MENU
klinika

Do t'ju duhen

5 mënyra për të rifreskuar jetën në pranverë

06.04.2022 - 12:48

Prej natyre, pranvera është stinë e rigjenerimit, ringjalljes, rifreskimit. Këto veti ndikojnë edhe në gjendjen emocionale e psikologjike të njerëzve, po a mjaftojnë?

Duke e marrë pranverën si stimul, më poshtë prezantohen 5 mënyra për të “rifreskuar” jetën në pranverë.

1. Takoni miqtë

Të qëndruarit në ngrohtësinë e shtëpisë është karakteristikë e dimrit, gjë që shpesh na izolon nga të afërmit dhe miqtë tanë. Prej dy vitesh, situata është bërë akoma më e vështirë për shkak të kufizimeve kundër Covid-19, që janë akoma më të rrepta gjatë dimrit. Mirëpo me rritjen e temperaturave dhe heqjen e kufizimeve, asgjë nuk ju pengon të rigjeneroni energjitë duke takuar miqtë.

2. Ndryshoni gardërobën

Ndryshimi i stinës kërkon vetvetiu që ju të ndryshoni gardërobën. Seleksiononi rrobat e pranverës që keni aktualisht, pasi shumë prej tyre mund të mos ju nevojiten. Shfrytëzoni motin e mirë të pranverës për të bërë ndonjë blerje të re dhe zgjidhni kryesisht ngjyra të hapura. Do ju rregullojnë humorin, dhe këtë sezon janë në modë.

3. Provoni diçka të re

Nëse dëshironi të filloni një hobi të ri, të gatuani receta të reja ose të provoni një klasë të re stërvitje, pranvera është koha e duhur. Nismat që merren në pranverë ndryshojnë nga premtimet që i bëjmë vetes për Vit të Ri: presioni ndaj vetes është më i vogël, dhe moti është më në favor.

4. Dilni për ecje

Moti më i ngrohtë është mundësi e përsosur për të zhvilluar zakone më të shëndetshme, si të ecurit në natyrë. Shtimi i një shëtitjeje në rutinën tuaj ditore do ju sjellë avantazhe fiziologjike dhe psikologjike. Nëse ndiheni sikur koha juaj duhet të ishte më e dobishme, gjatë shëtitjes mund të dëgjoni në kufje ndonjë podcast, apo audiobook.

5. Përfshihuni në vullnetarizëm

Kontributi në një kauzë të mirë mund të jetë rigjeneruesi më efikas për ata që duan të ndihen rrënjësisht të gjallë. Mund të filloni me pak: dhuroni gjak; paketoni ushqime për njerëzit në nevojë; bëni kontribute për banorët e Ukrainës, kontribuoni për shpëtimin e kafshëve; ose thjesht përkujdesuni pak më shumë për njerëzit e afërt.