Dy shahistë të vegjël shqiptarë, Ailin Ndreko, dhe Erdi Cani, janë rikthyer në atdhe me çmime dhe medalje nga një turne i rëndësishëm ndërkombëtar.
Ata garuan në Turneun Ndërkombëtar MSU SLAVJANSKI DERZHAVIN STANDART 2022, për moshat deri në 16 vjeç. Eventi u mbajt në Bitola, Maqedoninë e Veriut, dhe përfundoi të dielën pasdite.
Shahistët shqiptarë nga Akademia KS Partizani, përkatësisht, Ailin Ndreko, Kampionia Kombëtare e vajzave Under 10 dhe 9-vjeçari Erdi Cani, garuan mes 49 konkurrentëve, ku shumica prej tyre, ishin lojtarë më të mëdhenj në moshë se ata.
Ailin Ndreko, shahiste e trajnuar nga trajneri Arian Bllaca, 5 ndeshje dhe humbi 2 duke u renditur në klasifikimin përfundimtar në vendet 5-9. Siç ka bërë me dije trajneri në një postim në rrjetin e tij social Facebook, ajo fitoi medaljen e Argjendit për moshën U10 si dhe Çmimin Special në vlerë monetare.
Sakaq, ndonëse ishte gara e parë ndërkombëtare për të, shahisti Erdi Cani korri 4 fitore. Në klasifikimin e përgjithshëm ai u rendit në vendin e 14-të, ndërsa në klasifikimin Under1 fitoi medaljen e parë ndërkombëtare duke u klasifikuar në vendin e tretë.
Gjithnjë e më shumë po shtohet interesi i fëmijëve për shahun dhe numri i shahistëve të rinj, jo vetëm në kryeqytet por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Kjo dallohet edhe nga pjesëmarrja e lartë në evente të ndryshme të organizuara, brenda dhe jashtë vendit. Duhet vlerësuar po ashtu mbështetja e prindërve të këtyre shahistëve të rinj, të cilët investojnë për fëmijët e tyre dhe i nxisin ata, drejt një sporti si shahu, që më shumë se gjithçka “stërvit” mendjen!
Rezultatet e plota të turneut ndërkombëtar në Bitola mund t’i gjeni në Chess-Ressults.