MENU
klinika

Sa do të shitet ne markete?

Bordi i transparencës mban të pandryshuar çmimin e vajit

13.04.2022 - 08:01

Bordi i transparencës për çmimet e shportës ka mbajtur të pandryshuar çmimin e tregtimit të vajit të lulediellit.

Në mbledhjen e zhvilluar për këtë javë bordi vendosi që çmimi i vajit të lulediellit për tregtimin me shumicë do të vazhdojë të jetë 315 lekë dhe për shitjet në supermarkete 321 lekë për litër.

Shitja e vajit të lulediellit në këto nivele ka mbetur i pandryshuar për 2 javë rresht. Në mbledhjen e zhvilluar më 29 mars bordi i transparencës përcaktoi që çmimi të ishte 299 lekë nga kompanitë e shumicës dhe 305 lekë për litër nga tregtarët e pakicës.

Me marzhin e pandryshuar të fitimit për grosistët 2 lekë dhe 4 lekë për supermarketet dhe me shtrenjtimin e çmimit të vajit ushqimor në tregjet e huaja nga 360 deri 430 lekë duke përfshirë koston e TVSH-së, aktorë të tregut pohojnë se janë dëmtuar disa operatorë, ndërsa të tjerë do të dëmtohen nga situatat e ardhshme.

“Pozicionet e operatorëve në treg do të ndërrohen. Mund të fitojnë ata që po humbasin sot dhe do të humbasin ata që aktualisht po fitojnë, pasi do të blejnë vajin e lulediellit me çmim më të shtrenjtë. Pra mesatarisht marzhi që është lënë në dispozicion nga bordi del i përgjysmuar”, pohoi për “Monitor” një nga importuesit e vajit të ambalazhuar në vend.

Pas nisjes të luftës, në tregun e shitjes me pakicë vaji i lulediellit ka pësuar rritjen më të lartë të çmimit në produktet e shportës ushqimore. Në muajin mars çmimi i vajit të lulediellit u tregtua 330 lekë për litër nga 249 lekë për litër që ishte në muajin shkurt (32,5% rritje). Pas kësaj periudhë çmimi u rrit edhe rreth 9% dhe arriti 370 lekë për litër.

Importuesit nënvizuan se rritja e çmimeve të vajit edhe për shkak të bllokimit të furnizimeve nga Rusia dhe Ukraina që përbëjnë 80% të prodhimit botëror të farës të lulediellit. Rusia, Ukraina, Hungaria, Serbia dhe Bullgaria janë furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar me vaj ushqimor luledielli.

Më pas e ndjekin edhe shtete të tjera të Europës, si Italia, Gjermania dhe Greqia, por në sasi më të vogël. Varësia e lartë nga importet ku luhatjet e çmimeve janë të shpeshta ka ndikuar për reflektimin e tyre me shpejtësi në tregun vendas.

Sipas të dhënave të doganave importet e vajit të lulediellit në 2021 u rritën 8% më shumë se 2020. Importet nga Rusia u rritën me 10% në 2021-n në krahasim me një vit më parë, duke përbërë 17% të totalit. Në të njëjtën linjë u rritën importet nga Hungaria (3,5%), Italia (4%), ndërsa importet nga Ukraina pësuan rënie 7%./ Marrë nga Monitor.al