MENU
klinika

Kush është “togerja” e Zelenskit?

Zëvendëskryeministrja simbol trimërie

14.03.2022 - 20:18

          Nga Marta Serafini*/*Corriere della Sera

Lindur më 1979, Vereschuk është një ndër të paktët qeveritarë, përveç Zelensky-t, që në këtë shfaqet në publik. Ka studiuar në Institutin Ushtarak të Politeknikut dhe më pas, u diplomua për Drejtësi.

Por, kush është gruaja “togere” e Zelensky-t?

Deri dy muaj më parë, merrte pjesë në vizitat zyrtare e veshur me një kostum blu. Por tani që rusët kanë nisur pushtimin e Ukrainës, vishet me rroba ushtarake dhe informon ukrainasit për korridoret humanitare. E lindur në vitin 1979, Iryna Vereschuk është një ndër të paktat emra të qeverisë, përveç presidentit Volodymyr Zelensky, që në këtë orë shfaqet në publik. Të paktën në video. Nuk ka gjasa që ta tradhtojë ndonjë emocion i veçantë. Fjalët e saj, ndërsa flet për viktimat dhe për qytetarët që vuajnë në Mariupol, Kiev dhe në qytetet e tjera në sulm, iu bëjnë jehonë mesazheve të presidentit, duke kërkuar mbështetje nga NATO dhe duke akuzuar Putinin për krime kundër njerëzimit.

Zëvëndëskryeministre nga nëntori i kaluar, me detyrën e ministres për riintegrimin e territoreve të pushtuara përkohësisht, Vereschuk ka Kievin në zemër, por është Lvivi qyteti ku ka lindur dhe është formuar, ku ka kaluar dhe pjesën më të madhe të jetës. Në Lviv, studioi në Institutin Ushtarak të Politeknikut ku u diplomua në “informacion ndërkombëtar”. Pastaj diplomimi i dytë, këtë herë për Drejtësi. Në mes, shërbimi si zyrtare e ushtrisë dhe fillimi i karrierës politike.

Fillimet

Iryna Vereschuk e nis nga poshtë. Në fillim, si zëvendësshefe e administratës rajonale shtetërore Zhovkva, pastaj pesë vite në drejtim të qytetit të vendlindjes, Rava-Ruska, komunë pranë Lvivit, me 9.000 banorë. Në moshën 30-vjeçare, ajo është kryebashkiakja më e re e vendit. Hap pas hapi, me kokën ulur, siç e kanë mësuar në akademi. Me flokët biondë, me vështrimin e çeliktë, Iryna pati marrë nofkën e Hillary-t ukrainase. Në zgjedhjet e 2019 hyn në Rada, parlamentin ukrainas, për partinë e Zelensky-t. Punon në komisionin e Mbrojtjes dhe Inteligjencës dhe nga këtu përgatitet për hapin më lart.

Edhe pse e lindur në djepin e nacionalizmit, Vereschuk nuk sjell në Kiev këtë pjesë të rrënjëve. Dhe kritikon publikisht figurën e patriotit të ekstremit të djathtë Stepan Bandera, filonazist. “Është një hero për pjesën më të madhe të shoqërisë, një imazh i nacionalizmit. Por duhet të jemi të qartë, kjo figurë historike nuk do të gjejë kurrë vend në panteonin e heronjve ukrainas”. Konservatore, por me një qasje kozmopolite, Iryna u martua për herë te dytë me një zyrtar të forcave speciale ukrainase “Alpha”. Dhe tani, me të birin 17 vjeç nga martesa e parë, qëndron në një vend sekret. Ashtu si Presidenti Zelensky, për të cilin ajo duket shumë besnike. Togerja e tij. Dhe janë dy të dhënat që mund ta bëjnë Vereschuk, një figurë kyçe në një proces të mundshëm tranzicioni, nëse qeverisë do t’i duhet të lëvizë në perëndim të vendit.

Deklarata

Në vitin 2013, deklaroi në publik: “Putini? Nëse do kishim një politikan të tillë, do ta votoja. Për Rusinë është i mirë. Vepron në interes të vendit të tij. Që çdo president mbron vendin e tij në këtë mënyrë, është natyrale!”. Por deklarata ishte përpara sheshit “Maidan”, përpara se në Ukrainë të ndryshonte gjithçka. Dhe sërish. Gjashtë më vite më pas, pak pas pasi u zgjodh në Parlament, gjatë një debati televiziv mbi kërkesën për t’iu bashkuar NATO-s, ajo sulmoi: “Po trokasim në një derë të mbyllur, duke humbur reputacionin tonë. Nuk mund të shkojmë aty nuk na duan” – fjalë për të cilat, kërkoi falje publikisht. Por sot, pas vendimit të Natos që refuzoi no-fly zone, është një mendim që e ndajnë shumë njerëz në perëndim të Ukrainës.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Njoftimi i Ministrisë së Jashtme

“Dorëzohet” Rusia, i kthen tri anijet Ukrainës

Zbardhet biseda telefonike e ministrit rus me Ramën

“Bjellorusët i zgjidhin vetë punët, pa ndërhyrje të jashtme”