MENU
klinika

Si ndahet tregu

Shqiptarët do paguajnë 300 mln euro më shumë këtë vit për naftën

07.03.2022 - 11:10

Me çmimet e karburanteve që kanë kapur majat, shqiptarët pritet të paguajnë shumë më teper për të udhëtuar, si përmes mbushjes së makinave të tyre, ashtu dhe indirekt në kostot e transportit e produkteve të tjera të lidhura me arin e zi.

Çmimi i një litri naftë arriti në fundjavën e kaluar në nivele rekord të papara ndonjëherë, prej 230 lekë për litër. Në tre ditët e fundit të javës së kaluar, nafta u rrit tre herë, duke shkruar nga 192 lekë për litër në 230 lekë, ose 38 lekë më shumë. Duke i shtuar dhe shtrenjtimin e fillim shkurtit, vetëm këtë vit, nafta është rritur me 45-50 lekë për litër.

Aktorët e tregut japing si arsye shtrenjtimin e naftës në bursat ndërkombëtare, ku ari i zi tregtohet me rreth 118 dollarë për fuçi. Ata pohojnë se është krijuar një situatë e jashtëzakonshme për shkak të krizës Ukrainë-Rusi dhe tashmë në diskutim nuk është më çmimi, por sigurimi i produktit.

Sipas të dhënave nga doganat, konsumi i karburanteve në vend është rreth 600 mijë ton në vit. I gjithë konsumi në vend sigurohet nga importi, pasi rafineria e naftës ARMO, që më parë zinte rreth 30% tregut, ka rreth 4 vjet që nuk punon.

Në vitin 2021, çmimi mesatar i naftës, sipas INSTAT ishte rreth 170 lekë për litër. Në total, konsumi në vlerë (sasi x çmim për litër) vitin e kaluar vlerësohet rreth 102 miliardë lekë (840 milionë euro), sipas përllogaritjeve të Monitor.

Këtë vit, nëse çmimet do të qëndrojnë në këto nivele, për të njëjtën sasi prej rreth 600 mijë ton, konsumatorët do të duhet të shpenzojnë 138 miliardë lekë (rreth 1.13 miliardë euro), ose gati 300 milionë euro më shumë.

Shpenzimi mund të jetë edhe më i lartë për shkak të rritjes së ndjeshme të konsumit të karburanteve vitin e fundit (shih grafikun e importit të karburanteve), apo paparashikueshmërisë së çmimeve në tregun ndërkombëtar . Aktorët e tregut pohojnë se deri tani (përpara se të rritej çmimi në 230 lekë) nuk ishte vënë re ulje konsumit, për shkak se përdorimi i makinave është i domosdoshëm. E vetmja tendencë është rënia në pikat kufitare për shkak se personat që jetojnë në kufi e mbushin makinën në vendet fqinje, ku nafta kushton më lirë.

Edhe të dhënat e doganave tregojnë se në janar-shkurt 2022, importet e naftës u zgjeruann me rreth 5 mijë ton, me rritje rreth 6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ndikuara nga shtimi i konsumit.

Si ndahet tregu

Në vitin 2020, qarkullimi vjetor i 18 shoqërive më të mëdha të tregtimit me shumicë e pakicë të hidrokarbureve ishte 135 miliardë lekë në vitin 2020, me tkurrje prej 23% me bazë vjetore, sipas renditjes së 200 më të mëdhenjve, një publikim i përvitshëm i Monitor. Në një pjesë të madhe, xhiro e kompanive rritet fiktivisht, duke kaluar nga një subjekt në tjetrin, për pasojë të tregtimit me dy nivele (me shumicë e me pakicë) në mënyrën se si është i strukturuar tregu në Shqipëri sot. Të dhënat e 2021 nuk janë ende të disponueshme, ndërsa qarkullimi vjetor i këtij segmenti shënon luhatje të mëdha vit pas viti, në varësi të ecurisë së çmimeve.

“Kastrati Group”, që kryen tregtimin me shumicë të hidrokarbureve, është pozicionuar prej vitesh si operatori më i madh në tregtimin e naftës. Kompania raportoi 45.7 miliardë lekë qarkullim vjetor (rreth 372 milionë euro), me një rënie prej 28.4%, si rrjedhojë e frenimit të konsumit të karburantit gjatë muajve të karantinës dhe rënies së çmimit të tij në vend. Në 2020-n, “Kastrati Group” raportoi një qarkullim dy herë më të lartë se konkurrenti i dytë në listë, GEGA OIL GROUP (ish- Genklaudis).

Pas tyre vjen “Kastrati sh.p.k.”, që kryen tregtimin me pakicë, me të ardhura 12.5 miliardë lekë (rënie 24%).

“Europetrol Durrës Albania” kishte një qarkullim vjetor prej 12 miliardë lekësh, me tkurrje prej 29.2%.

“Bolv Oil” deklaroi rënie të ardhurash me 5.4 miliardë lekë, me tkurrje rreth 13%. Sipas raportit vjetor, rënia e rentabilitetit krahasuar me vitin 2019 vjen nga sektori i transportit, pasi ka ulje eksporti (transporti Fier-Vlorë). “Olsi sh.p.k.”, operatori tjetër i grupit, që tregton karburante me pakicë, shënoi rënie prej 17%, në 3.7 miliardë lekë.

“RDA Petrol” përgjysmoi aktivitetin në 2.5 miliardë lekë.

“Tenet”, me aktivitet në transportin dhe tregtimin me shumicë të naftës e gazit, kishte ecuri më të qëndrueshme, me tkurrje prej 3.5%. Kompania është 50% në pronësi të “Kastrati”.

“Al.Global Oil”, që bleu rafinerinë e bitumit të ARMO-s mbi tre vjet më parë, ka raportuar të ardhura 3.2 miliardë lekë, me tkurrje 26%.

Ndryshe nga pesha në qarkullimin vjetor, sipërmarrjet e tregtimit të karburanteve kanë pak ndikim në ekonomi, si në drejtim të punonjësve, ashtu edhe vlerës së shtuar. Kontributi më i madh është në pagesën e TVSH-së, ndërsa norma e fitimit e deklaruar është shumë e ulët, mesatarisht 1-2%.

Me përjashtim të bizneseve të konsoliduara, subjektet e tregtimit të karburanteve kanë luhatjen më të madhe në hyrje-daljet në listën e më të mëdhave. Operatorët e tregut pohojnë se sa e lehtë është të hysh në këtë biznes, po aq e lehtë është dhe të dalësh.

“2A & 2E” në fushën e tregtimit të karburanteve, ka dalë nga lista, pas rënies së të ardhurave me 18%, në 1.4 miliardë lekë. Dalje të tjera janë “AFT” (-23% në 1 miliard lekë), “Klodi SHA”, “EX Fis”. / Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bankat dhe ekspertët tërhiqen nga parashikimet

Përgatituni, çmimet e larta do të qëndrojnë gjatë!


Arsyet që e bëjnë metropolin financiar të globit

New Yorku shpallet qyteti më i pasur në botë

Sa pensionistë do të përfitojnë në Tiranë

Nis aplikimi i të moshuarve për abone falas

Kontratat zhvendosen në destinacione më të lira

Analiza: Fillon falimentimi i fasonit në Shqipëri!