MENU
klinika

Ish-koloneli i FA: Kërcënim serioz për Kosovën

Beogradi po armatoset me raketa kundërajrore nga Kina?

11.04.2022 - 12:51

Ka reaguar ditën e sotme ish-koloneli i Forcave të Armatosura, Dritan Demiraj pas lajmit se gjashtë avionë kinezë të forcave ajrore transportuan mjetet e fundit moderne për mbrojtjen kundërajrore të blera në Kinë nga Serbia.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Demiraj shkruan se prokurimi, dërgimi dhe së shpejti instalimi i raketave kundërajrore me rreze të mesme kineze HQ-22, blerja e mjeteve të tjera të sulmit, asistenca ushtarake dhe me inteligjence të vazhdueshme nga Rusia ndërkohë që Serbia pretendon statusin e vendit neutral, përbëjnë një kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij ku kërcënim shtohet më shumë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën.

POSTIMI I PLOTË

NGA KUSH TREMBET SERBIA?
Që nga fillimi i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe sidomos ne momentin kur dy javët e fundit e gjithë bota po përjeton me optimizëm mposhtjen e ushtrisë ruse në tre frontet, kemi pasur gjithmonë e me pak reagime nga Beogradi zyrtar.

Është e sigurt se kjo humbje që në fakt ka befasuar shumë ekspertë ndërkombëtarë, po përjetohet me shumë ankth në Serbi.
Humbja e ‘vëllait të madh’ ka bërë që shumë lider “pacifistë” të Serbisë që nga presidenti Vuçiç, Ministri i Mbrojtjes Stefanoviç, Ministri i Brendshëm Vulin dhe Daçiç të ulin tonet dhe kërcënimet sa i përket mbrojtjes së komuniteteve Serbe, që në fakt asnjëherë nuk janë kërcënuar nga askush në rajon.
Por kjo farsë, nuk ka ndaluar procesin e armatosjes së Serbisë. Këtë fundjavë gjashtë avionë kinezë të forcave ajrore transportuan mjetet e fundit moderne për mbrojtjen kundërajrore të blera në Kinë nga Serbia.

Rritja e kërcënimeve rajonale, armatosja e vazhdueshme, mungesa e distancimit dhe vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë në një kohë që e gjithë bota po i zbaton ato, thirrja e vazhdueshme e SHBA dhe BE që edhe Serbia t’i zbatojë, kanë rënë në vesh të shurdhër.

Prokurimi, dërgimi dhe së shpejti instalimi i raketave kundërajrore me rreze të mesme kineze HQ-22, blerja e mjeteve të tjera të sulmit, asistenca ushtarake dhe me inteligjence të vazhdueshme nga Rusia ndërkohë që Serbia pretendon statusin e vendit neutral, përbëjnë një kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën.

Sistemi kundërajror HQ-22 është një sistem raketor modern prodhim i fundit, i cili ka një rreze veprimi 50 m deri në 27 km lartësi, rreze efektive deri në 170 km dhe raketa me peshë 180 kg. Ky sistem është i njëjtë me sistemin KA rus S-300.

Që nga viti 2020 dhe në vazhdim, zyrtarët e DASH-it e kanë paralajmëruar Beogradin kundër blerjes së sistemeve anti-ajrore HQ-22, versioni i eksportit i të cilit njihet si FK-3, por edhe për blerje të tjera armatimesh ofensive.

Tashme është e qartë për të gjithë diplomatët perëndimorë se Serbia nuk dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe aleancave të tjera perëndimore, por ajo thjesht shfrytëzon ndihmat e tyre financiare pasi orientimi i tyre është krejtësisht anti euroatlantik.
Si përfundim, këto zhvillime duhet të shihen me përgjegjësi nga qeveritë tona sidomos në Shqipëri dhe Kosovë, në mënyrë që të vazhdojë më tej investimi ne infrastrukturën e sigurisë kombëtare dhe në rritjen e kapaciteteve operacionale të forcave tona të armatosura.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN