Skuadra kampione në fuqi e NBA, Milwaukee Bucks, mori fitore e dytë radhazi dhe vazhdon të kërcënojë kreun në Konferencën e Lindjes, që mbahet nga Miami Heat. Bucks fituan 120-119 ndaj Brooklyn Nets pas kohës shtesë, në një ndeshje spektakolare mes dy ekipeve pretendente për titull këtë sezon.
Për kampionët u dallua i zakonshmi Giannis Antetokounmpo, me 44 pikë e 14 rebound. Ai u bë shënuesi më i mirë në historinë e Milwaukee Bucks.
Pas kohës shtesë fiton edhe Chicago Bulls, që mundi 135-130 Los Angeles Clippers, ndeshje ku u dallua DeRozan me 50 pikë. Zhgënjen edhe skuadra tjetër kaliforniane e Los Angeles Lakers, tashmë jashtë edhe zonës “play in”. Lakers, pa LeBron James dhe Davis në fushë, u mundën 122-109 nga Utah Jazz, sfidë ku diferencën e bënë Mithcell me 29 pikë dhe Gobert me 25.