MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 23

Tirana “arratiset” me Seferin, Partizani turpëron Kukësin

02.03.2022 - 19:42

Tirana vijon marshimin në krye të Superligës. Bardheblutë mposhtën 2-0 Teutën, që luante si pritëse në “Elbasan Arena”. Me këtë sukses, të besuarit e Orges Shehit shkojnë në +9 pikë nga Laçi i vendit të dutë, me këtë të fundit që do të luajë të enjten në shtëpi ndaj Egnatias.

Tirana shënoi në minutën e 17-të me Taulant Seferin. Sulmuesi bardheblu gjuajti nga jashtë zonës, portierit Dema i shpëton topi nga duart dhe sheh topin të shkojë në rrjetë. Kaq mjaftoi për pjesën e parë.

Në të dytën janë miqtë nga kryeqyteti që luajnë sërish më mirë dhe në të 60-ën vjen goli i dytë. Dhe është sërish Seferi ai që shënon. 14 gola për sulmuesin bardheblu, që udhëheq në renditjen e golashënuesve më të mirë të kampionatit. Kaq mjaftoi për ekipin kryesues.

Partizani ka marrë një tjetër fitore të madhe dhe bindëse në kampionat, duke shpresuar më shumë se kurrë tani për një vend në zonën evropiane. Të kuqtë triumfuan 5-0 në “Air Albania” ndaj Kukësit dhe ngushton në 5 pikë diferencën me verilindorët.

Sfida u zhbllokua në minutën e 36-të. Xhuljano Skuka mori një penallti dhe Sherif Kallaku tregohet i saktë. Goli i parë i mesfushorit me fanellën e Partizanit. Katër minuta më pas do të ishte vetë Skuka që do të shënonte, i cili vijon formën e mirë.

Me të nisur pjesa e dytë, Junior trefishon shifrat për të kuqtë. Pas një kombinimi të mirë me Skukën, sulmuesi brazilian shtangu portierin Tafas. Në fund ka vend edhe për dy gola të tjerë për të kuqtë, Lika shënon golin e katërt, ndërsa Marku në 93’ vulos fitoren 5-0.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN