MENU
klinika

"Punonjësit të dekurajuar nga tregu!"

Biznesi shqiptar vuan mungesën e fuqisë punëtore!

25.04.2022 - 20:04

Mungesa e punonjësve në shumë sektorë të ekonomisë po kthehet në një problem më të theksuar se sa kriza e punësimit që nisi me fillimin e pandemisë COVID-19.

Në një raport të Fondacionit të Trajnimeve Evropiane, thuhet se niveli i lartë i emigracioni i të arsimuarve në Shqipëri është një problem që mund të thellojë më tej mungesën e fuqisë punëtore të profesionistëve deri në 2030. Por jo vetëm të arsimuarit, por nëse largimet vijojnë, vendet e Ballkanit do të përballen edhe me mungesë të punonjësve me arsim të ulët e mesëm.

Për ekspertët, emigrimi masiv lidhet me zhgënjimin e qytetarëve për tregun vendas dhe sugjerojnë inventarizim të numrit të punonjësve që mungojnë.

“Inventarizimi i nevojave të tregut për profesionet me qëllim që të ri-dimensionohet e gjithë infrastruktura e nevojshme që nga sistemi arsimor deri tek kurset afatshkurtra për të papunët që të përshtaten me profile ku tregu ka nevojë”, tha eksperti për punësimin Erion Muça.

Përpos emigracionit, edhe mungesa e motivimit apo pagat e ulëta konsiderohen ndër faktorët kryesorë që kanë shkaktuar mungesë punonjësish në ekonomi.

“Bizneset një pjesë të mirë të fitimeve te tyre ta shpërndajnë në formën në rritjes së pagave dhe paketës së benefiteve për punonjësit e tyre”, pohon Muça.

Nga ana tjetër shqiptarët kanë njohuri të ulëta edhe për inovacionin. Organizata Botërore për Pronësi Intelektuale, në një raport që përfshin 132 vende të botës, rezulton se shqiptarët janë populli më pak inovator në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk është shoqëruar me platforma dhe mekanizma konkrete që të edukonin popullatën me qëllim që të zhvillojnë aftësitë e tyre digjitale”, thotë Muça.

Zhvillimi i inovacionit është një nga objektivat kryesore të qeverisë në këtë mandat të tretë, por qytetarët janë ende larg përvetësimit të njohurive për teknologjinë e informacionit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN