykoj se nuk kam mundur të kryej detyrën si ministër i Punëve të Brendshme për të siguruar kuptimin e plotë të vijës së Partisë të shprehur në normat e punës të organeve të punëve të brendshme, ku gjej edhe shkakun e mjaft mungesave dhe shkeljeve që kanë ndodhur në këto organe.
Pyetje: Si është shprehur me veprime konkrete ky përfundim që thatë më parë ju, i pandehur?
Përgjigje: Unë vetë duhet të kisha bërë një punë më të organizuar për të siguruar rolin udhëheqës të partisë mbi gjithë sektorët e drejtimet, sidomos në organet e Sigurimit. Në vitet e para, kur u bëra ministër, tregova kujdes të veçantë për këtë çështje, më vonë, ky kujdes u zbeh nga unë, sepse gjykova se mori rrugë ky problem, sidomos mbi problematikën që mund të diskutohej në organizatat – bazë të Sigurimit.
Pyetje: Pse ju, i pandehur, nuk u morët me këtë problem themelor për Partinë më vonë dhe ç’pasoja erdhën?
Përgjigje: Unë nuk u mora sa duhet me këtë punë, sepse mendova që pas kaq vjetësh ishte fituar një përvojë mbi problematikën që mund të trajtonin organizatat – bazë të Partisë, nga puna e Sigurimit, duke pasur parasysh se ishin kaluar konceptet që frenonin, si puna e mbyllur e organeve të Sigurimit, sekreti etj. Ky opinion tek unë u krijua edhe si rrjedhim i ndikimit të armiqve që kam pasur rreth vetes në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si: Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu etj.
Mbi bazën e gjendjes së raportuar nga shokët që shkonin poshtë, sidomos kur ishin degët politike të kufirit, policisë, që e paraqisnin gjendjen mirë, edhe unë arrija përfundimin se gjendja është e mirë. Kjo është e metë imja. Unë mbaj përgjegjësi edhe më të rëndë, sepse nuk kam tërhequr ndihmën dhe kontrollin e duhur nga ana e K.Q. të Partisë për organet e punëve të brendshme. Këto dobësi unë i shikoj në radhë të parë te lidhjet e shumta të varësisë që kisha si ministër i Brendshëm.
Unë kisha lidhje varësie nga sekretari përkatës i K.Q. të PPSH, të cilin duhet ta njoftoja për gjithçka, të ngrija probleme dhe të tërhiqja edhe mendimet e tij. Atij, unë nuk i kam fshehur asgjë me përjashtim të problemeve që i duheshin thënë drejtpërsëdrejti udhëheqësit të Partisë. Në kohën kur në përbërjen e instruktorëve u morën edhe persona që kishin njohuri për punën e Sigurimit, ata shkonin nëpër mbledhje, bile kontrollonin disa tregues e për rrjedhim, informacioni shkonte më i plotë në Komitetin Qendror në PPSH. Megjithatë, kjo nuk më shkarkon nga përgjegjësia për informacionin jo të plotë e sistematik të K.Q. të PPSH për të gjitha problemet.
Në të njëjtën mënyrë, unë kam vepruar edhe me ish- kryeministrin, tradhtarin Mehmet Shehu dhe ish-zëvendëskryeministrin, tradhtarin Beqir Balluku, të cilët i kam informuar në të njëjtën shkallë, si edhe sekretarin e K.Q. të PPSH-së për problemet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por këta të fundit, kur unë ngrija probleme me anë të informacioneve ose raportimeve verbale si p.sh. për naftën ose probleme të tjerë, më thoshin se Sigurimi nuk do të bëjë gjithçka: secili duhet të bëjë detyrën e tij (e kishte fjalën për institucionet e tjera) ju e keni bërë detyrën duke i ngritur problem.
16.10.1982 Pyetje: Në ç’drejtime e keni shkelur vijën e Partisë, gjatë kohës që keni punuar në organet e punëve të brendshme?
Përgjigje: Nuk di ta kem shkelur vijën e Partisë. Por periudha është kaq e gjatë që mund të ketë ndonjë rast, por mua nuk më kujtohet.
Pyetje: Na shpjegoni, i pandehur, përse keni kaluar varësinë e hetuesisë te zëvendësministrat e Punëve të Brendshme, në kundërshtim me vendimin e Byrosë Politike nr.160, datë 21.12.1973, i cili shprehet në mënyrë të qartë e kategorike që hetuesia të jetë në varësi të ministrit të Punëve të Brendshme. Çfarë ju shtyu ju të ndërmerrnit një veprim të tillë në kundërshtim të hapur me vendimin e Byrosë Politike.
Përgjigje: E interpretova vendimin e Byrosë Politike që hetuesia mund t’i kalohej edhe zëvendësministrit, i cili varet nga ministri që e realizon edhe kështu këtë detyrë. Unë jam konsultuar edhe me persona të tjerë, se ideja më lindi mua, pasi nuk e kam kuptuar si detyrim kategorik. Hetuesia kishte volum pune të madh dhe pas 5 – 6 muajsh që e mbajta unë, më lindi ky mendim. E bisedova me zëvendësministrat Feçor Shehu dhe Rexhep Kolli, drejtorin e atëhershëm të hetuesisë, me prokurorin e përgjithshëm, kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe deri te sekretari përkatës në KQ të PPSH-së. Ranë dakord me mua që hetuesinë mund ta mbante edhe një zëvendësministër.
