MENU
klinika

“Budallallëku”, “kope”, “sëmundje ngjitëse”

Çfarë ndodhi sot në Parlament?

28.04.2022 - 13:02

Diskutimet në seancën e sotme parlamentare (28 Prill 2022) nisën me koncesionin për Parkun e Butrintit mes ministres Elva Margariti dhe deputetes së Partisë Demokratike në zonën e Sarandës, Ina Zhupa.

Në debat u përfshinë më pas Kryeministri Edi Rama dhe deputetë nga radhët e opozitës.

Por një deklaratë e bëra nga Rama, i cili për opozitën tha se “budallallëku në kopenë tuaj është sëmundje ngjitëse”, shkaktoi reagimin e deputetëve demokratë.

Në replika u përfshinë Kryeministri Rama dhe deputetët Edmond Spaho, Enkelejd Alibeaj dhe Tritan Shehu, të cilët kërkuan marrjen e masave disiplinore nga Kuvendi për fjalorin e kreut të qeverisë.

Rama i drejtohet opozitës: Budallallëku në kopenë tuaj është sëmundje ngjitëse

Kryeministri i vendit Edi Rama gjatë fjalës së tij në foltoren e parlamentit ka folur përsa i përket çështjes për Parkun Kombëtar të Butrinit.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka thënë se në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, Butrinti është njohur si një pronë e një subjekti fizik.

Po ashtu, kryeministri i është drejtuar opozitës duke iu thënë se të gjithë, pavarësisht krahut që mbajnë në këtë parti, janë pjesë e një kopeje pasi sipas Ramës flasin dhe argumentojnë të gjithë njësoj.

Edi Rama: Kjo është një temë shumë interesante për të rikthyer në sytë e publikut dallimin mes jush që nuk dini se çfarë flisni dhe nesh që dimë se çfarë bëjmë dhe dua të kujtoj si fillim që sot e gjithë ditën ka një pretendent, subjekt fizik për Butrintin si pronë familjare me pronë të njohur nga ju. I keni njohur pronën në teatrin e Butrinit një subjekti fizik. Këta jeni ju dhe budallallëku në familjen tuaj është sëmundje ngjitëse, e keni në ADN-në e partisë tuaj që të trashëgoni budallallëkun brez pas brezi dhe që ta bazoni të gjithë përsiatjen publike mbi të marrurit e njerëzve për budallenj. Ka një arsye degradimi juaj, ju jeni si ajo pjesa e ndarë nga e njëjta gjë përgjysmë, është komplet e njëjta gjë. Dhe vini e më flisni këtu për vlerat tona të trashëgimisë kulturore, ju që kulturalisht jeni kërcënimi më i madh për vendin tonë, agresioni më i madh, ju që jeni shembull, ju që kërkoni ta riktheni Shqipërinë në kohën kur luftoni me Amerikën.

Është sëmundje ngjitëse dhe kaq evidente dhe kur përplaseni me njëri-tjetrin jeni dy pjesë të së njëjtës gjë. Jeni ajo gjëja e ndarë përgjysmë. Edhe këtë të kartelës e kam dëgjuar nga ju, ka kohë dhe kjo e kartelës tregon dhe njëherë pse ju jeni e njëjta gjë edhe kur jeni të ndarë sepse përdorni të njëjtat argumenta dhe njerëzit kur ndahen për shkak të mospajtimesh politike, kulturore nuk i dallon dot po qe se dallohen nga fytyra, ju flisni njësoj. Budallallëku në kopenë tuaj është sëmundje ngjitëse sepse nuk ka kuptim që dikush që është kundër tij, flet si ai. Ky është fakt nuk është opinion, të cilin e vërteton e përditshmja juaj. Pavarësisht se jeni një njërën anë apo në tjetrën që është ndarë në mes.

Rama: Parku i Butrintit do të bëhet si themi ne, do të jetë pa përqindje karboni

Kryeministri Edi Rama ka replikuar në Parlament me opozitën për koncesionin e parkut të Butrintit, duke thënë se ky projekt do të zbatohet.

