MENU
klinika

"Energjia e shtrenjtuar po peshon gjashtë herë më shumë..."

BQE ngre alarmin për Eurozonën

26.04.2022 - 09:57

Rritja e çmimeve të energjisë godet më fort familjet më të varfra të Europës dhe i detyron ato të përdorin kursimet e tyre për të përballuar kostot në rritje.

Ky është alarmi i Bankës Qendrore Evropiane në buletinin e saj më të fundit ku analizohet rritja e cmimit të energjisë.

“Familjet marrin nga kursimet e tyre për të zbutur ndikimin që çmimet e larta të energjisë kanë në konsum”, shpjegon BQE, teksa vlerësohet se energjia më e shtrenjtë peshon deri në gjashtë herë më shumë për familjet e varfra.

“Provat empirike konfirmojnë se familjet po ulin ndjeshëm nivelin e tyre të kursimeve për të përballuar rritjen dhe shpenzimet e energjisë. Natyrisht, ndikimi nuk është i njëjtë për të gjithë. Me të njëjten rritje absolute të shpenzimeve për energjinë, masa e uljes së kursimeve mund të arrijë në pesë ose gjashtë herë me e madhe për familjet më të varfra. Kur shpenzimet për energji rriten, familjet reduktojnë blerjet e tyre të mallrave dhe shërbimeve thelbësore”, vlerëson BQE.

Teksa e gjithë Europa po përballet prej muash me inflacionin e lartë dhe miliona familje janë vënë në vështirësi për të përballuar faturat e larta, në Shqipëri qeveria ka vendosur një mburojë financiare për 768 mijë familje rezidente dhe 95 mijë biznese te vogla, të cilët sot paguajnë energjinë me të njejtin çmim si para krizës energjetike.

Qeveria Shqiptare ka premtuar se do të vijojë të mbrojë konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla nga rritja e çmimit përmes Paketës së Rezistencës Sociale e cila siguron 28 miliardë lekë financim për mburojën financiare të çmimit të energjisë.