18.10.1982 Pyetje: Ç’veprimtari armiqësore të jugosllavëve kundër vendit tonë keni konstatuar ose keni mësuar nga të tjerë që në periudhën e luftës dhe më pas?
Përgjigje: Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare unë nuk kam konstatuar ndonjë aktivitet armiqësor që kanë zhvilluar jugosllavët kundër vendit tonë. Mbas luftës unë kam punuar në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit dhe jam emëruar kryetar i degës së Sigurimit të Ushtrisë deri nga shtatori i vitit 1947, kohë në të cilën kam shkuar në kursin e Sigurimit në Moskë së bashku me Mihallaq Ziçishtin, Vaskë Kolecin, Vangjo Mitrojorgjin e Muço Saliun. Në prill të vitit 1948 u ktheva në funksionin që kisha. Në maj –qershor të vitit 1945 jam dërguar në Kosovë. Kam mësuar nga shokët për masakrat e jugosllavëve kundër popullatës shqiptare të Kosovës.
Në një rast kur jemi takuar në Prishtinë, unë dhe shokë të tjerë të Partisë e të ushtrisë që drejtonin në atë kohë, në një darkë shtruar nga Dushan Mugosha, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani dhe dy malazezë, njëri prej të cilëve me emrin Paloka, i them Xhavidit që ishte shef i OZN-as për Kosovën se po vriten njerëz të pafajshëm, si ishte e mundur që ndodhte kështu. Më thotë se nuk është e vërtetë, mbasi vriten vetëm kriminelët, ballistët e të arratisurit dhe jo populli. Fadili më kapi nga këmbët duke më dhënë të kuptoja se ia bëra mirë.
19.10.1982 Pyetje: Me këshilltarin jugosllav Svetozar Koçiç, a jeni njohur dhe çfarë lidhjesh keni mbajtur?
Përgjigje: Këtë person nuk e kam njohur dhe nuk ka qenë në këtë periudhë në Degën e Sigurimit të Ushtrisë. Domethënë, që nga koha që shkova për studime në BS, derisa ikën këshilltarët jugosllavë. Mundet që ai të ketë qenë në ndonjë divizion, por unë në atë kohë nuk e kam njohur. Me jugosllavë të tjerë me shërbim në atë kohë në Shqipëri unë nuk jam njohur e takuar.
Pyetje: Ç’veprimtari në kundërshtim me normat dhe vijën e partisë keni kryer gjatë periudhës kur vepronte tradhtari Koçi Xoxe?
Përgjigje: Për sa u përket drejtimeve konkrete të shkeljes së vijës e normave të Partisë, këto kanë ndodhur, unë i kam thënë në autokritikën time, por tashti nuk më kujtohen. Dua të them se edhe vrasje pa vendim gjyqi janë bërë, siç kanë qenë rastet e një bashkëpunëtori të Krujës, që kishte tradhtuar dhe me sa di, duhet të jetë dënuar nga gjykata speciale (nipi i Gjon Markagjonit nga Kurbini) dhe një rast tjetër me dy të dënuar me vdekje që janë ekzekutuar me miratimin tim. Këto raste i referohen viteve 1951 – 1952 në funksion të legjendës për veprime të caktuara agjenturore. Këta të dy nuk kanë qenë të dënuar nga gjykata popullore.
20.10.1982 Pyetje: Ç’raste konkrete ju kujtohen dhe çfarë veprimesh keni kryer në kundërshtim me vijën dhe normat e partisë?
Përgjigje: Rreth vitit 1947 më kujtohet se kanë ndodhur dy raste, njeri prej të cilëve në Divizionin e Gjirokastrës, Brigada e Delvinës, ku ishin arrestuar disa persona për veprimtari armiqësore, të cilët kishin deponuar se kishin dashur të arratiseshin. Mbi këtë bazë kam shkuar në divizion, kam pyetur të arrestuarit dhe nga këta dolën ekzagjerime për shkak të presioneve fizike e sugjestionit.
Konkluzionet, kur u ktheva, u gjetën të drejta dhe me sa mbaj mend, hetuesi u dënua penalisht dhe shefi i sigurimit duhet të jetë dënuar administrativisht. Si shef i Sigurimit me sa mbaj mend ka qenë Asaf Kondi. Rasti i dytë ka qenë i divizionit të Tiranës i dislokuar në kazermat e Ali Rizait. Më kujtohet se në një proces implikoheshin disa oficerë të regjimentit të artilerisë të këtij divizioni. Mbi bazën e një informacioni që na erdhi, drejtova vetë analizën dhe doli se edhe këtu kishte ekzagjerim. Përfundimisht, problemi u kap dhe çështja u zgjidh kryesisht me masa administrative.
