Prej 32 vitesh,Shqipëria përjeton sistemin demokratik,ndër sistemet më të përparuara të njerëzimit. Ne kemi vuajtur prej shekujsh, por dhe vuajtëm shumë gjatë 45 viteve nën komunizëm, ku epiqendra e “betejave” ideologjike ka qenë “lufta ndaj imperializmit amerikan, si rreziku kryesor i sistemit komunist”. SHBA, shihej, etiketohej, dhe sulmohej në çdo organizatë partie, në çdo plenium partie, në çdo kongres partie për 45 vjet. Sulmohej duke e quajtur madje edhe “tigër prej letre, që nuk ka ç’na bën”.
Pra me urrejtjen ndaj “imperializmit amerikan dhe vetë amerikanëve”, u rritën breza të rinjsh dhe të rejash, u formuan kandidatët dhe anëtarët e rinj të PKSH dhe më pas PPSH. Dhe ndër ata, më i devotshmi, ishte padyshim edhe ai, Sali Berisha,që pas 25 vitesh si komunist fanatik dhe me dobësi të theksuara ndaj shoku Enver dhe shokut Ramiz, do të bëhej kryetari i Partisë Demokratike. Ai erdhi asokohe në Tiranë nga Tropoja e largët, nga malet e Dragobisë, me premtimin “do të bëhem dikushi, do të bëhem mjek por ama pranë udhëheqësit”. Dhe e arriti diçka.
U bë mjek, pastaj kandidat dhe anëtar partie, pastaj pedagog, dhe arriti “majat” me sekretar i organizatës partisë në spital. Madje qëndroi gjatë edhe pranë familjeve të ish-bllokut. Ky pra ishte (para se të konvertohej në demokrat) Sali Berisha. Ai nuk i ndahej të ditëve të marta, ku zhvillohej rregullisht ora e sqarimit dhe formimit politik për stafin e spitalit. Ai ishte kritik ndaj çdo “shfaqje të huaj” dhe mbante qëndrime rradikale ndaj atyre që shkelnin “vijën e partisë”. Saliu ishte antiamerikan i thekur asokohe, dhe nuk dihet sepse pas 1992,u bë “proamerikan i lindur”. Vitet kaluan, dhe “proamerikani” Berisha pasi spastroi PD dhe terrenin, krijoi klanin e tij, dhe vuri goxha pasuri sa ishte president si fillim, dhe pastaj 2 herë kryeministër. Dhe vjen një ditë kur pasi shpallet “non-grata”, duke u rikthyer në origjinën e tij politike.
Vendimi i DASH-it, ishte një rrufe e madhe për ish-komunistin Berisha.Tanimë nuk kishte vlerë të mbante më “maskën e properëndimorit”, dhe i shpalli luftë të hapur “imperializmit amrikan”. Prej 2 muajsh, nga dita që u rikthye në selinë e Partisë Demokratike, Sali Berisha është fokusuar ashpër ndaj çdo amerikani. Nuk kursen presidentin Biden, sekretarin Blinken, ndihmës/sekretarin Eskobar, dhe mbi të gjithë ambasadoren Kim. Eshtë zakoni i vjetër, i çdo ish-komunisti, “lufta ndaj imperializmit amerikan”.
Sali Berisha, në vetëdijen e tij politike, e quan edhe sot e kësaj dite SHBA një “tigër prej letre”, dhe është i bindur se “do ta fitojë betejën me amerikanët”. Në formimin e tij të hershëm ideologjik, “amerikanët janë xhandarët e botës”, ndaj nuk kursehet në sulmet ndaj tyre. Sali Berisha e ka humbur sensin e të bërit politikë. Brënda tij, ngatërrohen botët dhe ideologjitë, duke përzierë atë komunisto-marksiste, me atë pluraliste. Por në qendër të betejës kryesore sot, ai ka luftën ndaj amerikanizmit, dhe ndaj çdo proamerikani që shfaqet brënda Partisë Demokratike. Eshtë zakoni i vjetër që e thërret, është jehona e viteve të dikurshme, që nuk i ndahet edhe sot e kësaj dite, duke e ngarkuar dhe pozicionuar atë, jo vetëm si antiamerikan, por edhe si rrezikun e vetëm të opozitarizmit në Shqipëri.