Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë detaje për operacionin e gjerë në disa qytete të vendit. Përmes një komunikate zyrtare, SPAK bën me dije se janë hetuar shumë episode dhe një numër i madh personash të dyshuar për kryerjen e veprave te shumta penale .
Sipas Prokurorisë së Posaçme gjatë hetimit 3 vjeçar, është provuar veprimtaria e kundraligjshme e pesë grupeve të strukturuara kriminale. SPAK, sqaron se janë evidentuar 13 episode kriminale të trafikimit të narkotikëve, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë, gjatë periudhës mars – nëntor 2020
Gjatë operacionit janë arrestuar edhe dy punonjës policie në Tepelenë dhe Gjirokastër, si të përfshirë të veprimtarinë kriminale të narkotikëve.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka kryer hetime proaktive në kuadër të procedimit penal nr.130 të vitit 2019. Në këtë procedim penal janë hetuar shumë episode dhe një numër i madh personash të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikeve”, “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Kultivimit të bimëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 283, 248, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Gjatë hetimit proaktiv 3 (tre) vjeçar, është provuar veprimtaria e kundraligjshme e 5 (pesë) grupeve të strukturuara kriminale. Janë evidentuar 13 (trembëdhjetë) episode kriminale të trafikimit të narkotikëve, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë, gjatë periudhës mars – nëntor 2020.
Pas analizimit dhe vlerësimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga Prokuroria e Posaçme, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i është drejtuar kërkesa për caktimin e masave të sigurimit. Gjykata me vendimin nr.16 datë 08.03.2022 ka vendosur:
- caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale, për 42 (dyzetedy) shtetas;
- caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K. Pr. Penale për 1 (një) shtetas;
- caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K. Pr. Penale, për 1 (një) shtetase.
Gjatë hetimeve ka rezultuar se shtetasit Fejzo Meçaj me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë, Tepelenë dhe Adriatik Logli me detyrë punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë, Gjirokastër, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Për këta shtetas është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale.
Më datë 10.03.2022 nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është bërë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës nr.16 datë 08.03.2022, për caktimin e masave të sigurimit.