Sipas këtij projekti, kreu i qeverisë bëri të ditur se zona e Parkut të Butrintit do të jetë pa përqindje karboni.

“Nuk janë fitime që do merren dhe do shkojnë në Amerikë nga baret dhe restorantet që do ndërtohen në Butrint. Ju kur dëgjoni barin dhe restorantin keni si model Parkun Rinia. Parku i Butrintit do bëhet kështu si themi ne, sepse ne dimë se çfarë bëjmë, ju s’dini se çfarë flisni. Partneri ynë është fondacioni shqiptaro-amerikan. Nëse ju keni probleme me fondacionin shqiptaro-amerikan ky është problemi juaj. Ne e konsiderojmë partner shumë pozitiv ndër vite.

Parku i Butrintit do jetë e para zonë që do hyjë në hartën e zonave pa asnjë përqindje karboni, pra komplet e gjelbër, në sensin pa asnjë përqindje karboni nga aktivitete. Për të gjitha këto ne jemi shumë krenarë”, u shpreh Rama.

Rama – Edmond Spahos: Profesor, ke rrëshqitje të thellë në periudhën e fundit

Kryeministri Edi Rama dhe deputeti i PD Edmond Spaho janë përfshirë në debate lidhur me koncesionin e Parkut të Butrintit.

Gjatë replikave në Parlament, diskutimet kanë përfunduar edhe në rrafsh personal.

“Profesor hajde se do të dëgjoj me shumë interesa se kam parë që ke një rrëshqitje të thellë në periudhën e fundit nga qëndrimi stabël i joti tek e tatëpjeta anti-amerikane. Hajde dhe unë do mundohem të të mbaj në rrëshqitjen tënde të mos shkosh fare në greminë sepse në greminë do përfundoni ju po vazhduat t’i shkoni mbrapa të vdekurit që ju kujtoni se është gjallë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Por nuk vonoi as përgjigja e deputetit demokrat Spaho.

“Vetëm fjalë. Ja kalon dhe Gim Gjuzit që ka shitur minarenë e Tiranës. E dini ju thotë kush është fondacioni shqiptaro-amerikan? Se bota ka filluar me këtë. Po e dimë shumë mirë, është krijuar në ’93 madje kam qenë një nga përfaqësuesit e palës shqiptare në atë fondacion”, u kundërpërgjigj deputeti Spaho.

Zhupa: Ne denoncojmë aferën e Butrintit, kryeministri merret me ne

Gjatë fjalës në foltoren e Parlamentit, deputetja e PD-së Ina Zhupa ka folur për çështjen e Butrintit.

Zhupa ka thënë se opozita po denoncon aferën e Butrintit, ndërsa kryeministri merret me PD-në duke iu referuar fjalës së Ramës në Kuvend teksa e quante opozitën një “kope e infektuar nga budallallëku”.

Ina Zhupa: Kur gishti tregon Hënën, budallai tregon gishtin. Ne denoncojmë aferën e Butrintit, kryeministri merret me ne dhe jo me aferën. Nëse është dhënë pronë private ndonjëherë në Butrint, kryeministri mund ta çojë në SPAK. Nëse nuk do të shkelë në SPAK nga frika se mos i hapen çështjet e veta, le të ma japë mua se e çoj unë në SPAK çështjen. Butrinti do të jepet me koncesion, këtë nuk e mohoi as kryeministri. Në Butrint do të ndërtohen bare etj, këtë nuk e mohoi as kryeministri.

DASH në raportin e fundit për Shqipërinë thotë se korrupsioni është endemik në të gjitha degët. Na akuzoi si kope, në fakt ne nuk jemi një bandë, ne nuk kemi dy ish-ministra deputetë në burg. Me të njëjtin pasion, Rama mbrojti aferën e inceneratorëve.

