MENU
klinika

Kultivimi i hashashit!

Dokumenti: cili qe qëndrimi i Zogut dhe ai i Enveri Hoxhës?

29.04.2022 - 15:11

         Historia e hashashit për shqiptarët është sa e vjetër, aq dhe e re. E njohur si fjalë dhe produkt shumë herët, vazhdon të shfaqet aktualisht, por me emërime dhe efekte të reja.

Në regjimin e monarkisë është përdorur si mjekim alternativ, për qetësim të dhimbjeve të ndryshme. Në epokën e komunizmit ka qenë një produkt eksporti, etiketuar si bimë medicinale. Qeveritarët e Zogut, aty nga fillimi i viteve ‘30, duke parë efektet negative gjatë përdorimit, kanë ndaluar me ligj prodhimin dhe përdorimin e hashashit.

Nga: Afrim Imaj

Gazeta “Panorama.al” zbardh sot për herë të parë dokumentin zyrtar me firmën e kryeministrit të kohës. Të njëjtën gjë ka bërë dhe qeveria komuniste në vitin ‘46, menjëherë pas luftës. Kur ishte harruar gjithçka rreth kësaj bime çudibërëse, autoritetet e regjimit kanë zyrtarizuar prodhimin e saj, por në një formë të maskuar.

Tashmë njohur si bimë medicinale, kanabisi apo marijuana, etiketuar në shqip hashashi, kultivohej në ndërmarrje e kooperativa shtetërore, jo vetëm me bekimin e shtetit, por dhe përkujdesjen e tij. Veçanërisht në fundin e viteve ‘70 dhe vitet ‘80 sipërfaqet e mbjella me të janë trefishuar. Ka qenë uria e tregut ndërkombëtar dhe uria e financave të shtetit shqiptar, përfshirë në atë kohë në krizë të thellë, arsyeja kryesore që ka diktuar rritjen e kapaciteteve për prodhimin dhe eksportimin e hashashit. Përskaj kësaj historie shfaqet në ditët e sotme nevoja e rilegalizimit, për nevoja mjekësore, siç shprehen qeveritarët pas një këshillimi popullor…

QEVERIA E ZOGUT: HASHASHI, I DËMSHËM NË ÇDO PIKËPAMJE

Hashashi në fillimet e monarkisë nuk ka qenë as i lejuar dhe as i ndaluar. Në vitin 1931, nuk dihet nga çfarë rrethanash, qeveria e Zogut është detyruar ta ndalojë me ligj kultivimin e tij. Një dokument i kohës bën me dije se me kërkesë të Prefekturës së Korçës dhe pas studimit të hollësishëm të informacionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, me propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave, i kryesuar nga Pandeli Evangjeli, mori vendimin numër 178, datë 27.3.1931, për të anuluar lejen e dhënë një subjekti për mbjelljen e hashashit, me arsyen se prodhimi i kësaj bime konsiderohej i dëmshëm nga çdo pikëpamje.

“Këshilli i Ministrave, konfirmon dokumenti në fjalë, vendosi në unanimitet bllokimin e lejes që zoti Avni Qaniu posedon për mbjelljen e hashashit”. Pra, më herët, siç rezulton nga shkresa, autoritetet e kishin legalizuar, madje prodhuesit privat pajiseshin me licencë dhe leje për kultivimin dhe tregtimin e hashashit. Sakaq, askund në dokumentet e kohës nuk ka të dhëna konkrete nëse lejohej për përdorim. Gjithsesi, kujtimet e bashkëkohësve bëjnë me dije se hashashi përdorej rëndom për të qetësuar dhimbjet e dhëmballëve dhe gjerësisht për të vënë në gjumë fëmijët e vegjël. Shfrytëzohej kësisoj efekti qetësues, si një mjekim alternativ.

