MENU
klinika

Kërkoi dorëheqjen nga mandati i deputetit

Zbardhet letra e Alqi Bllakos që e dorëzoi në Kuvend

30.03.2022 - 18:11

Panorama.al ka siguruar letrën e dorëheqjes së deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllakos të cilën e dorëzoi pasditen e sotme në Kryesinë e Kuvendit.

Në letrën e tij, Alqi Bllako shkruan se do të vendoset në dispozicion të plotë të drejtësisë lidhur me hetimin që është hapur ndaj tij për çështjen e inceneratorëve.

Të nderuar Kolegë,

Unë i nënshkruan Algi Edmond Bllako, datëlindja 10.05.1987, vendlindja Ersekë; me anë të kësaj shkrese ju bëj me dijeni se me vullnet të plotë dorëzoj mandatin parlamentar si deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Qarku Tiranë, referuar kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë më datë 29.03.2022 dhe urdhërit të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë më datë 29.03.2022 për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet më datë 30.03.2022 ora 18:00.

Me bindjen e plotë se në fund të këtij procesi do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar, me këtë akt personal vihem në dispozicion të plotë të drejtësisë, duke gjykuar t’i hap rrugën e pakushtëzuar proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë.

Dorëheqjen nga mandati i deputetit, Alqi Bllako e njoftoi një ditë më parë me anë të një postimi në Facebook. Ky reagim erdhi menjëherë pasi SPAK kërkoi nga Kuvendi që t’i lejohej arrestimi.

Sipas SPAK nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë do të ndodhë sot në Këshillin për Rregulloren

SPAK kërkon t’i hapet rruga për arrestimin e Alqi Bllakos

"Babai i Alqi Bllakos ‘drejtori kantieri’ përfitoi pagë 6000 € në muaj"

Akuza ndaj deputetit të PS, zbardhet dosja e plotë e SPAK