Kjo gjë fillon që në vitin 2018, ligjin për trashëgiminë kulturore, i cili bie në kundërshtim me Konventën e Parisit të vitit 1972, ku Shqipëria dhe SHBA janë palë. Është interesante se në bord, ministrja Margariti prezantohet si emër jo si institucion. Në bord ka 5 persona dhe Margariti është vetëm 1 dhe nuk ka asnjë pikë që ka të drejtë vetoje. Butrinti i kalon privatit, 4 personave të tjerë që janë privatë, dikush të panjohur, dikush dhe të njohur dhe kjo është e zeza mbi të bardhë, është vendimi i gjykatës, është fakt. Ju arritët deri aty sa bëtë planin e menaxhimit të integruar të Butrinit pa përfshirë ekspertë dhe studiues shqiptarë, të cilët sot janë kundër.

Pse duhet të vijë një kompani e huaj dhe të mos marrë asnjë shqiptar?! Ne rrezikojmë historinë shqiptare, identitetin tonë. Ne nuk mund ta lejojmë këtë. Jemi këtu për të mbrojtur atë që ju po përpiqeni ta vidhni me ligje. Qeveria juaj ka vendosur që Butrinti të trajtohet si objekt tregtar. Ju ju interesojnë paratë që fitoni nga Butrinti, jo Butrinti. Ju e trajtoni si biznes dhe e keni pohuar vetë dhe ia keni fshehur shqiptarëve që të mos shikohen milionat e eurove që parashikohet të merren nga xhepat e tyre.

A e mendoni se kjo është në interes të qytetarëve shqiptarë?! Në interes të trashëgimisë kulturore?! Kjo bëhet në interes të një privati që pasurohet nga Butrinti dhe që e palçkisin çdo ditë. Mos u habisini kur të vijë një projektligj: Jepet Shqipëria me koncesion.

Alibeaj: Keqardhje për gjendjen mendore të Ramës; Kryeministri: Nëse u ndjetë dele, problemi juaj

Deklaratat e bëra nga Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit në Parlament kur për opozitën tha se “budallallëku në kopenë tuaj është sëmundje ngjitëse”, shkaktoi reagim të ashpër nga radhët e deputetëve demokrat.

Enkelejd Alibeaj u shpreh se “ndjen keqardhje për gjendjen mendore” të Kryeministrit dhe kërkoi nga kryeparlamentarja që të respektohet Kodi i Sjelljes në Parlament.

“Tha 13 herë fjalën budalla, i budallenjve, kopeja e me radhë. Ndiej keqardhje për gjendjen mendore të tij. Në këtë parlament ka ca rregulla, kemi një kod sjelljeje ne zonja kryetare. Dhe Kodi i Sjelljes i miratuar nga ky Kuvend, në nenin 6 thotë që duhet sanksionuar deputeti i cili përdor gjuhë jo parlamentare. Dhe sapo ndodhi. Duhet sanksionuar nga juve, pavarësisht se është ulur aty poshtë jush për të vendosur seriozitetin në këtë sallë. Për historinë e budallenjve apo jo, apo të hajdutëve, këtu mund të jenë dhe shumë të rinj që ndoshta dikur kur zotëria ishte ministër i Kulturës dhe e mban mend ai, ka një të dhënë të dokumentuar në analet e këtij kuvendi; ikonat kur ky ishte ministër i mori i çoi në Gjermani dhe nuk u kthyen kurrë këtu”.

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama në replikën e tij tha se nuk përdori ofendime ndaj askujt.

“Tek gjuha ndahemi, ju keni një model bazik. Ne e kemi çikë ndryshe punën e gjuhës. Nuk i thashë asnjërit nga ju budalla. Unë thashë juve keni budallallëkun sëmundje ngjitëse në kopenë tuaj. Nëse për ndonjë moment u ndjetë dele ku është problemi juaj. Edhe njerëzit kur bien në nivelin tuaj kthehen në kope. Nëse do hyjmë te gjuha parlamentare, juve nuk duhet të hynit në Parlament më kurrë. Juve shani, shani dhe shani me fjalë të cilat përbëjnë akuza penale. Për mua nëse dikush më thotë budalla, s’kam asnjë problem, është një opinion. Por nëse dikush më thotë kriminel, patjetër që kam problem. Kriminel, hajdut, etj. dhe përsëri z.Alibeaj t’i provove që je absolutisht e njëjta gjë si ai me të cilin me demek je kundërshtar sot. Sepse the unë kam çuar ikona në Gjermani, këtë e ka thënë ai. Thjesht vërtetoni atë që them unë, prandaj nuk ju voton njeri. Ju jeni kopje të zbehta dhe të shëmtuara të tij për fat të keq”, u kundërpërgjigj Kryeministri Edi Rama.