Tre-katër veta mbetën me masa arrestimi për agjitacion e propagandë, në ndryshim nga rasti i parë që predominonte arratisja. Në rastin e Delvinës dua të them se kemi liruar edhe të arrestuar. Më kujtohet që në Konferencën e Partisë të Ministrisë, u pajtova me konkluzionet që kritikohej puna negative e Drejtorisë Politike që udhëhiqte jetën e Partisë të Ministrisë. Me këtë rast unë kritikova të deleguarin Gjin Marku, i cili u shpreh se që të gjithë komunistët e Drejtorisë Politike janë trockista.
Këtë ndërhyrje timen e shfrytëzuan Pëllumb Dishnica etj. për t’iu kundërvënë të deleguarit dhe efektivisht raportit. Mbaj mend që unë bëra autokritikë duke u solidarizuar me repartin. Në letrën që i kam dërguar udhëheqjes së Partisë e quaja veten fajtor dhe m’u tha nëpërmjet Mehmet Shehut se taktikisht kam gabuar. Kur m’u thanë këto fjalë në emër të udhëheqësit, ka qenë prezent edhe Gogo Nushi, mbasi të dy ishin ngarkuar për të më kthyer përgjigjen e letrës.
Pyetje: A jeni ulur ndonjëherë në detyrë? Në rast se po për çfarë arsye?
Përgjigje: Më kujtohet që nga fillimi i vitit 1946 jam ulur në detyrë referent për dobësi në punë dhe arsye shëndetësore dhe për rreth një vit më ka zëvendësuar Teme Sejko. Nuk mbaj mend mirë, nëse për këtë ulje në detyrë më ka njoftuar Nesti Kerenxhi apo ndonjë person tjetër. Pas një viti jam bërë përsëri kryetar i Degës Sigurimit të Ushtrisë.
Pyetje: Cili ka qenë ndikimi i tradhtarëve, Koci Xoxe e Nesti Kerenxhi, në zbatimin e metodave të paligjshme e antiparti në punën që keni drejtuar ju në degën e Sigurimit të ushtrisë?
Përgjigje: Ndikimi i Koci Xoxes e Nesti Kerenxhit ndaj veprimtarisë armiqësore të Sigurimit të Ushtrisë në atë kohë konsiston në të gjitha ato pasoja negative të gjykuara e të dënuara nga Plenumi i 11-të i Komitetit Qendror të Partisë i vitit 1948.
Pyetje: Për veprimet konkrete, në kundërshtim me normat e vijën e partisë të kryera, nga Koci Xoxe e Nesti Kerenxhi e keni informuar partinë në atë kohë?
Përgjigje: Për ato që kam ditur, ia kam thënë Partisë.
Pyetje: Ku keni qenë në nëntor të vitit 1944?
Përgjigje: Kam qenë i shtruar në Spitalin e Prizrenit për rreth një muaj se u plagosa tek Ura e Shenjtë në Gjakovë.
Pyetje: A jeni njohur me Velmir Stojniçin, shefin e misionit ushtarak jugosllav?
Përgjigje: Nuk jam njohur me të dhe nuk kam pasur marrëdhënie.
22.10.1982 Pyetje: A jeni njohur me Liri Gegën, kur, ku, në ç’rrethana dhe ç’marrëdhënie keni pasur?
Përgjigje: Unë Liri Gegën e kam njohur në kohën e fraksionit kur ka ardhur në shtëpinë time si e deleguar e Komitetit Qendror të Partisë. Në këtë kohë ka ardhur së bashku me Dushan Mugoshen, të cilin në atë kohë e njihja si shqiptar nga ana e veriut me emrin ‘Salë’. Qëllimin e ardhjes se tyre në shtëpi unë nuk e di dhe biseda është bërë e zakonshme dhe mua nuk më kujtohet ndonjë moment i veçantë që të më tërhiqte vëmendjen. Dua të shtoj se në një rast unë e kam shoqëruar Liri Gegën nga Dushkaraku në Corrush me sekretarin politik të qarkorit dhe Fejzo Binon. Mbasi e kreva këtë detyrë, u ktheva dhe ika. Para takimit me Liri Gegen unë jam takuar me Xhemil Cakerin dhe Neki Ymerin dhe ky i fundit m’u shpreh se duhet të rrëzohet Komitetit Qarkor i Vlorës, por me këto mendime unë nuk rashë dakord.
Për bisedën e zhvilluar unë i raportova Mehmet Shehut, i cili tha se dyfekët na ndajnë dhe mbas kësaj kam shoqëruar Liri Gegen. Te njëjtin raportim i bëra dhe sekretarit politik të qarkorit kur u takuam. Me Liri Gegën para çlirimit unë jam takuar rastësisht e si zakonisht dhe nuk kam zhvilluar me të ndonjë bisedë të kohës. Nuk mbaj mend që të kem vajtur ndonjëherë në hetuesi mbas arrestimit dhe gjithashtu nuk më kujtohet që ndonjë person të jetë interesuar për të.