Për të matur pulsin se çfarë po ndodh në atë pjesë që shpalli triumfin pas së djelës, mjafton të hapësh murin e Ambasadës amerikane në Tiranë.
Njerëz që në krye të profileve kanë fotot e Doktorit apo flamujt të LSI-së sulmojnë e i kërkojnë të largohen ambasadores Yuri Kim, se tani sipas tyre “I madhi u rikthye”.
Ndërkohë, të tjerë mbështetës të “Shtëpisë së Lirisë” sulmojnë pa fre gazetarë që sipas tyre janë “listën e zezë” të doktorit.
Të tjerë sulmojnë deputetët e PD-së që kanë kërkuar largimin e Lulzim Bashës, ndërsa ca të tjerë akuzojnë organizatorët e protestës para kryeministrisë së janë “njerëz të Sorosit e Edi Ramës” ndaj nuk duhet besuar.
E të tjerë, që në panelet e darkës janë atashuar tashmë si akuzues së SHBA e mbështetës të çiftit Meta-Berisha janë kthyer në “tribunë” të protestave që kanë nisur që prej ditës së djeshëm, së bashku me fotot që postojnë deputetë e drejtues të këtij krahu politik përpara kryeministrisë.
Në vend që shoqëria të lihet e qetë që të përjetojë protestat si reagim qytetar, zërin e rinisë dhe organizatorëve që marrin përsipër që të rikthejnë reagimin si civilizim, fut hundët politika e ditës, siç ndodhi me studentët në fundvitin 2018.
E gjitha kjo ka një arsye, pasi edhe pse subjekti politik i Sali Berishës dhe Ilir Metës arriti një sukses politik, riintegrimi i ish-kryeministrit e ish-Presidentit në politikën e madhe është një ekuacion me shumë të panjohura. Siç është edhe riintegrimi i Ilir Metës si lider i opozitës pasi të lërë Presidencën. Me një fjalë, i gjithë ky konfuzion dhe stres është se si të sistemohet ky çift politik që ka 30 vjet që është protagonist i dorës së parë në politikën shqiptare.
E sipas gjasave, për një kohë të gjatë, sidomos duke përfituar edhe nga fakti i një vëmendje ndërkombëtare për luftën në Ukrainë, do të rikthehet një atmosferë e nderë sulmesh dhe gulçesh mediatike, duke sulmuar të gjithë ata që i quajnë si “armiq”.
Se vetëm kjo atmosferë e polarizuar dhe e nderë do të krijonte mjergullën e duhur për “ujqit e vjetër”, e kështu të harrohet si Non Grata, apo qëndrimet e tjera që kanë sjellë këtë stres të madh.
E në këtë rrugë objektivi numër një është natyrisht heqja e Lulzim Bashës që të ndodhë më pas “shkrirja” siç e tha një deputet i PD-së i dy pjesëve të ndara, që do ta kthente dramën e opozitës në një akt të ri komedie.
Më pas, nëse largohet Basha e ndodh “shkrirja”, atëherë do të rikthehet triumfalisht Berisha në krye të PD-së, siç e tha hapur dje synimin e tij afatshkurtër. Po Meta? i cili gjithashtu ka thënë se do të kthehet fuqishëm me popullin e 2 marsit? Për të cilin Kryemadhi tha se i rri ngushtë LSI-ja? Ky është ekuacion edhe më i vështirë, po që natyrisht që do të shoqërohet me stress edhe më të madh e inat në panele e në rrjete…