MENU
klinika

BBC dhe Zëri i Amerikës (VOA)

Talebanët ndalojnë transmetimin e programeve të huaja

28.03.2022 - 08:05

Talibanët i kanë ndaluar transmetimin e edicioneve të lajmeve të BBC-së dhe Zërit të Amerikës (VOA) në mediat afgane, në një kufizim të mëtejshëm të lirive në vend.

BBC po ashtu raportoi të dielën, më 27 mars se edicionet e lajmeve në disa gjuhë ishin hequr nga transmetimi në Afganistan.

Ky veprim ndodhi pasi talebanët urdhëruan partnerët e BBC TV, duke përfshirë stacionet televizive lokale Shamshad, Ariana dhe Arezo që t’i heqin transmetuesit ndërkombëtarë nga valët e tyre.

Ndërkohë një burim në gjigantin mediatik afgan ‘MOBY Group’ tha për agjencinë e lajmeve DPA se kishte ndaluar transmetimin e materialit të Zërit të Amerikës (VOA) që nga e diela, pas urdhrave të agjencisë së inteligjencës së talibanëve.

Më herët, zëdhënësi i Ministrisë së Informacionit dhe Kulturës, Abdul Haq Hammad, konfirmoi për DPA-në se transmetimet televizive të Zërit të Amerikës në kanalet afgane ishin ndalur.

Zyrtari taliban tha se kulturalisht dhe politikisht, televizioni i Zërit të Amerikës binte në kundërshtim me politikat e qeverisë.

Talibanët kohët e fundit arrestuan për pak kohë 11 punonjës të medias, duke përfshirë tre punonjës të ‘TOLOnews’, pas ndalimit të telenovelave nga jashtë.

Pasi talibanët u kthyen në pushtet, shumë gazetarë afganë u larguan. Media të shumta u mbyllën, kryesisht për shkak të problemeve ekonomike.

Ndërkohë shumë gazetarë që janë ende në Afganistan nuk ndihen më në gjendje të raportojnë hapur, nga frika e hakmarrjeve nga talebanët. Shumë prej tyre janë burgosur ose torturuar gjatë kryerjes së punës së tyre. /Rel

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


INTERVISTA / “E di që jam një plumb larg nga vdekja”

A do kthehen talebanët në pushtet në Afganistan?