MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Cilat janë format e trajtimit të obezitetit?

29.04.2022 - 10:40

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Cilat janë format e trajtimit të obezitetit dhe si ndikon në psikikën e personit obezë arritja e rezultateve pozitive në trajtim?

Mjeku: Trajtimi i obezitetit synon të arrijë një peshë normale dhe të mbajë sa më gjatë, mundësisht për gjatë gjithë jetës peshën normale. Sadopak të kemi rënie në peshë te obezët, do të kemi përfitime maksimale në të gjithë elementet e lidhur me peshën.

Arritja e sukseseve sado modeste, sjell nga ana tjetër edhe një stimul psikologjik dhe ndjenjën e vetëkontrollit të mirë të organizmit. Është e pamundur të arrihet reduktimi i peshës trupore duke u fokusuar vetëm në njerën anë, për shembull, vetëm në dietë apo vetëm në veprimtarinë fizike. Ndaj dhe trajtimi i obezitetit është kompleks dhe relativisht i vështirë.

obezitetiElementi i parë që duhet të tentohet të normalizohet te individët obezë, është ndërgjegjësimi dhe informimi i tyre rreth ushqyerjes dhe dietave.

-Të gjithë obezët, pa përjashtim, duhet të reduktojnë në mënyrë domethënëse marrjen e sheqerit, karbohidrateve të rafinuara, produkteve të gatshme me përmbajtje yndyrore etj.

-Në orientimet dietike që u jepet këtyre të sëmurëve, tentohet në ulje totale të kalorive ditore, gjithmonë synohet të arrihet si objektiv i parë një ulje rreth 10% të peshës trupore mundësisht brenda 2-3 mujorit të parë të regjimit të ri.

-Dietat duhet të orientohen drejt produkteve bimore të pasura me fibra dhe të varfra me kalori. Këshillohen gjithashtu të gatuhen pak, të mos përpunohen apo të shtohen elemente të tjera në gatim, si p.sh yndyrna, vajra etj.

-Nuk duhet të prishet balanca ditore e makronutrientëve, sërish karbohidratet natyrore duhet të përbëjnë 50-60% të dietës, yndyrnat jo me shumë se 15-20% të dietës, duhet të kufizohen yndyrnat shtazore dhe preferohen më tepër sterolet, fitosterolet, pra yndyrnat me origjinë bimore, si përshembull nga arrat, bajamet, kikiriku, fistak, vaji i ullirit etj.

-Duhet të reduktohet sasia e brumrave, kryesisht e bukës, gjithashtu preferohet buka integrale, por edhe makaronat, orizi dhe drithërat e tjera duhet të jenë të tilla (të papërpunuara ose integrale) në mënyrë që të marrim më pak kalori dhe të sigurojë sasinë e mineraleve dhe fibrave të duhura.

-Nuk rekomandohet ndërprerja e ushqimeve në mënyrë të menjëhershme, por synohet të zvogëlohen vaktet në sasi dhe kalori dhe të mos lihet kohë e gjatë pa u ushqyer mes vakteve në mënyrë që organizmi të ndiejë gjendje urie.

-Kështu regjimi ideal do të ishte që të merreshin tre vakte kryesore, por të reduktuara në kalori, si dhe 2-3 nënvakte (zemër), kryesisht me ushqime të thjeshta, fruta etj.

-Nuk duhet të harrojmë dhe përdorimin e ujit, rekomandohet marrja e 6-8 gotave uji në ditë. Uji është element i domosdoshëm në rritjen e metabolizmit.

-Kategorikisht duhet të ndalohen të gjitha produktet e gatshme fast-food, ëmbëlsirat me karbohidrate të përpunuara, pijet energjike me sheqer, biskota, çokollata dhe shumë asortimente të tjera të gatshme.

-Aktiviteti fizik është element i rëndësishëm në menaxhimin e obezitetit, sa më shumë lëvizim, aq më shumë energji harxhojmë.

-Për të humbur 1 kg dhjamë tek një obez duhet që të harxhohet 8 mijë kalori. Sugjerohet një fillim gradual i aktivitetit fizik, dhe jo direkt me përpjekje apo aktivitete të rënda, për shembull, mund të niset me një ecje të lehtë sportive e më pas me sporte në natyrë, ku më idealja rekomandohen të ushtrohen sporte të tilla, si: gjimnastika, atletika, noti etj.

-Ne këshillojmë jo më pak se 60-90 minuta aktivitet fizik në ditë, sa më intensiv të jetë aktiviteti fizik aq më shumë kalori digjen.

-Gjithmonë suksesi i rënies në peshë konsiston në gërshetimin e mirë të dietave, aktivitetit fizik dhe një gjumi të mirë.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dr. Dritan Subashi, Obstetër-Gjinekolog

A duhet të hiqni dorë nga veganizmi gjatë shtatzënisë?