Gjuha e Ramës në Parlament/ Tritan Shehu kërkon masa ndëshkimore ndaj Kryeministrit

Pas debateve dhe replikave në Parlament mes Kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve demokratë Edmond Spaho dhe Enkelejd Alibeaj, deputeti i PD Tritan Shehu kërkoi nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla që të merren masa disiplinore për gjuhën e përdorur nga Kryeministri.

Në fjalën e tij, Shehu tha se opozita u etiketua “budallenj” e “kope” nga Kryeministri dhe kërkoi që të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të marrë masa ndëshkimore ndaj Ramës.

“Që opozita disa herë të ngrejë zërin më tepër se fundi fundit opozita vetëm fjalën ka dhe kjo ndodh kudo, por që të insultohet në këtë mënyrë opozita nga Kryeministri i vendit kjo është e papranueshme gjëkundi, që të kalohen të gjitha normat etike të bashkëdialogut dhe debatit kjo është e papranueshme zonja kryetare dhe procedura nuk e lejon këtë gjë. Ju si kryetare, ju takon juve në moment të ndërprisni fjalën, kushdo qoftë Kryeministër, ministër apo deputet. Kur kalohen këto caqe kaq të rënda etike të cilët realisht po shkelen në këtë mënyrë në parlamentin tonë, prandaj zonja kryetare ju qëparë kërkuat t’i ndërprisnit fjalën zonjës Zhupa sepse tha diçka, kritikoi se doli nga rendi i ditës, ndërsa ndërkaq kur ne quhemi kope, budallenj, hajvan nuk paska dalë njeri nga rendi i ditës.

Ç’është kjo zonja kryetare, janë dy standarde këtu në një parlament? Parlamenti është parlament, nuk lejohet kjo gjë. Prandaj ne po e degjenerojmë kështu parlamentarizmin shqiptar. Kur e fillon qeveria, Kryeministri, mazhoranca padyshim është provokacioni më i rëndë që mund t’i bëhet opozitës, e cila siç e thashë nuk ka asgjë tjetër përveç fjalës. Prandaj unë zonja kryetare, ju kërkoj juve sepse ju jeni kryetarja të mblidhni urgjentisht, të ndërpritet seanca, të kërkoni mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, të merrni masë ndëshkimore për kryeministrin për shkelje të etikës dhe të elementëve të bashkëdialogut në parlament, e ke në rregullore këtë gjë, e thotë rregullorja këtë është e drejta juaj, unë si deputet bëj kërkesën time dhe i kërkoj dhe kryetarëve të grupeve parlamentare që janë këtu të ngrihen dhe të kërkojnë ndërprerjen e seancës dhe mbledhjen urgjente të kryetarëve tashmë për të marrë masa sipas rregullores ndaj kryeministrit për ofendimet kaq të mëdha që ai na bëri neve të gjithëve.

Unë nuk ofendoj njeri kurrë, por nuk pranoj as të ofendohem ama, unë nuk jam as kope, as budalla dhe asgjë tjetër. Prandaj ju kërkoj juve dhe kryetarëve të grupeve parlamentare, ja ku është zoti Alibeaj dhe zoti Balla, kërkoni tashmë ndërprerjen e seancës dhe mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të marrë masa ndëshkimore ndaj kryeministrit për shkelje të etikës dhe nivele të bashkëpunimit në një parlament”, deklaroi deputeti i PD Tritan Shehu.