MENU
klinika

“Covid nuk rikthehet më nga Kina në Europë”

Alimehmeti: Dalja nga pandemia është sociale dhe politike

05.04.2022 - 18:35

Epidemiologu Ilir Alimehmeti, tha se nënvarianti BA.2 nuk është më i rëndë sesa Omicron. Sipas tij, shifrat që vijnë nga vendet ku ky version i koronavirusit u shfaq fillimisht në Danimarkë dhe Britaninë e Madhe, tregojnë se ai do të jetë, në mos është, dominues edhe në vendin tonë, përveç se në Europë.

I ftuar në Ditarin e A2 CNN, Alimehmeti tha se karantina nuk ka më kuptim në këtë pikë të pandemisë, por duhen parë shtrimet në spital, si i vetmi indikator për ecurinë.

“Strategjia 0 Covid nuk ka për të funksionuar, dhe nuk do të funksionojë. Doli një variant që e kapërceu popullsinë, gjeti një popullatë ku nuk ka vaksinime, dhe shifrat u rritën”, tha Alimehmeti duke iu referuar futjes në karantinë të Shangait, një qytet me 26 milionë banorë, të cilët janë izoluar për më pak se 900 raste. “94% e këtyre rasteve janë asimptomatike, kjo e fut te sëmundjet qartësisht të menaxhueshme. Por nga ana tjetër, këta e përhapin”, tha ai.

Megjithatë, epidemiologu siguroi se ka mundësi që virusi të rikthehet në Europë nga Kina. “Po ta shihni, Europa nuk i ka ndaluar fluturimet nga Kina, por është e kundërta”, tha ai.

Alimehmeti gjithsesi deklaroi se koronavirusi nuk do të zhduket, por duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me të. “Kjo është arsyeja bazë se strategjia e mbylljeve totale nuk do të funksiononte, vetëm sa do të shtynte kohën. Do të vijojë dhe do të shkojë drejt një sëmundjeje fëmijërie, shumica e të rriturve do ta ketë kaluar dhe do të transferohet te fëmijët. Futja në pandemi zakonisht bëhet nga një virus, por dalja, duke qenë se nuk ka kritere, është më tepër sociale dhe politike. Por duke parë shtrimet në spitale them se jemi drejt endemisë. Do të shkojmë drejt bashkëjetesës”, tha ai.