MENU
klinika

E përjashton nga lista e vendeve

Rusia “kursen” Serbinë, mund ta paguajë gazin jo vetëm në rubla

25.03.2022 - 11:07

Moska do të përpiqet të zgjidhë situatën e Serbisë që paguan gazin rus në rubla, deklaroi më 24 mars zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Ndërkohë, një deklaratë e kryetarit të parlamentit serb ka shkaktuar reagime të forta nga ambasada e Ukrainës në Beograd,

Në përgjigje të sanksioneve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia do të fillojë t’u shesë gaz vendeve “jomiqësore” në rubla.

Por kjo deklaratë e Putin duket se nuk ka marrë aprovimin e Beogradit, pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi më herët se pagesa e gazit rus në rubla do të përbënte problem.

Shqetësimi i Serbisë duket se ka marrë përgjigje pozitive në Kremlin.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se Moska do të përpiqet të zgjidhë situatën e Serbisë për të mos e paguar gazin rus në rubla.

“Ai ka të drejtë – kjo mund të jetë vërtet një situatë problematike”, tha Peskov duke iu referuar deklatave të Vuçiç.

Duke përmendur Bullgarinë si shembull, Peskov tha se Sofja kishte vepruar “në një mënyrë armiqësore” ndaj Rusisë dhe për pasojë do të duhet ta paguajë gazin rus në rubla.

“Megjithatë, kjo nuk vlen për Serbinë. Ky është një problem që duhet zgjidhur dhe shqetësimet e Serbisë do të jenë prioritet për ne”, tha Peskov.

Serbia, një aspirant për në BE, ka dënuar agresionin e Rusisë në Ukrainë nën presionin e Perëndimit, por ka dështuar në harmonizimin e politikës së jashtme me atë BE-së në lidhje me sanksionet. Për shembull, teksa Evropa mbylli hapësirën e saj ajrore për avionët rusë, Serbia rriti numrin e fluturimeve midis dy vendeve deri vetëm javën e kaluar, kur i reduktoi sërish.

Përplasja mes ambasadës së Ukrainës në Beograd dhe kryetarit të parlamentit Ivica Dacic

Lideri i Partisë Socialiste dhe kryetari i parlamentit serb, Ivica Daçiç, i tha Happy TV se nuk kishte dilemë nëse Serbia ishte në anën e Rusisë dhe citoi një sondazh që pretendonte se 6% e qytetarëve ishin në anën e Ukrainës dhe 40% në anën e Rusisë.

Deklarata shkaktoi reagimin e ambasadës së Ukrainës në Serbi, e cila e cilësoi atë si “manipulim politik imoral”.

“Ne kemi besim se ky politikan po lejon imagjinatën e tij të egërsohet. Ajo që është e vërtetë është se populli serb, i cili ka një traditë të gjatë të luftës për liri, nuk mund të mbështesë a priori veprimet e regjimit të tërbuar të (Presidentit rus Vladimir) Putin, i cili është një rimishërim modern i regjimit nazist të Adolf Hitlerit”, thuhet në deklaratën e ambasadës së Ukrainës.