MENU
klinika

Aksion masiv në Kosovë!

Vihen nën hetim policët kufitarë, priten dhjetra arrestime

14.03.2022 - 13:27

Prokuroria Speciale e Kosovës së bashku me Inspektoratin e Policisë së Kosovës janë duke e zhvilluar një aksion për identifikimin e policëve kufitarë dhe arrestimin e tyre nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar. IPK njoton se pritet të ketë dhjetëra të arrestuar.

Aksioni është duke u zhvilluar në Gjakovë në pikat kufitare Qafë Prush dhe Qafë Morinë. Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale janë duke vazhduar operacionin që kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë dhe Prizren.

Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Në kuadër të këtij veprimeve hetimore dhe operative nga hetuesit e IPK-së pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast (kryesisht zyrtarë të policisë kufitare) si dhe disa zyrtarë doganorë.