MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 24

Teutës i mjafton një gol, ngec përsëri Laçi

07.03.2022 - 16:44

Teuta ka marrë tri me shumë vlerë në Rrogozhinë ndaj Egnatias, duke fituar 0-1 dhe iu larguar zonës së ftohtë renditjes me 6 pikë. Një sukses që qetëson durrsakët, ndërsa nga ana tjetër ndërpret ecurinë e mirë të javëve të fundit të rrogozhinasve, teksa mbeten ende në rrezik.

Teuta zhbllokoi ndeshjen në minutën e 26-të. Pas një goditje dënimi, topi ulet në zonë për Dacin, i cili gjuan dhe kalon në avantazh skuadrën e tij. Goli i parë për futbollistin e Kukësit, që luan si i huazuar tek ekipi durrsak. Pjesa e parë përfundoi 0-1 në favor të djemve të detit.

Në të dytën janë rrogozhinasit më kërkues. Vendasit kërkojnë penallti në minutën e 53-të. Pas zhvillimit të një goditje nga këndi, Jazxhi prek topin me dorë, por pavarësisht protestave të Egnatias, gjyqtari Myrtja thjesht akordon një tjetër goditje nga këndi.

Rrogozhinasit pretendojnë edhe dy herë të tjera penallti, por kryesori nuk mendon kështu. Pavarësisht përpjekjeve të vendasve, miqtë nga Durrësi mbrohen mirë dhe marrin një fitore me shumë vlerë.

Laçi nuk arrin të përfitojë pas barazimit të Tiranës, duke u ndalur 1-1 në Kamëz përballë Kastriotit. Një pikë që duket vlen më shumë për krutanët, të cilët edhe mund ta kishin fituar këtë sfidë.

Miqtë nga Laçi shënojnë të parët në minutën e 22-të. Është i përhershim Guindo ai që shënon për skuadrën kurbinase pas një goditje të menjëhershme brenda zonës. Të besuarit e Mirel Josës arrijnë ta mbyllin në avantazh pjesën e parë falë këtij goli.

Në të dytën, krutanët hidhen të gjithë para dhe në minutën e 58-të arrijnë të shënojnë golin e barazimit me Kaina Nunjesh, teksa me një stopim perfekt dhe një goditje të menjëhershme, sulmuesi brazilian ka shtangur portierin Dajsinani duke e dërguar topin në fundin e rrjetës.

Në 71′ kurbinasit i afrohen golit të dytë, ku Mentor Mazrekaj tentoi eurogolin me goditje dënimi, topi preku traversën dhe përfundoi jashtë. Sfida ishte e hapur deri në fund, por nuk ishte e thënë që të kishte më gola.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN