MENU
klinika

Nga Lutfi Dervishi

Disa pyetje për “krizën” e radhës…!

06.04.2022 - 19:57

Paralel me lajmi se nesër kthehen reshjet e shiut në të gjithë vendin, sot diskutohet lajmi se dy anije do të ankorohen në Vlorë të cilët do të prodhojnë energji duke rritur kështu prodhimin energjitik në vend. wowww!

Disa pyetje?

Çfarë është kjo marrëveshje?

Kush janë palët nënshkruese?

Kur do të mbërrijnë anijet në gjirin e Vlorës?

Sa energji do të prodhojnë?

Për sa kohë?

Me çfarë kostoje del energjia?

Kush do të paguajë për këtë energji?

A ka patur më parë (në vite) oferta për anije që prodhojnë energji me naftë?

A ka ndonjë konsideratë për ndotjen?

Mungesa e transparencës për të dhënë përgjigje për pyetje të thjeshta dhe paraqitja e këtij aksioni si shpëtim përballë krizës që “ka kapur gjithë planetin” ngre dyshime për rrugën e ndjekur në përballimin e krizës së radhës.

Shqipëria prodhon energjinë 99.99% nga uji. Diversifikimi i energjisë është debat të paktën 20 vjeçar. Për një ditë të zezë u ngrit TEC i Vlorës. Më tej u fol se nuk do të punojë më me nafta, por do të punoj me gaz. Përveç 100 milionë dollarë që ka marrë ndërtimi, janë dhe dhjetëra milionë dollarë të tjerë të shpenzuar për mirëmbatjen, pa prodhuar asnjë kilovat orë energji.

Kriza energjitike, si çdo krizë tjetër, nuk zgjidhet sot me nesër. Kriza zgjidhet me politika dhe rezultatet e politikave në energji duan kohë. Prandaj e kemi qeverinë, që të mendojë, të bëj strategji, të planifikojë, të vendosë cili është prioriteti për të investuar. Druaj se po bëhet e modës që për çdo problem zgjidhjen ta kërkojmë te aksioni.

Shqipëria prodhon 99% të energjisë me ujë, Kosova 99% të energjisë nga qymyri. U bë legjendë historia e ndërlidhjes së sistemit energjitik dhe këmbimi energjisë. Kur kemi mundësi mund të “depozitojmë” në Kosovë dhe anasjelltas.

Një vend që ka ujë me bollëk dhe ujë të bekuar që prodhon energji, një vend me 300 ditë me diell, një vend ku kalon tashmë edhe TAP, nuk ka arsye të shpallë alarme dhe panik.

Sot qeveria mburret se do të mbajmë të pandryshuar çmimin – a thua se ka qenë opozita që ka kërcënuar që mund të rritet çmimi energjisë për qytetarët.

Nga mëngjesi deri në darkë fjalët kyçe që dalin nga goja e qeveritarëve janë: luftë, krizë, sfidë, vështirësi, rritje çmimesh. Në fakt këto fjalë mund t’i përdorte opozita e cila sot flet për “paqe”, bashkim, zgjidhje, ulje çmimesh etj. Kur flasim për energji, duhet të kemi parasysh se përveç energjisë, njerëzit kanë nevojë edhe për energji pozitive! Ndryshe kthehemi dekada pas, kur jeta ishte luftë me të gjithë armiqtë e Shqipërisë. Tani duket se jeta është luftë me çdo krizë që kalon në planet. Për më tepër tashmë kemi një përvojë tejet të hidhur me situatat kur shpallim emergjencë dhe nxitojmë për zgjidhje siç është rasti i Incineratorëve.

Nëse do të kishte mirëadministrim nuk do të katandiseshim këto ditë si personazhet e Kadaresë te “Kështjella” që zgjidhjen e presin nga “daullet e shiut”. Nëse do të liberalizonim tregun për prodhimin e energjisë diellore dhe dhe të kishte politika nxitëse për këtë burim energjie- sot do të flisnim për luftën në Ukrainë dhe jo për anije që do të prodhojnë energji në brigjet e Vlorës. Dhe gjëja që të tremb është se NUK e dimë faturën që na pret!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN