Deputetja e Partisë Socialiste në Dibër, Aurora Mara, dha dje votën pro marrjes së një borxhi 80 milionë euro për një projekt të Ujësjellësit të Tiranës, i cili merr ujë nga burimi i Gurit të Bardh në Bashkinë Klos për banorët e kryeqytetit.
“Përderisa burimi i ujit është në një zonë ku unë jam deputete e zonës. Faktikisht uji është një aset kombëtar dhe, si i tillë, duhet përdorur aty ku është e nevojshme. Por unë besoj se do të ketë hetim dhe vlerësime të zonës nëse masa e ujit që kalon për kryeqytetin u sjell probleme banorëve të zonës. Unë besoj se të gjitha procedurat do të ecin sipas ligjit, por pyetja është nëse masa e ujit që do të merret, do të sjellë probleme për banorët e zonës”, u shpreh Aurora Mara.
Por ndryshe nga deputetja e PS-së, deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, e kundërshtoi me notë proteste këtë projekt. Sipas saj, nëse burimi i fshatit Guri i Bardhë do të merret për të furnizuar me ujë banorët e kryeqytetit, mijëra banorë të disa fshatrave të Bashkisë Klos, ku ajo është zgjedhur deputete, do të mbesin pa ujë të pijshëm dhe për të vaditur.
“Unë jam e revoltuar dhe protestoj në emër të mijëra banorëve të Bashkisë KLOS. Kjo është një ide e vjetër për të marrë ujin nga Guri i Bardhë. Banorët atje kanë vazhduar të protestojnë. Është e tmerrshme që të merren 80 milionë euro për të tharë disa fshatra, një zonë të tërë të Bashkisë Klos, Gurin e Bardhë, fshatin Fshat, Xibrin, Xibër Murrizin, Shëngjunin. Janë disa fshatra që thahen.
Thahen për ujë të pijshëm dhe për të vaditur. Kësaj babëzie i shtoj edhe mungesën e kuadrit ligjor. Ligji për qeverisjen vendore përcakton qartë se kur ndërhyhet në juridiksionin territorial të një bashkie tjetër, duhet të ketë marrëveshje. Në vitin 2019, Këshilli Bashkiak i Bashkisë Klos e refuzoi këtë projekt. Ata refuzuan që të merrej uji.
Ai është burim i vlefshëm dhe janë mijëra banorë që, nëse u merr atë burim, janë në thatësirë ekstreme. Ju po e shkatërroni Gurin e Bardhë, ndonëse thoni se e keni shpallur fshat turistik. Z. Përfaqësues i Bashkisë Tiranë, se të tjerët aty janë aksesorë, reflektoni për të mos varfëruar ata banorë. Babëzisë së këtij projekti i shtohen edhe tri HEC-e që nuk lejnë asnjë pikë uji në atë zonë”, tha Çupi.
REAGIMI
Projektligji për marrjen e borxhit 80 milionë euro nga Banka Europiane e Investimeve në Komisionin e Ligjeve u mbrojt nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku. Ky i fundit iu përgjigakuzave duke theksuar se uji është aset kombëtar dhe përdoret atje ku ka më shumë nevojë.
Ndërkohë, garantoi se do të lejohet uji për të përmbushur nevojat e banorëve të zonës.
“Është e rëndësishme që të sqarohet se investimi ka dy komponentë, i pari është shtimi i një burimi ekstra dhe pjesa e dytë është unaza e presionit të qytetit, që është një investim madhor. Siguron që në të gjithë hapësirën e qytetit të ketë presion të barabartë uji. Uji është një aset kombëtar. Dhe shumë zona të qyteteve furnizohen me ujë nga njësitë e tjera. Kjo bëhet pa e dëmtuar zonën, pa e dëmtuar nevojën e tyre për ujë.
Afati i punimeve fillon në mesin e vitit 2023 dhe kanë një periudhë disbursimi për 3 ose 4 vite, derisa veprat të jenë plotësisht në punë. Marrëveshja për huan nuk sjell nevojën për rritjen e çmimit të ujit. Në çdo rast, kur bëhet një vepër ujore, duhet të sigurohet që banorëve të zonës të mos u mungojë uji.
Duke qenë se është një program që investohet nga Banka Europiane e Investimeve bën impaktin mjedisor dhe social për çdo vepër që bën. Mbi faktin e rigorozitetit të institucioneve tona, fakti që kemi hua nga Banka Europiane e Investimeve, është një garanci shtesë”, tha nënkryetari i Bashkisë, i cili mori edhe aprovimin e kryetares së Komisionit të Ligjeve.
“Burimet ujore janë pasuri kombëtare, ndaj kemi një ligj për menaxhimin e burimeve ujore. Më pas ka procedura që përcaktohen se sa duhet të merret. Shpresoj që të kapen afatet e realizimit të projekteve”, tha Klotilda Bushka./Panorama