Festat fetare kanë një shënjueshmëri të veçantë për besimtarët e tyre, por kanë edhe një kuptim tjetër për ne të gjithë. Kush më shumë e kush më pak përpiqet të identifikohet me këto festa dhe, me qenë se në rrethin familjar të secilit prej nesh, më së shumti, gjenden përzierje emrash që mbajnë shënjueshmëri fetare të ndryshme, të gjithëve në përshkon kjo atmosferë festash qoftë atëherë kur jemi në vigjilje dhe në ditën e Pashkës, qoftë kur kujtohemi se një pjesë e madhe prej nesh agjërojnë dhe po kalojnë muajin e madhërishëm të Ramazanit.
Në qendër të Tiranës, përbri Kuvendit të Shqipërisë është në përfundim Xhamia e Madhe e Tiranës, e ndërtuar vetëm disa dhjetëra metra larg nga Katedralja Katolike ku ka selinë Arqipeshkëvi i Tiranës dhe Durrësit dhe vetëm disa qindra metra larg Kishës Ortodokse. Por nëse do të ngjitesh në ndonjë nga ndërtesat shumëkatëshe, si ajo që po përfundon përballë këtyre godinave në krah të ETC-së, ti do të vëresh edhe selinë në ngjyrë jeshile të Bektashinjëve, e vetmja në botë ku ka selinë Babai i këtij urdhri.
I gjithë ky dekor ngjan me një skenë të madhe teatri qytetar që çudit vetëm të huajt, sepse shqiptarët nuk janë të përshkuar nga ndjenjat e thella të besimit. Nuk e di si mund të quhet vetëdija e tyre që është thuajse e paprekur nga të gjitha ideologjitë që kanë shkuar e kanë kaluar mbi ta, kjo lloj shqiptarësie që në fakt është një identitet i pakuptueshëm për të huajt. Nëse bota dhe sidomos Europa, vijon t’i vlerësojë entitetet nacionale që ndodhen jashtë saj me qendra si në Ballkan apo në Lindjen ish-komuniste, me po ato emërtime që ishin të njohura qysh në shekullin XIX, atëhere i bie që ne, shqiptarët, vijojmë ende të përshkruhemi ose të ndjehemi prej tyre si një entitet absurd. Kristianizmi që përshkon gjithë vetëdijen europiane dhe që ndodhet i fshehur në të gjitha kuptimet dhe përfytyrimet e tyre për ata që nuk janë të tillë, është masa e vetme dhe e pandrysheueshme me të cilën Europa e vjetër na mat dhe na vlerëson ne, shqiptarëve.
Është e vërtetë se Europa e vjetër bën thirrje për tolerancë fetare, për mirëkuptim dhe bashkëjetesë mes besimeve, mirëpo nuk është e vërtetë ajo që ndodh sapo atyre u shfaqet në vështrim tjetri që është i ndryshëm prej tyre. Franca më shumë, por edhe Gjermania, po ashtu, janë vendet që ushqejnë më së shumti këtë identifikim të tjetrit sipas kriterit kristian.
Pas agresionit kriminal të Rusisë mbi Ukrainën, teza e Samuel Hantigtonit për fundin e historisë « The End of the story » dhe përplasjen e qytetërimeve « Clash of Civilisation » duket se janë vënë në diskutim, sepse siç thonë të tjerë filozofë, historia përsëritet dhe dhuna nuk asgjësohet nga vetëdija e njeriut.
Në këto ditë Pashkësh dhe agjërimi të muajit të Ramazanit, asnjë thirrje e Papa Françeskut për të ndaluar luftën nuk bëri punë. Madje Kirili, Patriarku i Rusisë e bekoi agresionin mbi Ukrainën duke asgjësuar me këtë rast edhe filozofinë e paqes që ka në thelb feja.
Bota është bërë më e pasigurtë dhe duket se të gjitha ideologjitë janë asgjësuar dhe ashtu siç ndodhi gati 100 vjet më parë me Hitlerin, edhe tani, mjafton një ideologji e paasgjësuar që ngrihet mbi përfytyrimet perandorake dhe mbi armiqësinë kundër Perëndimit, mjafton edhe një udhëheqës skizofren dhe rendi i botës tronditet. Putini është simboli i pjesës së errët të vetëdijes kolektive që mban ndezur urrejtjen dhe zjarrin e armëve për të rikrijuar harta me kufij imagjinarë që vijnë nga kohërat kur identitetet kombëtare ndërtoheshin me shenja që vijnë nga projektimi imagjinar i kombit që shtrihet mbi hapësirën e tjetrit dhe nga ajo kohë që luftën e quan mjet për të lartësuar krenarinë e një kombi që ka zgjedhur nënshtrimin ndaj princit dhe perandorit.
Mirëpo në Shqipëri është ditë Pashkësh dhe muaji i madhërishëm i Ramazanit është në përfundim. Dekorit të teatrit ku luhen pjesët melodramatike të narrativës fetare po i shtohet edhe godina e Xhamisë së Re dhe kështu ne, shqiptarët, do të vijojmë të shfaqemi më të pakuptueshëm për të tjerët, por të njëjtë dhe të pandryshueshëm për Europën e vjetër. Harmonia fetare, bashkekzistenca e besimeve të ndryshme dhe shqiptarësia si shenjë e këtij identiteti jo vetëm që nuk kuptohen dot në këtë Europën e vjetër, por e bëjnë më të vështirë qasjen tonë me të.
Pikërisht kjo shpjegon pse amerikanët dhe shqiptarët kuptohen dhe janë më afër njëri-tjetrit. Në mënyrë paradoksale identiteti i shqiptarësisë që formohet jo duke u projektuar mbi një besim të vetëm, por duke u ndërtuar mbi këtë harmoni ngjet me identitetin amerikan që ndërtohet po ashtu mbi shumëllojshmërine e projektimeve identitare dhe fetare.
Mirëpo problemi i madh është se këtë identitet që quhej në kohën e Vaso Pashës – feja e shqiptarit është shqiptaria, ne nuk po arrijmë ta tregojmë ashtu siç duhet. Brenda vendit ky identitet shfaqet në shkallmimin e çdo vlere që krijohet dhe në triumfin në shumë raste të anëve të errëta të vetëdijes kolektive. Krenaria, trimëria, guximi dhe virtytet të tjera që i përmendim pa pushim nuk na kanë ndihmuar që të ndërtojmë një entitet shoqëror që sakrifikon për të mirën e përgjithshme, por na ka bërë që të shfaqemi në sy të asaj Europe që nuk na vlerëson keq dhe nuk na kupton si heronj të krimit dhe guximtarë të botës së errët të sfidës kundër ligjit.
Drama jonë e madhe është se përse nuk i bindim të tjerët dhe sidomos Europën plakë për vlerat që kemi si kampionë të tolerancës dhe të bashkëjetesës paqësore fetare, pra, për këtë anë të shqiptarësisë që është edhe vlerë europiane.
Si ka mundësi që nuk arrijmë ta eksportojmë këtë markë të qytetërimit shqiptar ? Nuk besoj se është faji i Europës plakë në këtë rast.