Drejtori i Entit Shtetëror për Statistika në Maqedoninë e Veriut ka publikuar rezultatet e censusit, nga ku ka rezultuar se 24.3% e popullsisë përbëhet nga shqiptarë.
Bazuar në rezultatet e regjistrimit të mbajtur nga 5 deri më 30 shtator të vitit 2021, numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente është 1,836,713 banorë.
Sipas këtyre të dhënave, nga numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente: 58.44 për qind e tyre janë deklaruar maqedonas, 3.84 për qind turq, 2.53 për qind janë nga komuniteti rom , 0.47 për qind janë vllehë, 1.3 për qind serbë dhe 0.87 për qind janë deklaruar si boshnjakë.
Në bazë të të dhënave, nga regjistrimi i vitit 2002, numri i popullsisë shqiptare ka shënuar rënie për rreth një për qind në vitin 2021.
Enti Shtetëror i Statistikës të mërkurën më 30 mars, publikoi edhe numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar, që përfshin atë rezidente dhe jorezidente. Janë regjistruar gjithsej 2,097,319 persona dhe prej tyre; 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind si serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllehë.
Bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës, popullsia rezidente në Maqedoninë e Veriut është ulur për 185 mijë njerëz apo në rreth 9 për qind në krahasim me regjistrimin e popullsisë në vitin 2002.