Dorëheqja e Lulzim Bashës nga kreu i PD-se zyrtare, menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve të pjessshme dhe vendimit gjyqësor që e njihte si institucion legal, është nga ato vendimet që do të komentohet gjatë. Edhe për shkak të zinxhirit të pasojave që do të prodhojë.
Është krejt e qartë se Basha ishte i detyruar të vepronte kështu. Autoriteti i tij ka qenë përtokë dhe tek ata që konsideroheshin besnikë. Bjerrja e shpejtë e këtij autoriteti, me pretekst humbjen e zgjedhjeve të pjesshme ka qenë fatale: duket qartë se nuk gjendet thuajse askush që të quhet besnik i tij deri në vdekje. Ai s’ishte i aftë ta krijonte një grup të tillë besnikësh që mbase qëndrimi në pushtet ta mundëson. E në kushte të tilla, është vështirë të shkosh në zyrë, dhe jo më të udhëheqësh.
Teksti i dorëheqjes ishte i përmbajtur, në përpjekje për të ngjarë koherent me betejat e tij, me përjashtim të referencave për sulmet nga brenda, që ishin joemërore. A thua ai do të kërkojë rol pajtues, të urti, bashkues në të ardhmen? Degë dafine për armiqtë e brendshëm,udhëhequr nga Berisha? Nuk dihet ç’ndodh nëntokë që të parashikosh në këtë drejtim se ç’mund të ndodhë, por vështirë se ai do të kthehet në vijën e parë të udhëheqjes, qoftë dhe të fraksioni solid.
Mirpo ndërsa ngjan e vështirë se ç’do të ndodhë me Bashën- me kaq informacion sa qarkullon- është e vështirë të parashikosh si do të zhbëjnë veten, deklaratat e tyre, qëndrimet e tyre, mbështetësit e tij, protagonistët e Kuvendit të Pallatit të Kongreseve. Ok, pa kurrfarë koherence, -a thua se rezultati i zgjedhjeve të pjesshme nuk dihej- e kthyen pllakën, në raport me Bashën. Mirpo ç’do bëjnë me sulmet ndaj Berishës, me vendimet për të ndryshuar statutin për ta përjashtuar, për dekomunistizimin? Do ta kthejnë pllakën dhe në këtë drejtim? Apo do ta ruajnë koherencën në këtë plan-kjo vlen për Dumën, Gjekmarkajn, etj, etj… Do ruajnë kompaktësinë e një grupi parlamentar apo do bëhen kashtë e koqe duke kaluar me grupin tjetër prej pakënaqësive personale apo ambicieve për karrierë?
Ikja e Bashës, me pretekst një betejë elektorale që u nxor si as në mëngë nga Presidenti për t’i dhënë me sukses atij goditjen përfundimtare, megjithatë i krijon probleme dhe Berishës. Rikthimi i tij në skenë u justifikua me nevojën për legalitet në parti dhe luftën ndaj Bashës. Tani këto argumente bien. Do mbahet në argumentin tjetër se për të votuan 4444 vetë, ndërsa ka lindur në vitin 1944, pra shumica e duan atë në krye të PD? Po raporti me SHBA, madje dhe me BE-në, që nuk e duan si e pranoi vetë ndërsa tregonte për bisedën me Elmar Brok? Hapja e lojës, e garës, është shah i fuqishëm dhe për mbështetësit e tij. Ata e kanë mbështetur përkohësisht Berishën, -me bindjen dhe alibinë që e kishin të vështirë t’ja përdornin dhe vetes,- se vetëm ai do ta mundte Bashën. Dëshmi pafuqie totale të tyre.
Mirpo tani që Berisha e mundi Bashën, a ka kushte gare? A di Berisha të bëjë garë reale në rrethanat e reja, ku megjithatë ai është i plotfuqishëm, për shkak të autoritetit të rritur, fuqisë ekonomike, mediatike, grupeve të interesit që e mbështetin? Po ambiciet individuale të armiqve të Bashës, ku mbeten?
Në një ballafaqim mediatik të para 15 vjetëve- me Berishën mund të kesh kujtime kaq të vjetra-, ai përmendte si gjetje të madhe për gjuhën militanteske, përjashtuese që përdorte- një shprehje të Berluskonit kundër Prodit:po, shumë italianëve, nuk do i pëlqejnë fjalët e mia të ashpra, ama një pjese do t’i pëlqejë shumë. Berisha flet për një pjesë të popullit, të cilës i pëlqejnë shumë fjalitë e tij, mirpo kjo pjesë e popullit nuk është shumicë. Nuk ka shanse të kthehet shumicë, për shumë arsye. Madje dhe për shkak të protestës,e cila po krijon figura, model opozite, teza, legjitimitet moral të ri, duke vënë në vështirësi Ramën, por dhe Berishën. Këtë e dinë dhe mbështetësit e tij politikanë, të cilët ndihen kësisoj në udhëkryq. Ja e hoqën Bashën që i poshtëroi, i coi në humbje, po pastaj? Humbjet e Berishës, me Berishën mund të jenë më dinjitoze, por humbje janë.
Në një situatë si kjo, me kaq të panjohura, të papritura, nuk parashihet se ç’do të ndodhë nesër, jo më të parashikohet se ç’do të ndodhë më larg në kohë. Fryma e ndryshimit prej PD nuk duket askund…
Probleme ka për Ramën, në kuptimin që tashmë që nuk ka luftë të brendshme në PD, ai e ka të vështirë të përdorë një argument të qëndrueshëm në luftën e tij politike e parlamentare- mungesën e alternativës partiake. Zgjedhja e presidentit në javët që vijnë do të jetë një test për qasjen e tij ndaj PD-së me fraksione.
Një konsideratë e fundit. U mbyll karriera e vijës së parë për një politikan të ri në moshë, që e nisi mirë. Asokohe, mundi politikanë të rëndësishëm të socialistëve në debate, ishte impresiv në komunikimin ndërkombëtar, ju afrua fitores, por s’ fitoi, as dhe Tiranën, mirpo e mbyti hija e atij që e thirri në politikë dhe ja shtroi rrugën. Hijet të vështirësojnë jetën në gjumë, por dhe kur je zgjuar, veçanërisht kur nuk di të krijosh profil origjinal, nuk punon shumë, nuk distancohesh nga krijuesi yt politik.
Mëkat, për një politikan të humbur, për humbjen e brezit të tij, për shumë beteja të humbura të një profili thuajse humbësi.