MENU
klinika

Kush është 45-vjeçarja që nuk u “fal” nga gjykata

Rrahu kunatën, dënohet gruaja e ish-gjyqtarit

04.03.2022 - 11:38

Gjykata e Lezhës ka dënuar me 120 orë pune një 45-vjeçare, e cila është shpallur fajtore për dhunimin e kunatës së saj.

DËNIMI

Age Gjaci u gjet fajtore për veprën penale “Dhunë në familje” dhe duke qenë se e pandehura pranoi fajësinë, gjyqtari Artan Hajredinaj pranoi kërkesën e Prokurorit Françesk Ganaj për lidhjen e aktmarrëveshjes dhe në bazë të kësaj dispozite është vendosur dënimi i 45-vjeçares me 1 vit burgim. Por, në zbatim të nenit 63 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim dhe detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik për një afat prej 120 orë. Puna do të kryhet në favor të organeve të pushtetit lokal, ose enteve të tjera shtetërore, shoqatave të caktuara nga Zyra e Shërbimit të Provës Kurbin. Ky dënim do të jetë në fuqi për sa kohë, e pandehura brenda kësaj periudhe të mos kryej ndonjë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës të vendbanimit të saj. Sipas aktmarrëveshjes, puna në interes publik dhe pa shpërblim do të kryhet prej një periudhe prej 6 muajsh, duke mbajtur në konsideratë rrethanat që lidhen me punën, arsimimin, familjen dhe gjendjen shëndetësore.

KONFLIKTI

Age Gjaci, 45-vjeçare u përfshi në një konflikt verbal me kunatën e saj Dava Ndoj, e cila ishte në proces divorci me bashkëshortin e saj. Ngjarja ndodhi pasditen e 5 korrikut të vitit 2021 në banesën e familjes Ndoj në Markatomaj të Lezhës. Rasti u denoncua në Polici nga nëna e 4 fëmijëve, Dava Ndoj, e cila pavarësisht se kishte urdhër mbrojtjeje, nuk i shpëtoi dhunës, duke pësuar fraktura. Pas veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen, Policia arrestoi kunatën e saj Age Gjaci, por pas 48 orësh ajo u la nga Gjykata e Lezhës me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Age Gjaci, e cila u dënua për dhunë në familje është bashkëshortja e ishkreut të Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci, i cili u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vitin 2019, pasi rezultoi me probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës.