Pushtimi i SHBA-së në Ukrainë është një ngjarje sizmike, ndoshta më e rëndësishmja në jetën ndërkombëtare që nga rënia e Murit të Berlinit.
Kjo luftë shënon fundin e një epoke. Por çfarë mund të themi për të renë?
Më e rëndësishmja, ajo shënohet nga triumfi i politikës mbi ekonominë. Për tre dekadat e fundit, shumica e vendeve kanë vepruar me një gje në mendje: rritjen ekonomike. Ata kanë përqafuar tregtinë, teknologjinë dhe reformat e brendshme, të gjitha për të sjellë më shumë rritje.
Këto lloj zgjedhjesh janë të mundshme në një atmosferë në të cilën njeriu nuk duhet të shqetësohet aq shumë për çështjen thelbësore të sigurisë kombëtare.
Por sot, vendet në mbarë botën që e morën sigurinë si të mirëqenë – nga Kanadaja në Gjermani në Japoni – po mendojnë sërish për pozicionet dhe forcat e tyre mbrojtëse.
Siguria ushtarake është vetëm një pjesë e mënyrës në të cilën politika po e mposht ekonominë.
Vendet po kërkojnë siguri më të madhe kombëtare në zinxhirët e tyre të furnizimit dhe në ekonomitë e tyre më gjerësisht, një prirje që filloi disa vite më parë.
Ne mund të shohim përmbysjen e 30 viteve të globalizimit.
Për shembull, gjatë këtyre tre dekadave, McDonald’s ndërtoi një biznes të madh në Rusi, duke kultivuar një rrjet fermerësh dhe furnitorë, duke hapur rreth 850 restorante dhe duke krijuar një bazë të konsiderueshme klientësh.
E gjithë kjo është vendosur në pritje dhe mund të mbyllet përgjithmonë. Aeroflot, linja ajrore ruse, e kishte rindërtuar veten pas shpërbërjes së saj post-sovjetike.
Tani, me Boeing dhe Airbus që refuzojnë t’i shesin pjesë këmbimi ose të bëjnë mirëmbajtje në avionët e saj, kompanisë mund t’i duhet të ndalojë fare fluturimet.
Këto lloj masash, të cilat vendosin sigurinë dhe vetë-mjaftueshmërinë mbi efikasitetin, me siguri do të kenë efektin e rritjes së çmimeve kudo.
Ndërsa vendet kërkojnë qëndrueshmëri dhe largohen nga varësia e tepruar nga vendet e huaja, inflacioni mund të bëhet një tipar më i përhershëm i botës së re, edhe nëse goditjet e ofertës të shkaktuara nga lufta janë të përkohshme.
Ne gjithashtu ka të ngjarë të përballemi me një botë të re të energjisë – një botë në të cilën çmimet e naftës dhe gazit natyror mbeten të larta. Kjo do të thotë se vendet që prodhojnë hidrokarbure do të kenë shumë para – triliona dollarë – gjatë dekadës së ardhshme. Vende të tilla si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari do të jenë burime masive të kapitalit në botë.
Një nga tiparet përcaktuese të epokës së re është se ajo është postamerikane.
Me këtë dua të them se Pax Americana e tre dekadave të fundit ka përfunduar. Ju mund të shihni shenja të kësaj kudo.
Merrni parasysh faktin se liderët e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite – dy vende që kanë varur sigurinë e tyre nga Uashingtoni për dekada – refuzuan të merrnin telefonata nga SHBA, sipas Wall Street Journal. Kini parasysh gjithashtu se Izraeli (fillimisht) dhe India kanë refuzuar t’i përshkruajnë veprimet e Putinit si një pushtim dhe se të katër vendet e kanë bërë të qartë se do të vazhdojnë të bëjnë biznes me Rusinë.
Në pamje të parë, mund të duket se ky është një rend i ri global që është vendosur kundër Amerikës.
Por kjo nuk është domosdoshmërisht kështu. Shtetet e Bashkuara mbeten fuqia kryesore në botë, ende më e fortë se të gjitha të tjerat deri tani.
Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi kryesor në botë i hidrokarbureve. Çmimet e larta të energjisë, megjithëse janë të tmerrshme për vende të tilla si Kina dhe Gjermania, në fakt stimulojnë rritjen në pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara.
Gjeopolitikisht, pushtimi rus i Ukrainës e ka vënë në një pozicion të vështirë konkurrentin kryesor të Uashingtonit, Kinën, duke e detyruar Pekinin të mbrojë veprimet e Rusisë dhe duke e vënë atë në kundërshtim me Bashkimin Evropian, me të cilin është përpjekur shumë të ketë lidhje të ngushta.
Mundësia më e madhe strategjike është me Evropën, e cila mund ta përdorë këtë sfidë për të mos qenë aktori ndërkombëtar pasiv që ka qenë për dekada.
Tani shohim shenja se evropianët janë gati t’i japin fund epokës së sigurisë së lirë duke rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe duke siguruar kufirin lindor të NATO-s. Kthimi i jashtëzakonshëm i Gjermanisë është një fillim.
Nëse Evropa bëhet një lojtar strategjik në skenën botërore, kjo mund të jetë ndryshimi më i madh gjeopolitik nga kjo luftë.
Shtetet e Bashkuara dhe një Evropë e fokusuar dhe e bashkuar do të ishte një super-aleancë në mbështetje të vlerave liberale.
Por që Perëndimi të bëhet i ri i bashkuar dhe i fuqishëm, ka një kusht thelbësor: duhet të ketë sukses në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse domosdoshmëria urgjente e momentit është të bëjmë atë që duhet – duke përballuar kostot dhe rreziqet – për të siguruar që Putini të mos fitojë.
Burimi: The Washington Post
Përktheu dhe përshtati: Konica.al