HASHASHI NË KOMUNIZËM, PRODHIM EKSPORTI

Në vitin 1946, qeveria komuniste ka nxjerrë një ligj për ndalimin e kultivimit të hashashit. Pavarësisht se qeveritë e mëparshme, duke futur dhe atë të Zogut, e kishin ndaluar me ligj, autoritetet zyrtare të pasluftës kishin konstatuar se hashashi ishte prezent si në kultivim dhe në përdorim. Me zbardhjen e ligjit të ri, në një kohë të shkurtër u asgjësuan bimët e mbjella ilegalisht dhe u zhvillua një aksion masiv për dënimin e përdoruesve. Disa vite më vonë, qeveria shqiptare, duke parë leverdinë ekonomike të kësaj bime çudibërëse, vendosi ta kultivojë, tashmë me emërimin bimë medicinale mjekësore. Për dekada me radhë, ajo është kultivuar në mjaft kooperativa të tipit kodrinore-malore nga veriu në jug të vendit, duke ruajtur të paprekur hapësirën e tokave të destinuara për prodhime bujqësore.

Klima me shumë ditë me diell dhe rezervat e pashtershme të ujit, garantonin jo vetëm prodhim të bollshëm e cilësor, por edhe një kërkesë në rritje nga tregu ndërkombëtar. Fakt është se të ardhurat e siguruara nga eksporti i hashashit Made In Albania, ekonomia shqiptare përfitonte jo pak. Gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, para disa viteve, Shane Korbeci, asokohe ministër i Tregtisë, pohonte se nga eksporti i hashashit që cilësohej bimë medicinale, një emërtim alla-shqiptar për të fshehur efektin narkotik të saj, thesari i shtetit përfitonte mbi 600 milionë dollarë në vit. Sipas dokumenteve të kohës, pjesën më të madhe të prodhimit e tërhiqte Zvicra. Në vitet ‘60-’70, kur kërkesa erdhi në rritje, arriti piku i prodhimit.

Ekspertët më të mirë bënë studime për ta zgjeruar këtë lloj aktiviteti fitimprurës, madje u bënë edhe plane konkrete, por nuk u mësuan arsyet pse hezitoi lidershipi i kohës. Avokati Spartak Ngjela ka dëshmuar se i ati i tij, ish-ministër i Tregtisë në vitet ‘70, kishte paraqitur në organet përkatëse një studim për ta çuar në tre miliardë dollarë përfitimin nga ky lloj eksporti, por nuk gjeti mbështetje për shkaqe krejt vulgare. Me fundin e regjimit komunist, fati i kultivimit të hashashit iu la spontanitetit. As i legalizuar, por as dhe i ndaluar. Për herë të parë, Shqipëria postkomuniste, që ishte shquar për prodhimin bio të kanabisit, filloi të përmendej gjithnjë e më shumë në opinionin ndërkombëtar si kampione e prodhimit të hashashit, të njohur tashmë me emërtimin marijuanë, kanabis dhe kryesuese e trafikut ilegal kriminal të tij.

Hashashi që vuri në gjumë gratë e grumbullimit

I destinuar vetëm për eksport, hashashi kultivohej në kooperativat kodrinore malore. Pastrimi dhe përgatitja e tij për eksport bëhej në ndërmarrjet shtetërore të grumbullimit. Aty ishte vështirësia më e madhe. Të ballafaquar për herë të parë me këtë proces pune, punonjësit e ndërmarrjeve që deri atëherë ishin marrë vetëm me magazinimin e produkteve bujqësore, duhej të përballeshin dhe me përgjumjen që shkaktonte bima fantazmë kur thahej e sistemohej për t’u transportuar për eksport.

Shaze Brahimi, një nga ish-punëtoret e grumbullimit në qytetin e Fierit, tregon se ditën e parë kur kanë rënë në kontakt me bimën e tharë, i ka mbërthyer një përgjumje e padëgjuar të gjitha gratë e ndërmarrjes. “Në djall të vejë edhe kjo punë, i thamë drejtorit, kujton ajo, por avash-avash ia morëm dorën”. Përtej kësaj peripecie dhe volumit të madh të punës, punonjëset e hashashit që i jepnin dorën e fundit për ta adresuar për eksport, vitet e fundit filluan të paguheshin gjithnjë e më pak. Kjo falë krizës që në mesin e viteve ‘80 arriti kulmin. Sidoqoftë, ato asnjëherë nuk e morën vesh të vërtetën se nuk bëhej fjalë për një bimë të thjeshtë medicinale, siç u thoshin zyrtarët, por për marijuanë, hashash, sipas zhargonit popullor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN